Burgaj, lumë kritikash në analizën e policisë së Tiranës
Pas dy orëve në pritje të ministrit të Brendshëm, i cili nuk ka respektuar protokollin e Policisë së Tiranës në analizën e saj, drejtuesit e kësaj strukture janë përballur edhe më një lumë kritikash nga ana e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Këto kritika kanë ardhur në analizën 1-vjeçare të Policisë së Tiranës, që për kreun e policisë shqiptare, Hysni Burgaj, vlejnë për t‘u përmendur për gjithë drejtoritë e policisë në qarqe. Vetë krerët e policisë së Tiranës kanë pranuar disa probleme të tyre, por nuk prisnin një reagim të tillë nga Burgaj. Në analizë, drejtori i Policisë së Tiranës tregoi se probleme ka pasur me aksidentet rrugore gjatë këtij viti, si dhe me vrasjet, por për këtë të fundit u shpreh optimist, sepse krimi kundër personit në përgjithësi ka ardhur në ulje.
Problemet
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka deklaruar se nisur nga vetë rezultatet e analizës së punës për vitin 2009 që janë paraqitur nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, përveç arritjeve pozitive, konstatohen disa probleme, të cilat duhen të merren me seriozitet maksimal për vitin e ardhshëm. "Konstatohet se ka një rënie të theksuar në numrin e përgjithshëm të veprave penale në fushën e krimit të organizuar, gjë që duhet seriozisht të analizohet për të konkluduar nëse kjo rënie është faktike, apo është pamundësia e strukturave tona për t‘i konstatuar dhe zbuluar ato", ka deklaruar i prerë kreu i policisë. Duke shtuar mbi këtë aspekt, Burgaj tha se rezultatet në fushën e luftës kundër narkotikëve duket të kenë një rënie të konsiderueshme, e cila nuk mund të justifikohet me rënien e menjëhershme të trafikut në fushën e drogës. "Vëmë re se në këtë drejtim ka rezultate në kapjen e shpërndarësve të drogës, por nuk ka rezultate të mira në zbulimin e trafikimit të drogave, gjë që nuk përputhet me realitetin, sepse nuk mund të ketë shpërndarje pa trafikim", deklaroi Burgaj.
Veç krimit të organizuar, ku problemi kryesor për të qëndronte antidroga, ai nuk ka lënë pa përmendur krimet e vogla, duke vënë në dukje shifrat abstrakte të zbulueshmërisë. "Ka rezultate të dobëta në zbulueshmërinë e krimeve kundër pronës. Ka disa figura krimi ndaj pronës, si vjedhja e automjeteve, ku zbulueshmëria shkon deri në 15%. Këto shifra tregojnë edhe një problem tjetër, i cili u përmend në analizën tuaj, faktin që personat me precedentë kriminalë në këto fusha nuk mbahen nën kontroll", u shpreh numri një i Policisë së Shtetit. Duke konfirmuar kritikën e tij, Hysni Burgaj, i cili nuk ka shumë kohë që është emëruar në krye të policisë, theksoi se nga krahasimi i tabelës së rezultateve të zbulueshmërisë për krimet e rënda dhe nga të dhënat e zbulueshmërisë në përqindje të komisariateve ka një mospërputhje logjike dhe matematike. "Është i paqartë fakti i kësaj statistike të komisariateve të policisë dhe tabelës përmbledhëse më sipër, ku rezulton se krimet kundër personit dhe pronës kanë rritje dhe fuqia zbuluese ka rënie, ndërsa komisariatet e kanë fuqinë zbuluese mesatarisht 94-95%. Në fakt, duhet të pyesim, se çfarë zbulojnë komisariatet, kur rezultatet e drejtorisë janë 79%. Kush është kontributi i tyre në luftën kundër kriminalitetit, kur zbulimi i krimit të vjedhjes së pronës është rreth 42%?", vuri në dukje Burgaj, duke prekur në plagët e policisë së kryeqytetit.
Raportet
Gjithashtu, ai shtoi se në analizë nuk ka asnjë të dhënë për ecurinë e raporteve të ngjarjeve të ndryshme, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Për këtë, kryepolici tha se mendon që ndikon negativisht edhe tek efektiviteti i raportit të ngjarjes si burim informacioni për zbulimin e krimeve që përmendëm më sipër. "Rritja cilësore dhe sasiore e raportit të ngjarjes, kam besim se do të jetë faktor në shtimin e informacionit kriminal, të vlefshëm për rritjen e zbulueshmërisë së veprave penale", theksoi ai. Por krahas problemeve, Burgaj tha se analiza e punës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë është analiza më e rëndësishme, nga e cila varen shumë parametra të punës së të gjithë organizatës tonë të policisë, jo vetëm për anën sasiore të punës, e cila në volumin e saj zë gati 1/3 e të gjithë punës, jo vetëm për faktin se policia e Drejtorisë së Qarkut të Tiranës është gati 1/3 e numrit të përgjithshëm të personelit të Policisë së Shtetit, por veçanërisht sepse në Drejtorinë e Qarkut të Tiranës kërkohet edhe një cilësi më e lartë dhe performancë dukshëm më e mirë se pjesa tjetër e policisë dhe kjo lidhet me një sërë arsyesh. Me këto arsye, kryepolici theksoi se aktivitetet kryesore dhe më të rëndësishme ekonomike të vendit zhvillohen në Tiranë, institucionet qendrore shtetërore zhvillojnë aktivitetin dhe selitë diplomatike, OJQ të huaja, shqiptare, selitë drejtuese të partive politike, organizatave fetare, sportive, aktivitetin e vet kryesor e kanë në Tiranë.
Burgaj shtoi se këto probleme që konstatohen në Drejtorinë e Policisë Tuaj, po edhe në drejtoritë e tjera, është e nevojshme që të analizohen. Ndërsa për vitin e ardhshëm, Burgaj la disa detyra si forcimi i luftës kundër krimit të organizuar, jo vetëm si një objektiv i rëndësishëm i qeverisë shqiptare për të forcuar shtetin dhe zbatimin e ligjit, por edhe si një nga parametrat kryesorë, të cilët duhet të përmbushë vendi ynë për liberalizimin e vizave dhe aderimin në BE, pa lënë mënjanë edhe krimin ekonomik dhe ato kundër pronës dhe personit.