E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pasojat që na vijnë nga kriza greke, edhe rritje çmimesh në tregun shqiptar”

Kryeredaktorja e “Monitor” flet për situatën në Greqi dhe ndikimi në ekonominë shqiptare

Kriza ekonomike që po kalon Greqia, dhe grevat e njëpasnjëshme po ndikojnë negativisht mbi ekonominë shqiptare, duke përfshirë edhe një rritje të mundshme të çmimeve në tregun vendas, kryesisht tek ato produkte që importohen në vendin fqinj. Në forumin e gazetës “Kriza greke dhe ndikimin në ekonominë shqiptare”, - kryeredaktorja e revistës ekonomike “Monitor”, Ornela Liperi, flet për raportet mes ekonomive të dy vendeve dhe efektet që pritet të ketë në tregun shqiptar. Ndër sektorët më të prekur nga zhvillimet në shtetin helen, është tregtia, dhe veçanërisht eksportet shqiptare. Pasoja pritet të ketë edhe në sistemin bankar, kryesisht në aspektin e huadhënies nga bankat greke që operojnë në vendin tonë, të cilat, për shkak të gjendjes financiare në Greqi, pritet të rrudhin kapitalet për dhënie kredish. Ndikimi më i prekshëm është ulja e remitancave me burim Greqinë. Duke u ndalur tek masat që mund të marrë qeveria shqiptare, Liperi thotë se është një rast i mirë për të subvencionuar sektorin e bujqësisë, pasi shumë emigrantë që kanë punuar në këtë sektor në vendin fqinj, mund të rikthehen në vendin e tyre dhe të investojnë kapitalet dhe ekperiencën tyre, duke sjellë në mënyrë edhe shanse për rritjen e këtij sektori.

Kriza ekonomike ka përfshirë prej disa muajsh Greqinë. Çfarë ndikimesh do të ketë? Cilët sektorë të ekonomisë shqiptare do të ndihen më të rrezikuar?

Në disa sektorë, më shumë se efekte të reja negative nga kriza në Greqi, do të ketë një thellim të pasojave që ekonomia shqiptare i kishte ndier edhe gjatë vitit të kaluar. Kjo do të ndodhë në një kohë kur pritshmëritë ishin që presionet e jashtme gjatë këtij vitit do të ishin më të lehtësuara për shkak të përmirësimit të situatës në Europë, ku shumë vende filluan të vinin nga recesioni.
Pasojat tashmë janë të qarta. Eksportet drejt Greqisë në vitin 2009 ranë me 23% nga 8% që ishte rënia totale e eksporteve. Rreth gjysma e këtyre eksporteve vjen nga sektori i materialeve të porositësit (tekstile e këpucë). Këto kompani në jug të vendit po vazhdojnë të vuajnë rënien e porosive nga partnerët grekë, ndryshe nga sipërmarrësit e tjerë që punojnë me vende të tjera të Europës dhe kanë parë një rigjallërim të aktivitetit të tyre në muajt e parë të këtij viti. Greqia është partneri i dytë i vendit tonë për eksportet, pas Italisë. Eksportet drejt shtetit helen përbënin 7.4% të totalit të eksporteve gjatë 2009-s. Rënie kanë shënuar dhe eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve.

Një tjetër efekt vjen nga kahu tjetër i tregtisë; ai i importeve. Kriza në shtetin fqinj, e shoqëruar dhe me grevat e shumta doganore, do të sjellë një rritje të çmimeve të mallrave të importuara nga ky vend. Megjithatë, më problematike është situata me eksportet, pasi kanalet e importeve mund të zëvendësohen më shpejt drejt vendeve të tjera në krahasim me eksportet.

Një tjetër efekt që është vënë re nga bizneset në vend është një rënie e konsumit, sidomos në jug të vendit, ku shumë biznese apo individë janë të lidhur me Greqinë në një mënyrë apo tjetrën.

Në vendin tonë operojnë shumë banka dhe kompani greke; shtetërore, private dhe me kapital të përbashkët. Në çfarë masë ndikon kriza greke te aktiviteti i tyre ekonomik në Shqipëri?

Ndikimi më i dukshëm do të jetë në sistemin bankar. Bankat greke zënë rreth 23% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar dhe rreth 33% të totalit të stokut të huasë . Këto banka deri një vit më parë ishin shumë agresive në dhënien e huave, sidomos kredive për shtëpi me interesa të ulëta. Fondet e lira që merrnin ato nga bankat mëmë i bënin mjaft konkurruese në tregun bankar shqiptar. Që me fillimin e krizës ekonomike globale dhe sidomos tani me krizën e borxhit, bankat mëmë greke kanë ndaluar kryerjen e transfertave drejt degëve të Europës Juglindore, duke i lënë ato që të financojnë huadhënien tërësisht nga depozitat lokale. Kjo situatë ka të ngjarë t’i lërë këto banka relativisht pasive në tregun shqiptarë. Ndërkohë, nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar për sigurinë e bankave me kapital grek në Shqipëri, pasi ato kanë një aktivitet të konsoliduar në vend prej më shumë se dhjetë vitesh; janë degë të bankave të mëdha greke dhe kanë pasur rezultate të mira financiare edhe gjatë vitit të kaluar.

Një veprim, efektet pozitive të së cilës po i ndiejmë aktualisht, ka qenë “frenimi” i bankave greke për të hyrë në Shqipëri pas viteve 2000, pavarësisht interesit të madh të tyre për tregun bankar shqiptar. Banka e Shqipërisë tentoi të diversifikonte kapitalin e origjinës së sistemit bankar, pikërisht për të shmangur efektin ngjitës që mund t’i vinte sistemit tonë nga kriza financiare e një vendi të vetëm.

Telekomunikacionet janë një tjetër sektor ku kapitali greke ka investuar dukshëm dhe nga ana tjetër ka pasur norma kthimi ndaj investimi shumë të larta (normat e fitimit të kompanive celulare kanë arritur në vitet e fundit deri në 40-50%). Vitin e kaluar, transferimi i fitimeve nga kompanitë celulare drejt Greqisë (që vlerësohet të ketë qenë rreth 160-170 milionë euro) dha një efekt të rëndësishëm në nënçmimin e lekut. Edhe këtë vit transferimi i fitimeve do të vazhdojë, madje ai ka të ngjarë të intensifikohet në pjesën e parë të vitit, teksa kompanitë mëmë do të tentojnë të vjelin sa më shumë fitimet nga degët fitimprurëse rajonale. Duke pasur parasysh intensifikimin e konkurrencës në tregun shqiptar të telekomunikacioneve, kompanitë greke do ta kenë të vështirë të tentojnë për një tkurrje të planeve të tyre për investime në vend.

Në Greqi punojnë mbi 1 milionë shqiptare. Çfarë peshe zënë në ekonominë vendase të ardhurat e tyre dhe si do të reflektohet në gjendjen ekonomike në vend?

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë 9 muajve të vitit 2009, prurjet e emigrantëve në Shqipëri ishin në nivelin e rreth 582 milionë eurove, me një rënie me bazë vjetore prej 4%, por nuk ka të dhëna të detajuara për remitancat nga Greqia. Duke pasur parasysh se gati 40% e totalit të emigrantëve janë në shtetin helen, pesha e remitancave që vjen nga ky vend është mjaft e konsiderueshme. Nuk ka asnjë dyshim se prurjet nga Greqia do të vazhdojnë të reduktohen, duke pasur parasysh dhe një ulje të nivelit të punësimit të emigrantëve shqiptarë.

Sipas një sondazhi të kryer nga Qendra e Kërkimeve Monitor, bie në sy shtimi i numrit të të papunëve midis emigrantëve të anketuar. 11% e të anketuarve deklaruan se ishin të papunë në fund të dhjetorit nga 6% që deklaruan se kishin qenë të papunë në vitin 2008. ka dhe një rënie të numrit të të punësuarve me kohë të plotë. Nëse në vitin 2008, 60% e emigrantëve të anketuar ishin të punësuar me kohë të plotë, në 2009-n, ky nivel zbriti në 54%. Po nga këto të dhëna rezulton se mbi 50% e emigrantëve të anketuar ishin të punësuar në dy industri; si ndërtimi e turizmi, sektorë këto që janë prekur ndjeshëm nga kriza ekonomike në Greqi. Është normale që një rritje e papunësisë do të japë efekt direkt në rënien e remitancave.

Një efekt pozitiv që mund të dalë nga kjo situatë mund të jetë që emigrantët e detyruar të kthehen në vend do të tentojnë të shfrytëzojnë nga përparësitë e bujqësisë shqiptare, sidomos në jug të vendit, duke shfrytëzuar përvojën e tyre në Greqi dhe duke zhvilluar në këtë mënyrë bujqësinë në atë zonë.

Si e vlerësoni reagimin e institucioneve shqiptare ndaj krizës që kalon vendi fqinj, një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomiko-tregtar. Çfarë masash mund të merren për të minimizuar pasojat e kësaj krize?

Në fakt, qeveria nuk mund të bëjë shumë që të arrijë të frenojë direkt pasojat e krizës ekonomike në Greqi. Zgjidhjet shihen në planin afat-gjatë, pikërisht në ato momente që tashmë po diskutohen gjithnjë e më shumë nga ekspertët: krijimin e kushteve për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit, zhvillimin e bujqësisë shqiptare, zëvendësimin e importeve e prodhimin vendas në ata sektorë ku kemi avantazhe konkurrues, rritjen e eksporteve që sjellin vlerë të shtuar e kështu me radhë. Ndoshta, një masë që mund të merrte qeveria do të ishte subvencionimi i bujqësisë në jug të vendit, duke stimuluar ata emigrantë që do të ktheheshin nga Greqia, si rrjedhojë e humbjes së vendeve të punës në shtetin helen.

1- Të dhënat e fundit të disponueshme sipas Shoqatës së Bankave të përdorura në forum janë ato të shtatorit 2009

2- Sondazhi u realizua në pikat doganore të Kakavijës e Kapshticës gjatë datave 23-29 dhjetor 2009 dhe u intervistuan rreth 1,100 emigrantë

1 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›