E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Liberalizimi i vizave, qeveria gënjeu për qëllime elektorale

Partia Socialiste shprehu dje keqardhje për zërat skeptikë sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë. Deputeti Taulant Balla, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme pranë PS-së tha se "është për të ardhur keq që Shqipëria është ende në fazën e dialogut, ndërsa Serbia, Maqedonia madje edhe Bosnjë-Hercegovina do të mund t‘i ofrojnë qytetarëve të tyre mundësi udhëtimi pa viza". Sipas tij, i njëjti vlerësim negativ u nënvizua edhe dje nga ministri i Jashtëm çek në Tiranë. "Berisha dhe Basha duhet të kuptojnë se udhërrëfyesi për liberalizimin e sistemit të vizave është një dokument lehtësisht i monitorueshëm nga Komisioni Evropian dhe se nevojiten rezultate të dukshme, në mënyrë që kushtet e përcaktuara të skontohen nga lista e detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë", nënvizoi Balla. Ai sqaroi se kushti i sigurisë së dokumenteve të identifikimit nuk varet nga dita e nënshkrimit të kontratës me firmën fituese të tenderit për prodhimin e pasaportave biometrike, por nga ajo ditë kur konsullatat e vendeve "Shengen" në Tiranë do të jenë të bindura se çdo qytetar shqiptar posedon një dokument të vetëm identifikimi për të lëvizur jashtë Shqipërisë. "Berisha dhe Basha nuk mund dhe nuk duhet ta përdorin çështjen e liberalizimit të vizave për qëllime elektorale për të gënjyer shqiptarët, sepse vendimi për këtë çështje do të varet shumë nga cilësia dhe standardi i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009", shtoi Balla. Zgjedhjet e lira, insistoi ai, plotësisht demokratike dhe rotacioni normal i pushtetit, sipas vullnetit të votuesve, janë kushte të rëndësishme politike që një vend si Shqipëria duhet të përmbushë medoemos në këtë fazë të procesit integrues. Deputeti socialist kujtoi se marrëveshja e lehtësimit të vizave nga ana tjetër kërkon që për zbatueshmërinë e saj, palët e interesuara të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme respektimin e kësaj marrëveshjeje. "Më lejoni t‘ju informoj, se rastet e shkeljes së kësaj marrëveshjeje janë të shumta. Mesatarja e refuzimit të aplikimeve për viza është 23%, ku ka raste të veçanta që niveli i refuzimit shkon edhe në 38%", vlerësoi Balla. Ai shtoi se një ndër kushtet teknike për liberalizimin e plotë të vizave është që kjo mesatare e refuzimit të aplikimeve për viza të zbresë në 3% pra tetë herë më pak se sot. Balla konstatoi se Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë pothuajse indiferente përgjatë monitorimit të respektimit të Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave, për problemet konkrete të grupeve shoqërore që përfitojnë nga kjo marrëveshje. "Ministria e Punëve të Jashtme ka për detyrë të informojë qytetarët mbi Marrëveshjen për Lehtësimin e Vizave, por asnjë strukturë e veçantë në këtë institucion nuk funksionon si mbledhëse e shqetësimeve të qytetarëve kundrejt Komitetit të Përbashkët për Monitorimin e Respektimit të Marrëveshjes", u shpreh Balla. PS-ja thotë se u vendos kohë më parë një linjë telefoni dhe një adresë e-mail në MPJ për qytetarët, por askush nuk i di arsyet se pse ato u hoqën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›