E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë, akuza mes deputetëve

30/03/2011  Shmanget konfrontimi fizik mes deputetëve Ervin Koçi dhe Sherefedin Shehu

Dhoma e mbledhjeve të Komisionit për Ekonominë u kthye dje në arenë sharjesh dhe akuzash. Nga një debat mes deputetësh, situata rrezikoi të gjeneronte një konflikt fizik mes ish-zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, dhe deputetit të PS-së, Ervin Koçi. Tensionet dhe debatet më tej përfshinë edhe deputetë të tjerë anëtarë të këtij komisioni parlamentar. Në rendin e ditës ishte parashikuar të diskutohej projektligji për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizime, ku pikërisht ai për qytetin e Fierit u bë edhe molla e sherrit mes deputetëve.

Debati

Deputeti demokrat Sherefedin Shehu dhe ai socialist Ervin Koçi janë akuzuar me njëri-tjetrin për korrupsion dhe abuzim me detyrën. Teksa diskutohej një projekt për furnizimin me ujë të qytetit të Fierit, Sherefedin Shehu hodhi akuza ndaj deputetit Koçi për korrupsion, kur ky i fundit ka ushtruar funksionin e drejtorit të degës së Tatimeve në qytetin e Fierit. Në të njëjtën kohë edhe deputeti socialist, Albert Caci, është përfshirë në debat. Reagimi i deputetit Ervin Koçi ka rrezikuar përplasje fizike mes tyre, pasi ai u ngrit nga karrigia e tij për t’u konfrontuar me zotin Shehu. Në këtë pikë, deputeti Florion Mima u detyrua të ndalë deputetin Koçi, i cili drejtonte fjalë fyese në drejtim të kolegut demokrat. Në debat më pas është përfshirë edhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj, i cili duke dalë në mbrojtje të zotit Koçi, vijoi me tone të larta e fjalë fyese në drejtim të Sherefedin Shehu. “Ti je njeri i ulët. Nuk je më i mençur nga ne. Unë të kam mësuar ty”, - janë këto disa nga shprehjet që zoti Malaj i ka thënë deputetit demokrat Shehu. Në këto kushte, kryetari i komisionit, Edmond Spaho, kërkoi që mbledhja të orientohej në rendin e ditës dhe të shmangeshin debatet e forta mes deputetëve. Në prezencën e specialistëve të Ministrisë së Financave, mbledhja vazhdoi e tensionuar, ndërsa marrëveshja e huasë që do të ratifikohej me KFV-në për përmirësimin e infrastrukturës bashkiake, kaloi vetëm me votat e deputeteve të PD-së. Marrëveshja përfshin rregullimin e sistemit të ujësjellësve dhe kanalizimin në bashkitë më të mëdha të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›