Shqipëria gjithmonë në qendër të vëmendjes së kompanisë STRABAG, si vendi më i përshtatshëm për projekte investuese
Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të kompanisë austriake STRABAG, të kryesuar nga zoti Hans Peter Haselsteiner, kryetar i bordit dhe pronar i grupit.
Zoti Haselsteiner i shprehu Kryeministrit përgëzimet për arritjet e gjithanshme të qeverisë shqiptare dhe për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Ai tha që vizita e tij në Shqipëri kishte për qëllim t’i shprehte edhe një herë vendimin e kompanisë së tij për të filluar projekte investuese në Shqipëri. Bumi i infrastrukturës në Shqipëri, tha ai, e ka bërë kompaninë tonë pjesëtare të disa garave. Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të marrim pjesë në garat e tjera që do të zhvillohen për ndërtim rrugësh në Shqipëri, sepse e gjejmë këtë vend si më tërheqësin për shtrirjen e investimeve tona. Krahas pjesëmarrjes në gara për ndërtim të rrugëve publike, tha zoti Haselsteiner, kompania STRABAG është shumë e interesuar edhe për formën koncesionare të investimit në infrastrukturë. Duke qenë një nga kompanitë më të mëdha në Europë në këtë fushë, kjo kompani ka edhe mundësi financiare për të ndërmarrë projekte të mëdha në ndërtimin e rrugëve.
Kryeministri Berisha, pasi falënderoi kompaninë STRABAG për interesin dhe vendosmërinë, të treguar në këto 4 vitet e fundit, për të investuar në Shqipëri, shprehu dëshirën dhe besimin që në projektet e ardhshme që qeveria shqiptare po shpalos për të vazhduar ndërtimin intensiv të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, do të ketë vend për kompani të fuqishme si STRABAG.
Kryeministri Berisha prezantoi projektet kryesore, ku është fokusuar qeveria e tij në këtë 4 vjeçar të dytë dhe midis të tjerave, si projekte të rëndësishme rrugorë që mund të ndërtohen me koncesion theksoi unazën e madhe të Tiranës. Për këtë projekt, tha Kryeministri, qeveria shqiptare merr përsipër rrezikun e trafikut. Një tjetër projekt i rëndësishëm, një segment i të cilit mund të ndërtohet nëpërmjet koncesionit, Kryeministri veçoi edhe rrugën e Arbrit. Kjo është një rrugë rajonale, theksoi Kryeministri, prandaj ndërtimi i shpejtë i saj është prioritet i qeverisë, sepse ajo shkurton distancat jo vetëm brenda vendit, por edhe ato rajonale. Një tjetër projekt rrugor që qeveria e ka si prioritet është edhe segmenti Rrogozhinë-Thumanë.
Kryeministri Berisha, gjithashtu, falënderoi kompaninë për interesin dhe qëllimin e tyre për të marrë pjesë në gara të rëndësishme si ajo e rrugës Tiranë-Elbasan, apo edhe të veprave të tjera të mëdha si ato në fushën energjetike, në hidrocentrale si Skavica, apo në porte si ai i Vlorës.
Kompania STRABAG shprehu jo vetëm interes të madh, por theksoi se do të marrë pjesë edhe në garat në formë koncesioni për mirëmbajtjen dhe menaxhimin ne infrastrukturës rrugore. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha ju konfirmoi se qeveria e tij do të fillonte menaxhimin rrugor nëpërmjet koncesioneve private për segmentet Tiranë-Durrës dhe të tjerat në ndërtim. Interesi dhe pjesëmarrja në këto gara e kompanive të mëdha, tha Kryeministri, është një garanci më shumë për suksesin e këtyre projekteve.
STRABAG është kompani ndër më të mëdhatë në Europë, me xhiro vjetore prej 11 miliardë euro, me projekte në shumë vende të Europës.
30/03/2010