Rama në Shkodër: Mos besoni më Jozefinën dhe Saliun
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi dje bashkëbisedimet me bujq e fermerë në Veri të vendit, në fshatin Reç i Ri të Komunës Velipojë. Gjatë dialogut të zhvilluar, mungesa e subvencionimeve nga shteti në bujqësi ka qenë një nga çështjet ku është vënë theksi më fort nga banorët atje. Rama u shpreh se kjo mungesë respekti për fjalën e dhënë nga qeverisja aktuale është e patolerueshme sidomos në Veri të vendit, ku varfëria dhe papunësia janë plagë më të thella dhe më të vështira. Rikthimi i mbështetjes financiare të qeverisë ka qenë një ndër premtimet që Rama u ka bërë banorëve të shumtë të fshatrave Reç i Ri dhe Kosmaç të Shkodrës. Politika të reja të mbështetjes në bujqësi ka premtuar Rama, duke nënvizuar paralelisht uljen e kostove të prodhimit bujqësor e blegtoral. "Kjo zonë, ky qark, i ka dhënë besim të pakushtëzuar PD-së, Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe gjithë kësaj kompanie politikanësh, që, me këtë besim, kanë bërë vetëm punën e tyre dhe jo punën tuaj", tha ai. Teksa shtoi se, ata kanë parë interesin e tyre dhe jo interesin tuaj, kanë shkuar vetëm në drejtimin ku janë përmbushur ambiciet për pushtet e pasuri dhe jo në drejtimin ku përmbushen ambiciet tona të përbashkëta. Unë mendoj, vijoi Rama, që ky besim i pakufizuar dhe i pakushtëzuar që u është dhënë njerëzve për shkaqe historike, nuk duhet t‘iu jepet më. "Historia na ka treguar se sa pak të mira dhe sa shumë të këqija mund t‘i vijnë një populli të ndarë për shkak të ideologjisë. Se sa pak të mira dhe sa shumë të këqija mund t‘i vijnë një populli, që, në kushtet e demokracisë prej 18 vjetësh, vazhdon të ecë i ndarë për shkak të së shkuarës", konstatoi Rama. Sali Berisha dhe Jozefina Topalli, insistoi ai, vijnë në Shkodër gjithmonë për t‘ju kujtuar se dikush e ka pasur gjyshin komunist dhe dikush të pushkatuar. "Në emër të kësaj kujtese, kanë kërkuar t‘ju mbajnë peng. Ndërkohë që unë kam ardhur këtu për t‘ju thënë se gjyshëritt‘ju prehen të qetë në banesën e fundit dhe t‘ju ndrijë shpirti aty ku janë", theksoi Rama.