E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria italiane zvarrit lejet e transportit

Ministria e Transporteve e Italisë ka dërguar, në adresë të Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Transportuesve Rrugore Ndërkombëtare, ANALTIR, një kontingjent prej 500 copë lejesh kalimi për nevojat e eksportuesve shqiptarë. Ky numër nuk përmbush nevojat e palës shqiptare, pasi kishte kërkuar dhjetëfishin e tyre. Lejet e transportit kanë mbërritur në Shqipëri, pas tre muajsh bllokimi nga pala italiane. Bizneset shqiptare ankohen për një tjetër fakt, i cili lidhet me kushtin e përdorimit të lejes së transportit. Në këto leje është vënë shënimi që ato përdoren vetëm për kamionët që shkojnë deri 100 km distancë nga porti ku ata zbresin. "Kjo është një tallje e hapur me sipërmarrësit shqiptarë në radhë të parë, distancat e kompanive homologe të të cilëve nuk janë kurrë më pak se 250 kilometra nga porti më i afërt", është shprehur Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve. Çështja ka marrë përmasa të mëdha, tri ditë më pas, kur vendin tonë e vizitoi ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini. Për këtë problem, bizneset kanë njoftuar instancat më të larta të qeverisë shqiptare, me shpresën e zgjidhjes sa më shpejt të bllokimit të lejeve. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, thekson se së pari bllokohen disa dhjetëra transportues që punojnë për aktivitetet e hapura nga investitorë italianë e ku janë punësuar mijëra qytetarë shqiptarë. "Qeveria shqiptare dhe ambasadori italian në Tiranë duhen të negociojnë në mënyrë të menjëhershme me autoritetet italiane për të shmangur këtë lojë me pasoja të ndonjë zyrtari të Ministrisë italiane të Transporteve", shprehet Dhoma.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›