E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e kualifikimit, administrata shtetërore e mbushur me specialistë pa master



Ervin KOÇI

Administrata shtetërore rezulton të jetë mbushur në një masë të madhe me punonjës të pakualifikuar, të cilët i kanë përfituar vendet e punës nëpërmjet emërimeve politike. Por kjo në rastin më të mirë, pasi në shumë raste të tjera ata që mbajnë detyra të larta si specialistë, këshilltarë, apo dhe drejtorë drejtorish në varësi të ministrive dhe dikastereve më të larta të administratës, mezi kanë siguruar një diplomë shkolle të lartë. Kjo është verifikuar pas një kontrolli dhe raporti që Shërbimi i Kontrollit Civil ka realizuar në administratën publike. Sipas raportit të KSHC-së, në pjesën më të madhe zyrtarët shtetërorë që mbajnë poste kyçe në administratë, i kanë përfituar postet pa konkurse të rregullta (konkurse fiktive), duke u paraqitur si kandidatë të vetëm ose me kandidatë gjoja konkurrent, por që në fakt kanë qenë miqtë e tyre dhe janë prezantuar vetëm formalisht. Në këtë mënyrë janë arritur të zihen mjaftë poste në shumë dikastere, të cilat në qendër kanë pasur emërimet politike dhe jo përzgjedhjen për formimin profesional.

Masteri
Edhe pse janë emëruar politikisht në detyra të ndryshme, një pjese të madhe të zyrtarëve të administratës u mungojnë kualifikimet profesionale. Shumë prej tyre që mbajnë në sektorë të ndryshëm titullin “specialist”, në fakt nuk kanë as master të nivelit të parë, e jo më të jenë të aftë për të kryer detyrën. Kjo ka bërë që urdhri i kryeministrit për të mos pranuar punonjës në administratë pa master, ti drejtojë shumë zyrtarë shtetëror drejt dyerve të universitete private për të siguruar qoftë edhe një diplomë masteri me pagesë. Kjo nuk po ndodh vetëm në universitetet private në Shqipëri, por shumë zyrtarë u janë drejtuar edhe atyre të rajonit si në Kosovë dhe Maqedoni, ku marrja e një diplome master është shumë herë më e thjeshtë, mjafton të paguash. Nga ana tjetër këto emërime nepotike ose politike me individë të pakualifikuar, kanë lënë pa punë dhjetëra specialistë të shkolluar shpesh edhe jashtë vendit që aktualisht kanë mbetur në mëshirën e privatëve.

Kontrolli
Nëpunësit e administratës shtetërore vazhdojnë të emërohen, lëvizin, ngrihen në detyrë apo edhe shkarkohen, duke shkelur ligjin. Konstatimi është bërë nga Komisioni i Shërbimit Civil, i cili ka depozituar raportin vjetor në Kuvend të firmosur nga kryetarja e këtij institucioni, Mimoza Hysenaj. Në 51 faqe raport dokumentohen problemet e thella të administratës shqiptare, e cila, sipas progres-raportit të fundit të Komisionit Europian, mbetet ende e politizuar dhe jashtë standardeve ndërkombëtare. Në dokumentin që do të duhet të miratohet nga deputetët, theksohet se “ashtu si edhe një vit më parë, vazhdon të jetë një problem i përbashkët i institucioneve të administratës qendrore dhe vendore emërimi në kundërshtim me ligjin, në pozicione pune që bëjnë pjesë në shërbimin civil nëpërmjet kontratave apo akteve të emërimit”. Sipas raportit të KSHC-së, në institucionet e administratës qendrore të kontrolluara një vit më parë kanë qenë 46 pozicione pune të plotësuara nëpërmjet emërimeve me kontratë, ndërsa në vitin 2009, në institucionet e kontrolluara gjatë vitit që raportohet janë plotësuar në këtë mënyrë 56 pozicione pune që bëjnë pjesë në shërbimin civil.

Administrata, kriteret e reja për të mbajtur vendin e punës

Qeveria ka përcaktuar kritere të reja, për sa i përket arsimimit për punonjësit e shërbimit civil në administratën shtetërore. Në një prej mbledhjeve të fundit të Këshillit të Ministrave, u miratuan me propozim të Ministrit të Brendshëm disa ndryshime në udhëzimin "për strukturën e renditjes së punëve në shërbimin civil, metodologjinë përkatëse dhe përshkrimin përgjithësues të rolit të sekretarit të përgjithshëm në këtë shërbim". Sipas udhëzimit: Në varësi të nivelit të pozicionit në administratë, do të kërkohet një nivel arsimimi më i lartë. Konkretisht për të gjithë sekretarët e përgjithshëm (në Kryeministri, Presidencë, Kuvend, Ministri) dhe për drejtorët e përgjithshëm, qëndrimi në pozicionin aktual do të bëhet pasi ai të paraqesë një diplomë të nivelit të dytë ose diplomë të integruar të nivelit të dytë. "Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 19, 21 e 22, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të dytë" (DND), ose "Diplomë të integruar të nivelit të dytë" (DIND), ose diploma të barazvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë", thuhet në vendimin e miratuar dje. E njëjta kërkesë është edhe për pozicionet 16 dhe 18 në administratën civile, që i takojnë nivelit 'drejtor' ose "nëpunës civilë të nivelit të mesëm drejtues", sipas përcaktimit në udhëzimin e vitit 2000. Ndryshimet e miratuara në mbledhjen e djeshme të Qeverisë përcaktojnë të njëjtin kriter edhe për pozicionin 'përgjegjës sektori/zyre', që është në klasën e III të administratës, i quajtur ndryshe, 'nëpunës civilë të nivelit të ulët drejtues'. Ndërsa për specialistët e nivelit të lartë, shkalla 12, kërkohet që të jenë të pajisur me diplomë të nivelit të parë dhe një master të nivelit të parë. Ndryshimet në udhëzimin e propozuar nga Ministria e Brendshme prekin edhe nivelin 'specialist në administratë'. Klasa IV e piramidës është e përbërë nga shkalla 10 që është 'specialist i nivelit të mesëm' dhe shkalla 8 'specialist'. "Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 8 e 10, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të parë" (DNP), ose diplomë të barazvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë", thuhet në ndryshimet e miratuara në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave.

Katër kategoritë e administratës

KLASA I
Shkalla 22- Sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri, Presidencë, Kuvend
Shkalla 21- Sekretar i Përgjithshëm në ministritë e linjës,
Shkalla 19- Drejtor i Përgjithshëm
Drejtor Departamenti në Kryeministri, Presidencë, Kuvend, Drejtor i Departamentit të Administratës Publike
"Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 19, 21 e 22, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të dytë" (DND), ose "Diplomë të integruar të nivelit të dytë" (DIND), ose diploma të barazvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë.".
KLASA II
Shkalla 18- Drejtor
Shkalla 16- Drejtor
Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 16 e 18, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të dytë" (DND), ose "Diplomë të integruar të nivelit të dytë" (DIND), ose diploma të barazvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë
KLASA III
Shkalla 14- Përgjegjës sektori/zyrë
Shkalla 13- Përgjegjës sektori/zyrë
Shkalla 12- Specialist i nivelit të lartë
Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 13 e 14, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të dytë" (DND), ose "Diplomë të integruar të nivelit të dytë" (DIND), ose diploma të barazvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, ndërsa nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallës 12, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të parë" (DNP), ose diploma të barazvleshme me këtë diplomë, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, së bashku me një diplomë "Master të nivelit të parë" (MNP).
KLASA IV
Shkalla 10- Specialist i nivelit të mesëm
Shkalla 8- Specialist
Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 8 e 10, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të parë" (DNP), ose diplomë të barazvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë.

1 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›