E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet në Shqipëri janë dëshmi e besimit në ritje e sipërmarrjes botërore

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në Lezhë, se "investimet e mëdha në vend, janë dëshmi e besimit të madh të sipërmarrësve botërorë ndaj Shqipërisë". Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Kreu i Qeverisë mori pjesë sot në inaugurimin e fillimit të punimeve për fabrikën e re të çimentos, në Balldren të Lezhës, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Italisë në Tiranë Saba D’Elia, si dhe deputetë të zonës dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Gjatë ceremonisë së inagurimit, Kryeministri deklaroi se "investimet në zonën e Lezhës, së bashku me fabrikën e çimentos, kapin shifrën 2 miliardë euro, ndërkohë që punësojnë me mijëra qytetarë të Lezhës e Shqipërisë". Kryeministri e vlerësoi këtë investim si "dëshmi të një marrëdhënie intensive me Italinë mike". Sipas tij besimi i sipërmarrësve italianë dhe atyre botërorë ndaj Shqipërisë, është krijuar nga përpjekjet e jashtëzakonshme të qeverisë për krijimin e një klime të favorshme për biznesin. Kryeministri theksoi se "ky është një rezultat i politikave të drejta ekonomike që ka ndjekur kjo qeveri". Investimi i kompanisë italiane Kolacem prej 200 milionë euro në komunën e Balldrenit, sipas Kreut të Qeverisë shqiptare  është një antidod i shkëlqyer për të mbajtur larg nga Shqipëria, krizën ekonomike botërore. Duke vlerësuar rëndësinë e investimeve në fushën e çimentos, Kryeministri tha se "Shqipëria do të jetë kantieri më i fuqishëm i ndërtimeve në Ballkan. “Në këtë vend është një rrjet rrugor i tëri për t’u rindërtuar, janë mbi 400 diga, hidrocentrale të reja për t’u ndërtuar, janë pothuajse qindra kilometra tunele, tashmë jo të kuptimit të vjetër, por tunele për të çarë malet dhe shkurtuar distancat, tunele për të rritur fuqinë energjetike të ujërave tona. Janë me mijëra e mijëra platforma të turbinave të erës, për t’u ndërtuar në kodrat e Balldrenit dhe mbarë vendit”, nënvizoi Kryeministri. Ky përurim, vijoi Kryeministri, ndodh në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, anëtarësim i cili do të rrisë besimin e kombeve të qytetëruara te Shqipëria dhe shqiptarët. Kryeministri  i shprehu Ambasadorit  D’Elia, mirënjohjen e madhe për solidaritetin dhe mbështetjen e madhe që  Italia i ka dhënë aspiratave të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe integrim. Nga ana e tij, Ambasadori italian vlerësoi se "marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë shumë të veçanta në të gjitha fushat". Veçanërisht, ai theksoi mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, e cila do të konfirmohet në 4 prill me anëtarësimin e vendit në NATO. Duke u ndalur në nivelin e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, ambasadori italian tha se Italia zë 34 për qind të totalit të këtyre shkëmbimeve.  Ndërsa, Kryetari i komunës Balldren, Gjekë Cali, u shpreh se krahas këtij investimi, kompania Kolacem ka investuar edhe për asfaltimin e 830 metra linearë rrugë, ka ndërtuar një kopsht për fëmijët në fshatin Gocaj dhe ka akorduar 3 bursa studimi për studentë të familjeve në nevojë. Ai vlerësoi se reforma e ndërmarrë nga qeveria për decentralizimin e pushtetit vendor dhe kalimin e pronave në administrimin e këtij pushteti, i  ka dhënë këtij të fundit një rol shumë të rëndësishëm për sa u përket investimeve. Nga vet buxheti i  komunës Balldren, theksoi ai, është parashikuar një fond prej 80 milionë lekë, veçanërisht për ndërtime rrugësh. Gjatë ceremonisë, përfaqësuesit e kompanisë Kolacem falënderuan qeverinë shqiptare për mbështetjen e madhe dhe lehtësitë e krijuara në realizimin e këtij investimi të madh në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›