Investimet në Korçë, 12 herë më shumë se gjatë 8 viteve të qeverisjes socialiste
Vlerësimi i kryeministrit për investimet
Duke iu referuar dinamizmit ekonomik të vendit dhe investimeve madhore në një shumësi sektorësh të rëndësishëm të ekonomisë, kryeministri Berisha tha se në vetëm 5 vite qeveria e drejtuar prej tij ka investuar 12 herë më shumë në qytetin e Korçës. Sipas kryeministrit, rritja e investimeve në zhvillimin e bujqësisë, fermave, infrastrukturë etj, bëjnë që Korça dhe gjithë Shqipëria të vlerësohet nga institucionet ndërkombëtare, si vend i denjë për të jetuar.
“Këtu në Korçë janë investuar në vaditje, kanale, në fermat e Korçës 12 herë më shumë se tetë vite para kësaj qeveria. Korça sot është në prag të investimeve gjigante. Janë vetëm në fushën e energjisë 10 hidrocentrale, të cilat nisin ndërtimin me një investim total prej 1.35 miliard euro. Korça dhe Shqipëria, nuk do të mund të ishin ndër vendet e mira për të jetuar në rast se gjatë këtyre viteve, ne nuk do të dyfishonim pensionet e ulta, ne nuk do të dyfishonim rrogat e punonjësve të arsimit, shëndetësisë dhe të rrisnim rrogat e tjera, në rast se ne nuk do të ulnim në mënyrë drastike varfërinë. Korça dhe Shqipëria, nuk do të mundin të ishin ato që janë sot, në rast se ne nuk do të dyfishonim ndihmën ekonomike në rast se ne nuk do të bënim një përpjekje për një shpërndarje më të ndershme dhe më të drejtë të të ardhurave”, u shpreh Berisha.
Ai vuri në dukje se Korça dhe Shqipëria, nuk do të mund të ishin një vend ku mund të jetohet më mirë në rast se ne nuk do të krijonim klimën e biznesit që krijuam dhe vendin e investimeve të ndaluara 15 vjet më parë e shndërruam në një nga vendet më tërheqëse për investime në Europë dhe në Botë.
“Gjithçka është bërë në këtë vend , është bërë me mund të madh me sakrifica, por dhe me dashuri të vërtetë dhe respekt për njëri-tjetrin, për Korçën dhe Shqipërinë. Koha sot shtyn më shumë se kurrë të duam njëri-tjetrin, të duam Korçën, të duam Shqipërinë, të ndihemi krenar me njëri-tjetrin të ndihemi krenar me Korçën të ndihemi krenar me Shqipërinë”, tha më tej, kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë premtoi që investimet e qeverisë si në Korçë dhe në mbarë vendin do të vijojnë edhe në vitet e ardhshme, duke e bërë Shqipërinë një vend të frekuentuar nga turistët e shumtë, si në bregdet ashtu edhe në zonat malore, të cilat janë po aq të bukura dhe me potenciale sa dhe bregu.