Papandreu: Ndihmoni sot Greqinë se nesër mund të jetë vonë
Jeff Seldin
ATHINË - Kryeministri grek po paralajmëron se vendi i trazuar duhet të veprojë me shpejtësi dhe fuqishëm për të dalë nga borxhet ose përndryshe do të përballet me falimentim. Kryeministri Xhorxh Papandreu i tha parlamentit të premten se qeveria duhet të ndërmarrë veprime drastike, sepse, siç tha ai, nesër do të jetë shumë vonë. Kryeministri gjithashtu u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të ndihmojnë Greqinë, megjithatë ai tha se nuk kërkon që ato të paguajnë borxhet e vendit të tij. Kriza greke ndërkohë është fajësuar si shkaktare e rënies së vlerës së euros dhe zyrtarët evropian po shqetësohen gjithnjë e më shumë se fatkeqësia financiare e Greqisë do të shkaktojnë probleme edhe më të mëdha për kontinentin. Problemi grek ka ngjallur edhe interesin e disa zyrtarëve të lartë amerikanë. Diskutimet mbi shkurtimet në Greqi nuk janë pritur mirë, ndërkohë që mijëra grekë kanë protestuar në rrugët e Athinës ndaj propozimeve për masat e ashpra. Të premten, kryeministri grek Xhorxh Papandreu u tha ligjvënësve se tani është koha për masa drastike sepse nesër do të jetë shumë vonë.
“Nëse nuk bëjmë shkurtime të thella sot, nesër kriza do të shtohet edhe më tej, dhe përsëri njerëzit do të detyrohen të paguajnë për gabimet e mëparshme.” Ai tha se pa shkurtime të thella, kriza do ta rrënojë ekonominë greke. Ai gjithashtu bëri thirrje për mbështetje më të madhe evropiane. “Po kërkojmë solidaritet nga Bashkimi Evropian, sikurse ata po kërkojnë që ne të përmbushim angazhimet tona për ta risjellë vendin aty ku duhet. Ne do të reagojmë pavarësisht kostos dhe dhimbjeve që do të sjellë për ne, por në rrugën më të drejtë. Ndaj ne kërkojmë solidaritet, dhe besoj se do ta gjejmë atë.” Zoti Papandreu i kërkoi Bashkimit Evropian që të tregohet i drejtë dhe mbështetës. Por, situata është e tendosur. Ekspertët evropian që vizituan Greqinë këtë javë thanë se vendi duhet të bëjë më shumë për të frenuar borxhet e saj shkatërrimtare. Shumë zyrtarë fajësojnë për problemet e Greqisë si shkaktarë të rënies së vlerës së euros. Madje disa zyrtarë kanë thënë se sistemi monetar i euros mund të bjerë nëse Greqia falimenton për të paguar borxhet. Po ashtu nuk është folur zyrtarisht për ndonjë lloj pakete ndihme evropiane. Pas takimit me kryeministrin grek të premten, shefi ekzekutiv i bankës private gjermane, Deutche Bank, ishte i paqartë. “Vij shpesh në Greqi sepse më pëlqen koha dhe zakonisht takohem me klientë dhe zyrtarë të shtetit.” Kur gazetarët e pyetën lidhur me mundësinë e ndonjë ndihme...ai tha se nuk kishte komente. Kriza greke, po ashtu, ka pushtuar vëmendjen edhe të disa zyrtarëve të lartë amerikanë. Shefi i Bankës Qendrore amerikane, Ben Bernanke, u ka treguar ligjvënësve se disa banka private mund ta kenë ndihmuar Greqinë që të fshehë përmasat e problemeve të saj. “Po shikojmë lidhur me një numër pikëpyetjesh që lidhen me Goldman Sachs dhe kompani të tjera mbi ujditë që kanë pasur me Greqinë.” Ai tha se disa agjenci po marrin pjesë në hetime. “Kuptohet se përdorimi i këtyre instrumenteve, në një lloj mënyre që mund të destabilizojnë një kompani apo një shtet, është antiproduktive.” Shefi i bankës qendrore amerikane shprehu shqetësime rreth mundësisë se instrumentet mbi të cilat ka investuar Greqia mund të falimentojnë. (marrë nga VoA)
1 Mars 2010