E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet ngritja e komisionit, PS-ja kërkon të dyja postet drejtuese



Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare ka dështuar në mbledhjen e parë për të miratuar ngritjen e komisionit të posaçëm për monitorimin e zbatimit të Kodit Zgjedhor. Gjatë një ore kryetarët e grupeve parlamentare kanë debatuar në mbledhjen me dyer të mbyllura për drejtimin e komisionit të kërkuar nga PS-ja. Përfaqësuesit e PS-së mësohet se kanë kërkuar që komisioni të drejtohet prej tyre për shkak se menaxhimi i procesit zgjedhor bëhet nga qeveria. Ndërsa kjo kërkesë është rrëzuar nga PD-ja, e cila kërkon që komisioni të ketë dy bashkëkryetarë.
Debati
Megjithëse të dyja partitë politike janë shprehur në parim pro ngritjes së komisionit të posaçëm parlamentar për monitorimin e zbatimit të Kodit Zgjedhor dhe të gjithë infrastrukturës zgjedhore, palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për mënyrën e drejtimit të komisionit. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, ka bërë të ditur se Partia Socialiste, meqenëse është në opozitë, kërkon që të mbajë postin e kryetarit dhe të nënkryetarit në këtë komision. Kjo për t’u barasvlerësuar me PD-në, e cila është në shumicë dhe i gjithë procesi zgjedhor është në dorën e qeverisë së PD-së. Por PD-ja e ka rrëzuar këtë kërkesë të PS-së duke kërkuar që edhe për këtë komision të zbatohet rregullorja e Kuvendit dhe të drejtohet nga dy bashkëkryetarë. Braçe ka shpjeguar se formati me dy bashkëkryetarë nuk funksionon në rastin e këtij komision, pasi maxhoranca, sipas tij, “nuk e ka të nevojshme të ketë një bashkëkryetar, përderisa qeveria, veprimet e së cilës do të monitorohen, u përket demokratëve”. Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, bën të ditur se maxhoranca, si çdo grupim tjetër parlamentar, ka të drejtë të ushtrojë kontrollin e saj mbi qeverinë, veçanërisht për procesin zgjedhor. Sipas Patozit, në praktikën parlamentare, gjatë këtyre viteve, komisionet e posaçme janë drejtuar me bashkëkryetarë dhe ky rast nuk duhet të bëjë përjashtim. Debatet e stërgjatura mes palëve janë ndërprerë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo u ka kërkuar palëve të nisin bisedimet për gjetjen e konsensusit, në mënyrë që komisioni i posaçëm për monitorimin e përgatitjes se procesit zgjedhor të nisë sa më shpejt funksionimin dhe të ketë mbështetjen e të gjitha palëve.
Kërkesa
Qëndrimi i PD-së duket si tërheqja nga deklarata e para disa ditëve e kryeministrit Berisha. Ky i fundit u shpreh në mbledhjen e Grupit Parlamentar i PD-së se duhet të bashkëpunohet me opozitën për zbatimin e Kodit Zgjedhor dhe duhet t’i krijohet mundësia kësaj të fundit që të kontrollojë procesin e përgatitjes së procesit zgjedhor. Kërkesa për ngritjen e komisionit u bë nga kryetari i opozitës, Edi Rama, i cili u shpreh skeptik për mbarëvajtjen e procesit të ardhshëm zgjedhor, duke bërë të ditur se qeveria ka dështuar në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe është tepër vonë në hartimin e Regjistrit Kombëtar Elektronik, mbi bazën e të cilit do të hartohen listat e zgjedhësve.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›