E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet, qytetet ku do të ndërtohen burgjet e reja



Laureta Rryçi

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka përcaktuar qytetet ku pritet të ndërtohen godinat e reja për burgje. Sipas projektit në këtë drejtori mësojmë se për 2010-n do të ketë investime edhe për të ndërtuar paraburgime të reja. Madje për herë të parë do të ketë një burg të dytë për gratë dhe nuk do të jetë e nevojshme që të gjitha gratë e dënuara të mblidhen në kryeqytet. Burime pranë kësaj drejtorie sqaruan dje për gazetën “Albania” se me financim të Komisionit Europian dhe qeverisë shqiptare janë planifikuar që të hapen shtatë burgje të reja. Qendër paraburgimi në Elbasan, me kapacitet prej 120 vendesh. Kjo godinë do të ndërtohet sipas Master Planit 2004. Ndërtimi do të fillojë në vitin 2010 dhe qendra do të hapet në fund të vitit 2011, ose në fillim të vitit 2012.
Paraburgimet
Në projektet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve këtë vit do të nisin investimet për një qendër të re paraburgimi në Berat, me kapacitet prej 90 vendesh. Të njëjtat burime sqaruan se kjo godinë do të ndërtohet sipas Master Planit 2004. Ndërtimi do të fillojë në vitin 2010 dhe qendra do të hapet në mes të vitit 2012. Pas hapjes së qendrës së re, paraburgimi i vjetër në këtë qytet do të mbyllet dhe personeli dhe të ndaluarit do të transferohen në qendrën e re. Në projekte është parashikuar edhe qendër paraburgimi në Kukës, me kapacitet prej 100 vendesh. Godina do të ndërtohet sipas Master Planit 2004. Pas hapjes së qendrës së re, paraburgimi i vjetër do të mbyllet dhe personeli dhe të ndaluarit do të transferohen në qendrën e re. Një propozim i ri në lidhje me këtë çështje është që paraburgimi për këtë zonë të ngrihet në Dibër. Kështu, të mbyllet Burgu i Burrelit për shkak të kushteve jashtë standardeve dhe të dënuarit e të arrestuarit do të transferohen në këtë burg të ri, gjithmonë duke iu referuar parimit rajonal.
Burgjet
Në listën e burgjeve të reja është përcaktuar dhe qyteti i Fierit. Godina do të jetë e madhe, me kapacitet prej 780 vendesh, dhe do të ndërtohet sipas Master Planit 2004. Ndërtimi do të fillojë në vitin 2010 dhe qendra do të hapet në mes të vitit 2013. Burg i ri edhe në Tiranë. Të dënuarit nga zona e Tiranës, rreth 487 persona vuajnë dënimin e tyre në burgun e vogël të Vaqarrit, me kapacitet 146 vende, ose në burgje të tjera jashtë Tirane. Kjo nuk e mbështet rehabilitimin dhe rëndon në familjet e të dënuarve. Duke marrë parasysh numrin e të paraburgosurve dhe të burgosurve nga zona e Tiranës dhe faktorët operacionalë si kompleksiteti i menaxhimit, stabiliteti operacional dhe kosto për çdo vend për të burgosurit, madhësia e burgut të ri të Tiranës duhet të jetë të paktën me 500 vende të burgosurish. Delegacioni i KE-së do të financojë projektimin dhe ndërtimin e këtij burgu nga IPA 2011. Projekti duhet të fillojë në vitin 2010. Ndërtimi do të fillojë në vitin 2011 dhe burgu do të hapet në vitin 2014. Mbas ndërtimit të burgut të ri të Tiranës, institucionet ekzistuese nën standard, siç është burgu “Ali Demi”, mund të mbyllen dhe të dënuarit dhe personeli do të transferohen në institucionin e ri.
Një tjetër burg do të ndërtohet në qytetin e Gjirokastrës, me kapacitet prej 710 vendesh. Godina do të ndërtohet sipas Master Planit 2004. Qyteti i Shkodrës do të ketë një godinë me kapacitet prej 710 vendesh, duke shtuar kështu sërish numrin e burgjeve në vend. Godina do të ndërtohet sipas Master Planit 2004.

1 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›