Në Gërdec punonin edhe ushtarakë
Në fabrikën e Gërdecit, krahas civilëve, punonin edhe ushtarakë për demontimin e municioneve për llogari të firmës private "Albademil". Dëshmitari Lutfi Gërdeci, punëtor në fabrikë, tregoi dje në sallën e gjyqit se, "gjatë procesit të demontimit kishte edhe punonjës të ushtrisë". I pyetur nëse ushtarakët paguheshin në fabrikë apo diku tjetër ai nuk ka saktësuar asnjë gjë, duke u deklaruar se "nuk kam dijeni". Ai tha se personat që më janë prezantuar si ushtarakë ishin specialistë armatimi dhe quheshin Zabit dhe Viktor, por nuk mbante mend mbiemrat. Disa herë është pyetur nga trupi gjykues nëse këta persona mbanin veshur uniforma ushtarake, por dëshmitari tha se ata ishin civilë, por në biseda me ta kishte mësuar se ata ishin me profesion ushtarakë.
Dëshmia
Duke u pyetur nga prokurori Altin Dumani, Lutfi Gërdeci, do të deklaronte se kishte punuar në fabrikën e Gërdecit dy herë. Hera e parë ka qenë nga periudha 13 qershor 2007 deri më 15 nëntor i të njëjtit vit. Më pas ka filluar punë tek "Albademil" në muajin shkurt të vitit 2008 deri në ditën e tragjedisë. Në periudhën e dytë ka punuar me bashkëshorten Rabie Gërdeci. Gjithashtu, në fabrikë ka punuar edhe i vëllai dhe e ëma, Flutura Gërdeci. "Mua më ka marrë në punë Dritan Minxolli. E takova te porta edhe më tha se do të bënin demontim municionesh. Të nesërmen fillova punë. Dua të sqaroj se nuk kam firmosur asnjë letër. Paga ishte me normë dhe, në bazë të llogaritjeve më binte rreth 20 mijë lekë të vjetra. Herën e parë që kam punuar demontonim fishekë. Hapnim arkat me leva e sqepar dhe më pas me dalta të vogla çmontonim fishekë", shtoi dëshmitari. I pyetur për ndonjë rregullore të mundshme për kushtet e punës sqaroi se nuk ka lexuar dhe as nuk ka parë asnjë të tillë.
Emri në fletë
Prokurorët kanë këmbëngulur për të mësuar diçka më shumë rreth kushteve në punë apo për kontratë me pronarët e fabrikës. Ai tha se ditën që ka filluar punë ka firmosur në një fletë të bardhë A4. "Ishte vetëm një fletë e bardhë ku kam firmosur, duke shkruar emrin dhe vendosur firmën. Më tre shkurt të vitit 2008 fillova punë. Demontonim municione të kalibrit të madh. Grupi im përbëhej vetëm nga bashkëshortja ime. Filluam direkt në punë. Na thoshim vetëm të kishim kujdes", tregoi Lutfi Gërdeci. Më pas shtoi se në fabrikë ka parë edhe dy-tri herë Mihal Delijorgjin, ndërsa gjatë procesit të parë të çmontimit të fishekëve ka pasur edhe specialistë të huaj, ndërsa në fazën e dytë, atë të demontimit të predhave nuk ka pasur të huaj. "Ne përdornim leva për të hapur municione, ndërsa barutin e transportonim me karroca dore", tregoi ai. Më pas tregoi edhe ditën e ngjarjes, ku po merrej me nxjerrje baruti. "Ishte ora rreth 12 pa 10 minuta kur pashë një flakë afër derës kryesore. Unë po merresha me transportin e barutit brenda magazinës. Në këtë moment dola nga dera ku ishte gjeneratori edhe u mundova të ikja. Ktheva kokën pas për të parë për bashkëshorten, por nuk e gjeta dot. Me një nxehtësi të madhe ika me vrap edhe shkova te shtëpia për të parë fëmijët, por mami im kishte marrë fëmijët edhe kishte ikur. Shkova në Prezë dhe më pas u ktheva në Vorë. Më thanë shokët që gruaja jote është djegur. Ajo ishte në gjendje kome në spitalin "Nënë Tereza". Qëndroi dy muaj e gjysmë në gjendje kome, pasi kishte 30 për qind djegie. Asnjë ndihmë nuk më ka dhënë shteti. Gruaja ende vuan pasojat e tragjedisë, ndërsa unë jetoj në shtëpi me qira", përfundoi Lutfi Gërdeci dëshminë.