Investimet ne Shushice te Vlores, 20 here me shume se ne vitin 2005

Në komunën Shushicë, 15 km në verilindje të qytetit të Vlorës vlera e investimeve buxhetore për projekte të ndryshme arrin në 216 milionë lekë gjatë këtij viti, ose 20 herë më shumë krahasuar me vitin 2005. Kryetari i komunës, Luli Petani tha se mes projekteve në proces, ndërtimi i rrugës Risili-Beshisht, që lidh 9 fshatra dhe ujësjellësi Risili-Çeprat, përbëjnë dy prej investimeve më të rëndësishme në shkallë rrethi. "Janë më shumë se 9000 banorë që do të përfitojnë nga këto investime", tha Petani. Me ndërtimin e rrugës me gjatësi 8.2 km dhe gjerësi, 5.5 metra, ku po investohen 135 milionë lekë, po konkretizohet një aks i parametrave bashkëkohorë, me sistem sinjalistike vertikale e horizontale, kanalizime etj. Investimi i nisur pak muaj më parë ka përfunduar në rreth 3-4 km gjatësi dhe pritet të mbyllet plotësisht në muajin shtator. Aktualisht, po punohet përgjatë trasesë së rrugës, ku po hidhen shtresat e zhavorrit. Ndërsa ndërtimi i ujësjellësit Risili-Çeprat, një nga investimet më të rëndësishme në rrethin e Vlorës, financuar nga buxheti i shtetit me vlerë 81.5 milionë lekë, është në fazën përfundimtare. Aktualisht, po montohen pajisjet e fundit dhe brenda pak javësh punimet përmbyllen. Ky ujësjellës zgjidh për herë të parë dhe përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve të disa fshatrave të komunës Shushicë, që deri tani e sigurojnë ujin përmes puseve të çelura privatisht, apo në burime natyrore në distanca të largëta nga banesat e tyre.
...