E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra pret Festivalin e Xhazit



Jo vetëm skena, por edhe rrugët e lokalet do të mbushen me tingujt e muzikës xhaz. Nesër nis në Shkodër edicioni i gjashtë i festivalit ndërkombëtar “Shkodra Jazz Festival”, kushtuar muzikantit shkodran, violinistit Rrok Jakaj. Përgjatë dy ditëve, muzikantë shqiptarë e të huaj, do të ndryshojnë tërësisht atmosferën e qytetit të Shkodrës. Publiku do të kenë mundësinë të shijojnë muzikën xhaz të ekzekutuar nga artistë të afirmuar të skenës botërore. Ndër ta mund të përmendim një nga muzikantët më të rëndësishëm të skenës spanjolle, Isaac Turienzo, por edhe nga talentet shqiptare që po afirmohen në skenën ndërkombëtare, si kitaristi e kompozitori Orges Toçe. Do të luhet xhaz klasik, improvizime, por nuk do të mungojë edhe flamenko e Jorges Pardo, apo “gipsy jazz” nga “The Ockus-Rockus Band”. Një dimension i rëndësishëm i festivalit do të jetë edhe këtë vit përfshirja aktive e qytetit dhe qytetarëve të Shkodrës, të cilëve do t’u jepet mundësia të dialogojnë me festivalin përmes një talk-show muzikor, që është menduar të zhvillohet në rrugën historike me emrin e piktorit e fotografit “Kolë Idromeno”. Artistët e përfshirë në këtë projekt ambicioz do të vihen gjithashtu në shërbim të muzikantëve të rinj shkodranë, që po formohen në shkollën e muzikës, ku do të organizohen mësime kushtuar jazz-it. Festa do të vijojë në lokalet shkodrane, ku muzikantët do të interpretojnë për publikun e qytetit. Ashtu si edhe në edicionet e kaluara, nuk mund të mungojnë shfaqjet në Teatrin “Migjeni”, ku në orën 18:30 do të zhvillohet një koncert. “Shkodra Jazz Festival” është një aktivitet i ideuar dhe organizuar nga Shoqata Kulturore “Rrok Jakaj”, në bashkëpunim me “Optional Music International”. Ky festival, dedikuar një prej muzikantëve shqiptarë më të njohur në Itali, Rrok Jakaj, ndarë nga jeta në mënyrë tragjike, në moshë fare të re, tanimë është kthyer në një traditë. Gjatë 5 edicioneve të shkuara, ka mbledhur rreth vetes emra të njohur të muzikës xhaz, shqiptarë e të huaj. Ky edicion mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bashkia e Shkodrës, Ambasada Spanjolle në Tiranë, Ambasada Austriake në Tiranë, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›