Investitorët nga BE-ja ballafaqohen me shumë sfida në Kosovë

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar u takua sot me përfaqësuesit e Investitorëve të BE-së në Kosovë. Qëllimi kryesor i takimit “Sfidat e investitorëve të BE-së në Kosovë” ishte diskutimi i problemeve dhe çështjeve me të cilat ballafaqohen investitorët e huaj gjatë investimeve në Kosovë, si dhe të kërkohen zgjidhje të mundshme për mënyrën e promovimit më të mirë të interesave të tyre.
Aty u identifikuan probleme të ndryshme që kanë të bëjnë kryesisht me sundimin e ligjit, ekonominë joformale dhe pengesat administrative, si dhe u diskutuan një numër zgjidhjesh të mundshme për promovim më efikas të interesave të investitorëve të BE-së.
Zhbogar konfirmoi angazhimin e Zyrës së BE-së për të dhënë mbështetje në një organizim më të mirë të investitorëve të BE-së dhe theksoi “vlerën e shtuar të një përfaqësimi më të mirë dhe më të fuqishëm të investitorëve të BE-së edhe për ekonominë e Kosovës, e cila ka nevojë për më shumë investime të huaja direkte”, transmeton RTK.
Rezultatet dhe propozimet e takimit do të vlerësohen bashkërisht në muajin e ardhshëm, përderisa Zyra e BE-së do të vazhdojë me monitorimin nga afër të trajtimit të investitorëve të vendeve të BE-së në Kosovë.