E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa për lokacionin e Xhamisë: Nëse kanë para le ta blejnë Grandin

Nga Express më 01 shtator 2011 në ora 16:54

Kryetari i komunës së Prishtinës ka ironizuar të enjten me kërkesën që po bëjnë disa besimtarë myslimanë për caktimin e një hapësire në qendër të Prishtinës për të ndërtuar një xhami.

Isa Mustafa ka thënë se lokacioni tek Posta e Madhe është vend i përshtatshëm për ndërtimin e xhamisë, por nëse dikujt nuk i pëlqen, atëherë le ta blejë Grandin dhe komuna do të lëshojë lejen për të ndërtuar xhaminë edhe në atë vend.

Drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe anëtarë të Lëvizjes “Bashkohu”, qysh ditën e Fitër Bajramit, kanë ripërsëritur pakënaqësitë e tyre se përveç premtimeve, nuk ka pasur asnjë veprim konkret ndaj kërkesës së tyre për ndarjen e një lokacioni të përshtatshëm për ndërtimin e xhamisë.

Mirëpo kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka ironizuar me këto kërkesa dhe pakënaqësi. Ai tha se lokacioni i afër Postës së Madhe është i përshtatshëm për ndërtimin e xhamisë, por nëse dikujt nuk i pëlqen, atëherë le ta blejë Grandin dhe komuna do të lëshojë lejen për të ndërtuar xhaminë edhe në atë vend.

“Nëse edhe mund të themi të sigurojnë vet që edhe Grandin ta blejnë ne do t`iu japim edhe ku është hotel Grandi leje që ta ndërtojnë një xhami, por ne si komunë e Prishtinës nuk kemi potencial financiar, nuk kemi edhe të drejtë që ta bëjmë atë. Prandaj unë jam për atë që të arrihet një mirëkuptim që lokacioni i xhamisë të jetë lokacion për ata që manifestojnë vlerat e tyre fetare, për ata që vijnë të falen, e jo gjithsesi të insistohet nga subjektet e tjera jashtë komunës që të bëhen projektues urbanist të komunës”, është shprehur ai.

Ndërkaq kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, i cili drejton edhe partinë me të madhe opozitare, LDK, në një formë i ka dhënë mbështetje vendimit të Kuvendit të Kosovës që nëpër shkollat publike mos të futet mësim-besimi.

Ai theksoi se Kosova sipas Kushtetutës është përcaktuar si shtet laik dhe si rrjedhojë edhe feja duhet të jetë e ndarë nga institucionet shtetërore.

“Po ne po ndërtojmë një shtet laik. Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ashtu është përcaktuar shteti, andaj të themi edhe sistemi arsimor, i cili rregullohet me Kushtetutë dhe nëse nesër qytetarët e Republikës vlerësojnë se duhet të bëhet ndryshe natyrisht se të gjitha ato do t`i përcaktojmë me aktin më të lartë të vendit, pra me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ndërkaq po ashtu duhet të sigurojmë kushte që feja të jetë e ndarë nga shteti”, ka thënë ai.

Deputetët e Republikës së Kosovës më 29 gusht kanë votuar kundër futjes së lëndës së edukimit fetar dhe bartjes së shamisë në arsimin publik parauniversitar në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›