E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu, të hënën vizitë në Shqipëri

Me ftesë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, ditën e hënë, më 3 nëntor 2008, vjen për një vizitë zyrtare treditore në Shqipëri, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, bënë të ditur burime të Zyrës së Shtypit të Presidencës. Sipas këtyre burimeve, Presidenti Sejdiu dhe delegacioni që e shoqëron do të zhvillojë bisedime zyrtare me Presidentin Topi në Pallatin e Brigadave. Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu do të shkëmbejnë mendime edhe për çështje të integrimit euroatlantik të dy vendeve, për bashkëpunimin rajonal, si dhe për perspektivën e të ardhmes së shtetit të ri të Kosovës në nismat rajonale. Të dy Presidentët do ndalen edhe në ecurinë e procesit të njohjes së Kosovës për të shtuar dhe koordinuar më mirë përpjekjet dypalëshe në këtë drejtim. Në ditën e parë të vizitës në Shqipëri, Presidenti Sejdiu do t‘u drejtohet me një mesazh deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe do të ketë takime të veçanta me Kryetaren e Parlamentit, znj. Jozefina Topalli dhe Kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Në ditën e dytë të kësaj vizite, Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu do vizitojnë segmentin Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës, që do lidhë Shqipërinë me Kosovën. Po në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri, Presidenti Sejdiu do të vizitojë qytetin e Shkodrës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›