BSH: “Importet rrezikojnë të rrisin inflacionin në vend”
Ambienti i jashtëm ekonomik me norma të larta inflacioni, përbën kërcënimin kryesor për të ndikuar në rritjen e çmimeve të konsumit, kryesisht nëpërmjet një shkalle të lartë transmetimi të çmimeve të importit. Ky është konkluzioni i dalë dje nga mbledhja e radhës e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili pasi analizoi zhvillimet e fundit në ekonominë vendase dhe atë të jashtme, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind. Në analizën e tij, Këshilli Mbikëqyrës kujdes të veçantë i kushtoi edhe balancës së rreziqeve në ekonomi. Njësoj si në mbledhjet e mëparshme, ai vlerëson se rreziqet për inflacion janë ende prezente, ndonëse me një probalitet më të ulët për t’u materializuar në 12 muajt në vijim. Treguesi i shitjeve për ekonominë gjatë tremujorit të parë të vitit 2008 është rritur me rreth 24për qind në terma vjetorë. Kontributi kryesor në këtë rritje ka ardhur nga aktiviteti tregtar, sektori i ndërtimit dhe ai i industrisë. Ecuria e ekonomisë është shoqëruar dhe me sinjale pozitive në tregun e punës. Norma e regjistruar e papunësisë arriti në 13.04 për qind, nga 13.2 për qind në fund të vitit 2007. Në tremujorin e parë të vitit 2008, deficiti i llogarisë korente u thellua më tej në 11.7 për qind të PBB-së. Në muajin qershor, inflacioni vjetor regjistroi vlerën 4 për qind duke u kthyer në kufirin e sipërm të intervalit të tolerancës së objektivit të BSH-së. Ashtu si në muajt e fundit, përsëri shifra mujore e inflacionit rezultoi negative, duke mundësuar një rënie të mëtejshme të normës vjetore. Gjatë muajit maj, kredia për sektorin privat u rrit me 42.2 për qind në terma vjetorë. Impulsin kryesor në rritjen e kredisë për sektorin privat e jep kredia për biznese, ndërkohë që kredia në valutë vazhdon të ruajë dominimin e saj në portofolin e kredisë, me një peshë prej 73 për qind. Kërkesa për likuiditet ka vazhduar dhe në muajin qershor. Mungesat janë plotësuar nëpërmjet ankandeve të marrëveshjeve të anasjellta të repos me afat 7-ditor. Norma mesatare e interesit për transaksionet njëditore, të cilat zënë dhe vëllimin kryesor, u rrit me 0.10 pikë përqindjeje në 5.99 për qind. Yield-et e letrave me vlerë nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme në tregun primar nga një muaj më parë. Në tregun e depozitave është vërejtur rritje e natyrës promocionale të normave të interesit për depozitat me afat në lekë dhe në euro. Ndërkohë që interesi mesatar për kredinë në euro është rritur lehtë, përqindja mesatare për kredinë në lekë ka pësuar një rënie që pasqyron dominimin e një grupi të vogël bankash të angazhuara në ofrimin e këtij produkti. Në muajt në vijim, inflacioni parashikohet të ndjekë një prirje në rënie duke iu afruar mjaft objektivit të BSH-së në fund të tremujorit të dytë të vitit 2009.
31 Korrik 2008