E Diel, 1 Nëntor 2026

Investitorë të huaj vazhdojnë të paraqesin projekte në fushën e energjisë së rinovueshme

Kryeministri Berisha priti sot një grup të kompanisë SOAVE, që vepron në sektorin e centraleve eolik, fotovoltaik, hidroelektrik, me biomasë dhe efiçencë energjie nga Abruzzo e Italisë, të kryesuar nga Alberico Laudadio.

Qëllimi i takimit ishte prezantimi i projektit të centralit të prodhimit të energjisë nga era, me kapacitet 75 megavat, në Velipojë të Shkodrës. Kompania ka mëse një vit që punon për këtë projekt dhe e ka paraqitur në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe në Ministrinë e Mjedisit për të marrë lejet dhe licencat përkatëse.

Zoti Laudadio tha se kompania e tyre e ka vënë si prioritet të saj investimin në Shqipëri, në kuadrin e zgjerimit të aktivitetit të tyre dhe në rajon, Shqipërinë e kishin zgjedhur si vendin më të përshtatshëm.

Kryeministri Berisha i përgëzoi për punën e deritanishme dhe i garantoi që do të kishin mbështetjen totale të strukturave të qeverisë konform ligjeve në fuqi, për realizimin me sukses të këtij projekti. Ky projekt përbën një kontribut më shumë në forcimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve fqinj, në sektorin strategjik të ekonomisë.


30/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›