Investitorët pakistanezë, dëshirë për të investuar në Shqipëri
Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në Stamboll, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Pakistanit, Syed Makhdoom Yousaf Raza Gillani. Në takim, të dy kryeministrat kanë rikonfirmuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe dëshirën e dy qeverive për intensifikimin e kontakteve në nivelet më të larta politike, si dhe për rritjen e bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe investimet e ndërsjella. Kryeministri Berisha dhe ai i Pakistanit, Gillani, ranë dakord të miratojnë kuadrin e plotë ligjor për bashkëpunimin ekonomik dhe garantimin e investimeve. Kryeministri Gillani tha se investitorët pakistanezë kanë shprehur interes të madh për të investuar në Shqipëri në fushën e industrisë së lehtë, si në prodhimet e lëkurës, tekstile dhe në farmaceutikë. Kryeministri i Pakistanit ka informuar Kryeministrin Berisha se së shpejti, një grup i madh investitor pakistanez, do të vizitojë Shqipërinë për t‘u njohur nga afër me potencialet e saj. Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Gillani u ndalën edhe në çështjet e zhvillimeve në rajon, veçanërisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Berisha u shpreh se njohja e pavarësisë së Kosovës është kusht themelor për sigurinë dhe paqen në rajon dhe se Pakistani mund të luajë një rol të rëndësishëm në njohjen e saj, duke inkurajuar edhe vendet e tjera mike.