“Shtëpia e sigurt”, del e pasigurt për tri vajza

Ka më shumë se një javë që Burim Hasani nga Peja po e kërkon vajzën e tij të humbur. 15-vjeçarja kishte ikur nga shtëpia më 20 qershor, por vetëm një ditë më pas ishte gjetur nga policia. Pas marrjes në pyetje të vajzës Rr. H., ajo i kishte thënë policisë se arsyeja e ikjes nga shtëpia ka qenë dhuna familjare e ushtruar nga babai i saj. Më pas, me vendim të Zyrës për mbrojtjen e viktimave dhe përfaqësues të Entit Social, ishte vendosur që e mitura të dërgohet në një strehimore në Pejë.
Megjithëse quhej “Shtëpia e sigurt”, kjo nuk ishte treguar e tillë, pasi që vajza kishte arritur të ikë nga aty, madje bashkë me dy vajza të tjera, që gjithashtu ishin strehuar në këtë shtëpi. Nga momenti i ikjes më nuk dihet asgjë për fatin e saj. Babai tash po dyshon se ajo mund të jetë trafikuar.
Drejtoresha e “Shtëpisë së sigurt”, për shkak të konfidencës së strehimores, i ka thënë KTV-së se vajza ka arritur të ikë nga aty pasi ka mashtruar punëtorët e shtëpisë. Ndërkohë, prokurorja e rastit në Prokurorinë Themelore në Pejë, Lirie Morina ka thënë se rasti po hetohet dhe i është kërkuar Policisë së Kosovës marrja e masave urgjente për kërkimin e së humburës.
Policia Rajonale e Pejës thotë se po heton çdo detaj në këtë rast. Madje, edhe atë se si arriti të ikën e mitura nga strehimorja./Indeksonline/