SHBA: Berisha është legjitim, por duhen bërë hapa për pajtim
Zëri i Amerikës
Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Stajnberg tha se Shtetet e Bashkuara pranojnë se Kryeministri i Shqipërisë, Berisha është udhëheqësi legjitim i vendit, por i bëri thirrje pozitës dhe opozitës të tregojnë elasticitet, për të lejuar që vendi të ecë përpara. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, dhënë gazetares Jela De Franceschi, Stajnberg tha se qëndrimi amerikan lidhur me statusin e Kosovës, si shtet i pavarur nuk do të ndryshojë dhe se një ndarje e Kosovës as që vihet në diskutim.
Kriza në Shqipëri
Në intervistën e tij, zëvendës sekretari i Shtetit Stajnberg i bëri thirrje forcave politike në Shqipëri që të tregojnë elasticitet për zgjidhjen e problemeve mes tyre. Ai tha se Shtetet e Bashkuara i kanë mbështetur hapat që anëtarët e Parlamentit Europian kanë ndërmarrë për të lehtësuar një mirëkuptim mes palëve. “është një situatë e vështirë. Ne pranojmë se Kryeministri është udhëheqësi legjitim i vendit dhe mendoj se duhet të shikojmë përpara, por mendoj se ekzistojnë hapa që mund të bëhen për të ndihmuar në arritjen e pajtimit mes forcave politike në Shqipëri. Ne i kemi mbështetur mjaft përpjekjet që anëtarët e Parlamentit Europian kanë ndërmarrë për të lehtësuar një mirëkuptim mes palëve”, deklaroi Stajnberg. “Ne shpresojmë se të dyja palët do të tregojnë një farë elasticiteti, të lejojnë vendin të ecë përpara. Shqipëria është në prag të disa hapave që mund ta forcojnë të ardhmen e saj evropiane, krahas anëtarësimit në NATO. Siç e përmenda, Kryeministri Berisha është udhëheqësi legjitim në Shqipëri por mendoj se mund të ndërmarrim disa hapa përpara, për të lejuar që të dyja palët të përpiqen të punojnë së bashku”, vijoi më tej zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zoti Stajnberg tha se palët kanë nevojë për një shumicë për të miratuar disa ligje në Parlament prandaj ky lloj të menduari, që mban parasysh të ardhmen, do t’i ndihmojë ata të ecin përpara në drejtimin ku të gjithë duan të shkojnë.
Situata në Kosovë
Stajnberg tha se nuk duhet të ketë paqartësi lidhur me qëndrimin amerikan se Kosova është e pavarur dhe sovrane. Kjo nuk do të ndryshojë. Por ndërkohë që punohet për këto çështje afatgjata, ka rëndësi që të ketë një farë bashkëpunimi praktik mes Kosovës dhe Serbisë. “Sepse është në interes të të gjithëve zgjidhja e çështjeve të tilla, si kufijtë dhe doganat apo telekomi. Nëse ndjekim qëndrime pragmatike, pra që palët të bien dakord për të mos qenë dakord për gjithçka, e në të njëjtën kohë të bëjnë gjëra në interes të të gjithë popullit, duke çuar në më shumë e jo në më pak bashkëpunim, kjo do të ishte diçka e mirëpritur”, theksoi Stajnberg. Nënsekretari amerikan i Shtetit iu referua pastaj zërave që dëgjohen kohët e fundit, lidhur me të ashtuquajtura plane për ndarjen e Kosovës. Ai tha se një ndarje as që diskutohet. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë shumë të qartë dhe të gjithë partnerët e kuptojnë, duke përfshirë vendet e Bashkimit Europian, edhe ato vende që mund të kenë qëndrim të ndryshme lidhur me statusin, se ndarja do të ishte një ide veçanërisht e rrezikshme. Madje edhe shtrimi i një mundësie të tillë thellon tensionet, duke e bërë të vështirë të punohet lidhur me çështjet praktike. Do të na duhet të punojnë në suazën e shtetit, ashtu siç është tani dhe shpresoj se me kalimin e kohës do të gjejmë mënyrën për të punuar me kolegët tanë serbë në këtë suazë. Zoti Steinberg tha se në Kosovë po bëhet përparim në zgjidhjen e problemeve të brendshme të vendit, megjithëse ndërtimi i shtetit është një sfidë e vështirë. “Kosova ka një histori të vështirë sepse për një kohë të gjatë, populli i saj ka qenë i privuar nga mjetet dhe shanset për të ndërtuar komunitetet dhe institucionet e tyre politike. Por mendoj se udhëheqja e atjeshme ka ndërmarrë disa hapa shumë të rëndësishme. Gjatë vizitës sime të fundit atje, pata rastin të takoja disa nga kryetarët serbë të komunave të zgjedhur rishtazi në pjesën jugore të Kosovës. Jam i inkurajuar nga këto hapa përpara dhe nga gatishmëria e Qeverisë, e Presidentit dhe e Kryeministrit, për të treguar elasticitet dhe për të krijuar shanse që popullsia serbe ta ndjejë se ka zërin e saj, si në veri edhe në jug, për të çuar përpara elementët bazë të planit Ahtisari dhe të zgjidhë disa nga problemet. Ata duhet të ndërtojnë institucione të forta shtetërore, korrupsioni është një problem i madh në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe është një problem i veçantë në Kosovë. Prandaj ne duhet të punojmë me ta. Ne kemi një numër programesh në Shtetet e Bashkuara, për të fuqizuar sundimin e ligjit atje. Por në tërësi ata mund të vlerësohen me një notë të mirë për përpjekjet e tyre”, deklaroi Nënsekretari amerikan i Shtetit.