Bora dhe ngrica lënë në errësirë disa zona në Veri
Me gjithë përmirësimin e kushteve të motit, komuna dhe fshatra të thellë malorë në Veri vazhdojnë të jenë të bllokuara. Kështu, në Qarkun e Dibrës, rrugët që lidhin fshatrat e komunave: Lurë, Kala e Dodës, Klenjë, Martanesh, Xibër-Murrize etj., vijojnë të jenë të pakalueshme nga automjetet. Ndërkohë, numri i fshatrave të veçantë që vazhdojnë të jenë të izoluar është me dhjetëra. Ndërkaq, akset nacionale rrugore kalohen me vështirësi nga automjetet, sidomos gjatë orëve të para të mëngjesit dhe mbrëmjes për shkak të akullit. Dje në mëngjes, gati i gjithë aksi rrugor nacional Peshkopi-Burrel-Tiranë ka qenë i mbuluar tërësisht me akull, duke e bërë tejet të vështirë lëvizjen e automjeteve. Burime nga Drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve, edhe pse jo zyrtarisht, shprehen se rezervat e kripës që disponojnë janë të pakta, gjë që dikton hedhjen me kursim të kripës në rrugë. Ndërsa në dy akset e tjera rrugore nacionale, atë Peshkopi-Kukës dhe Ura e Çerenecit-Klenjë-Librazhd, lëvizja e automjeteve ka qenë e vështirë prej akullit dhe trashësisë së dëborës, e cila në segmente të caktuara shkon deri në 40 centimetra. Ndërsa drejtoritë e rrugëve rurale duket se janë "dorëzuar" pasi nuk kanë fonde e mjete për t‘i bërë rrugët të kalueshme. Ndërkaq, në Kukës stuhitë e dëborës dhe shiut, të shoqëruara me temperatura mjaft të ulëta, kanë shkaktuar prishjen e linjave elektrike në komunat e Hasit. Për pasojë, më shumë se 10 mijë banorë të komunave: Fajza, Gjinaj dhe Golaj, si dhe një lagje e Krumës, vazhdojnë të jenë në terr. Drejtues të elektrikut në Has tregojnë se janë dëmtuar më shumë se 10 lidhje në shtylla të tensionit të mesëm, si dhe kanë dalë jashtë përdorimit disa kilometra përcjellës elektrikë. Ndërkaq, rrugët nacionale që lidhin Kukësin dhe Kosovën me Tiranën, gjatë ditës së diel kanë funksionuar me vështirësi, ku pas tri ditësh ndërprerje kanë qarkulluar edhe kamionët e tonazhit të rëndë. Vështirësi paraqesin rrugët nacionale të Tropojës si: Bajram Curri-Fierzë dhe Bajram Curri-Qafë Mali, por gjithsesi janë përshkuar nga automjetet me zinxhirë. Ndërsa një numër fshatrash në komunat Lekbibaj dhe Margegaj mbeten të bllokuara nga dëbora. Nga kontakti me banorët në këto zona, mësohet se "askush nuk marrë mundimin të dërgojë borëpastruese", tha një banor i Lekbibajve, por shtoi se "jemi mësuar me vështirësitë". Edhe në Rrethin e Kukësit, komunat Zapod, Kalis, Arrën dhe Grykë Çajë mbeten ende të bllokuara edhe pse ndonjë fuoristradë ka mbërritur të depërtojë. Nga njëri fshat në tjetrin, njerëzit e këtyre zonave kanë qarkulluar më këmbë apo me kafshë pune, duke zgjidhur problemet e tyre të përditshme.