E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Emigrantët me dokumente të falsifikuara të riatdhesohen"

Shqipëria dhe Italia nënshkruajnë Protokollin e Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me Qëndrim të Paautorizuar. Ky hap shënon plotësim kushti për autoritetet shqiptare që aspirojnë afrimin e rrugës drejt BE-së. Në praktikë, kjo procedurë, që është refuzuar nga një numër vendesh që të firmoset, ndikon drejtpërdrejt te mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët kanë paraqitur në Itali dokumente false dhe që tani e tutje do t‘i nënshtrohen një fshese. Kjo marrëveshje u bë e mundur gjatë vizitës së nënsekretarit të Brendshëm italian në Shqipëri, Alfredo Mantovano, u prit në një takim me ministrin e Brendshëm Nishani. Më pas, ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes u bë nga zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri. Ai evidentoi faktin e bashkëpunimit të suksesshëm të strukturave italiane dhe atyre shqiptare, si dhe theksoi qëndrimin e përbashkët të dy vendeve për zero tolerancë për faktorët kriminalë. Nënsekretarin Mantovano e priti edhe ministri i Drejtësisë Alibeaj, i cili e cilësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve si një marrëdhënie për minimizimin e faktorit kriminal. Mantovano shprehu se niveli i bashkëpunimit Shqipëri-Itali është frytdhënës, si dhe theksoi që kriminaliteti i të gjitha formave do të ndëshkohet rigorozisht. Puna bilaterale ndërmjet dy vendeve do të shtrihet edhe në përmirësimin e infrastrukturës së burgjeve ndërmjet dy vendeve. Alibeaj dhe Mantovano vunë në dukje problemin e të gjithë shqiptarëve të dënuar në Itali dhe që kërkohet ekstradimi i tyre në Shqipëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›