E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet më Kamëz do të trefishohen gjatë katër viteve të ardhshme

Kryeministri Sali Berisha u shpreh i bindur sot gjatë një takimi me banorë të Kamzës, rreth 12 kilometra larg Tiranës, se qeveria po shkon drejt mandatit të dytë dhe siç cilësoi ai, "askujt nuk i kërkojmë votën për këto që kemi bërë, por kërkojmë që të na besojnë për ato që do të bëjmë. Ne jemi qeveri e premtimeve të mbajtura dhe vijmë para jush me moralin e një politike që nuk mashtron, por ju vendos ju në epiqendër të saj”, tha Kryeministri Berisha, i cili në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon” mori pjesë në përurimin e disa veprave publike që kapin shifrën e disa milion lekëve. Në fjalën e mbajtur në takimin me banorët e kësaj bashkie, Kryeministri vlerësoi ndryshimin që ka pësuar gjatë këtyre 3 viteve Kamza, të cilin ai e quajti “qyteti më i ri në Shqipëri”. “Kontratën me ju kjo maxhorancë  po e zbaton me përkushtim e ndjeshmëri”, tha Kryeministri, i cili solli në vëmendje faktin se në këto dy vite në Kamëz janë asfaltuar 25 km rrugë, janë investuar në rrjetin elektrik 15 milionë euro, është investuar në kopshte dhe shkolla sa të gjitha investimet e bëra në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme. “Ne vijmë tek ju fjalëmbajtur se kemi investuar në infrastrukturë 25 milion euro ose 3 miliard lekë, kundrejt 500 milion lekëve të investuara 8 vite të marra së bashku të qeverisjes së mëparshme”, tha Kryeministri Berisha, duke premtuar se “se në mandatin e dytë këto investime do të 3 fishohen”. Duke pranuar se megjithë investimet Bashkia e Kamzës përballet ende me vështirësi, Kryeministri premtoi se "kjo qeveri do të shumëfishojë investimet derisa ta bëjë Kamzën, një nga qytetet më të zhvilluara dhe të begata të Shqipërisë. Ne po ecim drejt një mandati të dytë dhe para jush paraqiten dy platforma, të cilat flasin për ndryshimin. Ne ju themi ju se kemi dyfishuar pensionet, kurse pala tjetër thotë se kjo nuk ka ndodhur. Por unë jam i bindur se në gjykimin tuaj ju e dalloni se cili është ndryshimi dhe cili është mashtrimi", u shpreh Kryeministri. Sipas tij, qeveria ka rritur ndjeshëm rrogat dhe pensionet, ka dyfishuar të ardhurat, ka krijuar një klimë të përshtatshme për biznesin dhe investimet private, por të gjitha këto arritje hidhen poshtë nga forca tjetër politike. "Ju ecni në rrugë të asfaltuara dhe e shihni çdo ditë infrastrukturën tuaj të ndryshojë. Shqipëria po ecën drejt NATO-s dhe në datën 4 prill, flamuri ynë kombëtar do të valëvitet në Strasburg më krenar se kurrë në historinë e tij",  tha Kryeministri Berisha, duke shprehur edhe njëherë bindjen se "shqiptarët e dallojnë ndryshimin nga mashtrimi". Vetëm nga taksat dhe tatimet, sipas Kryeministrit Berisha, "gjatë këtyre 4 viteve janë kursyer rreth 4 miliard dollarë, që më parë shpërdoroheshin dhe përfundonin në llogaritë bankare të kontrabandistëve dhe zyrtarëve". Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e kopshtit të fëmijëve “Kamza e re”, një investim me vlerë 34 milionë lekë, Komisariatin e ri të Policisë të Kamzës, një investim me vlerë 104 milionë lekë dhe rikonstruksionin e stadiumit të Kamzës, me vlerë 45 milion lekë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›