E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet në rënie

Prej 421 milionë eurosh sa ishin investimet e huaja në vitin 2007, kanë rënë në 265 milionë vitin e kaluar. Trend i njëjtë vazhdon edhe këtë vit. Megjithëkëtë, qeveritarët deklarohen optimistë. Nga Express më 02 shtator 2011 në ora 08:26

Investimet e huaja direkte vitet e fundit kanë shënuar vetëm rënie. Prej 421 milionë euro sa ishin në vitin 2007, kanë rënë në 265 milionë euro vitin e kaluar. Trend pothuajse i njëjtë po vazhdon edhe këtë vit.

Megjithatë, masat e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, sipas autoriteteve kosovare, patën efekte pozitive edhe në interesimin e investuesve të huaj që të vinë në Kosovë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, thotë se së shpejti pritet që të ketë diçka konkrete nga ardhja e investuesve të huaj në Kosovë.

Ajo tregon se javëve të fundit kanë qenë të pranishëm delegacione të shumta nga vendet e rajonit dhe botës për të shikuar mundësinë e tregtisë me Kosovën.

“Ata përveç që i shikojnë mundësitë e plasimit të mallrave të tyre në tregun e Kosovës, gjithashtu janë duke i shikuar mundësitë e bashkëpunimit, transferit të teknologjisë, përvojave dhe linjave të tyre të prodhimit”, thotë Kusari – Lila.

Sidoqoftë, në një periudhë kur prania e investimeve ndërkombëtare është e domosdoshme për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie. Megjithatë, Kusari - Lila thotë se Kosova tani po bëhet një vend ku investuesit janë të interesuar të vinë dhe t’i shohin mundësitë prodhuese.

“Në tërësi, ekonomia e Kosovës çdo ditë po bëhet më atraktive. Vetëm brenda një periudhe njëjavore kemi pasur delegacione nga Bullgaria e nga Kroacia, ndërkaq edhe në ditët e ardhshme presim delegacione edhe nga vendet tjera”, shprehet ajo.

Edhe pse deri më tani nuk ka pasur ndonjë shifër zyrtare se sa kanë qenë shumat e investimeve ndërkombëtare, megjithatë thuhet se në tremujorin e parë ka pasur një rënie të lehtë në krahasim më vitin paraprak.

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2007 investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milionë euro, në 2008- vit ky kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milionë euro, në 2009-ën investimet ishin 310 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar investimet kanë rënë në 265 milionë euro.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shprehet skeptik sa i përket ardhjes së investuesve në Kosovë. Ai thotë se investuesit e huaj mund të jenë të interesuar, por kjo mund të merr kohë.

“Tash është një moment i ri në Kosovë, para së gjithash kur janë krijuar disa kushte të reja, kur tregu i Kosovës është më atraktiv për shkak të një boshllëku që është krijuar. Kjo nuk do të thotë që automatikisht do të ketë investime, por interesimi për të vlerësuar tregun e Kosovës mund të sjellë deri tek investimet”, thekson Rukiqi.

Rukiqi thekson se nëse investuesit e huaj interesohen që të investojnë në Kosovë, ata do të duhej të fokusoheshin në sektorin e agrobiznesit, para së gjithash në përpunimin e ushqimit në industrinë e qumështit si dhe në sektorin e prodhimit të materialeve ndërtimore.

Ai thotë se investimet në këtë fushë do të ndihmonin zhvillimin ekonomik si dhe do krijoheshin edhe vende të reja të punës.

“Fazën që ne jemi tani, të zhvillimit, pretendojmë ta zbusim deficitin tregtar. Vendet zakonisht orientohen drejt rritjes së eksporteve, mirëpo në mungesë të kapaciteteve dhe tregjeve realisht edhe zëvendësimi i importeve do të kryente punë në rastin e Kosovës dhe do të ishte mjaft i nevojshëm”, thekson Rukiqi.

Ndryshe, në disa raporte të Bankës Botërore, Kosova ishte radhitur e 11-ta nga 15 destinacionet e mundshme, në mesin e vendeve ku jostabiliteti politik ndikon në investimet e huaja potenciale.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›