E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ipazziammo!

Është e vështirë që me fushatën reklamuese dhe seritë e debateve rreth filmit ‘Agora’ të Alejandro Amenabar dikush të mos ketë dëgjuar të paktën emrin Ipazia. Sidoqoftë, për ata që kanë pak informata rreth këtyre fakteve, do të them se në agun e shekullit të pestë pas Krishtit, në një perandori në të cilën edhe perandori tashmë është i krishterë, në një Aleksandri ku përleshen artistokracia e fundit pagane, pushteti i ri religjioz i përfaqësuar nga ipeshkvi Cirillo dhe një komunitet i gjerë hebraik, jeton dhe jep mësim Ipazia, filozofe neoplatonike, matematikane dhe astronome, shumë e bukur (thuhej) dhe e idolatruar nga nxënësit e saj. Një bandë parabalanësh, talebanë të krishterë të asaj kohe, milici personale e ipeshkvit Cirillo, i vërsulet Ipazias dhe, thënë fjalë për fjalë, e bëjnë copa-copa.

Veprat e Ipazias nuk janë ruajtur deri në ditët tona (ndoshta Cirillo i ka shkatërruar), vetëm pakëz dëshmi, si të krishtera ashtu pagane. Të gjitha e pranojnë se pak a shumë Cirillo e kishte njëfarë përgjegjësie. Për kohë të gjatë Ipazia mbeti e harruar, derisa u rivlerësua nga Seicento e tutje, e posaçërisht nga Iluministët, si martire e mendimti të lirë, celebruar nga Gibboni, Voltaire, Diderot, Nerval, Leopardi e kështu me radhë deri te Proust dhe Luzi, gjersa bëhet ikonë e feminizmit.

Filmi sigurisht nuk është i butë ndaj të krishterëve dhe ndaj Cirillos (edhe pse nuk i fsheh dhunat e paganëve dhe hebrenjve) e mënjëherë është përhapur zëri se fuqitë e errëta të reaksionit në pritë ishin duke e penguar qarkullimin e tij në Itali, ashtu që kishte filluar një nënshkrim prej mijëra firmash. Për aq sa kam kuptuar, distribuimi italian hezitonte bukur shumë ta fuste në qarkullim një film që ndoshta do të kishte nxitur kundërshtime të fuqishme nga ana katolike, duke e komprometuar qarkullimin, por ato nënshkrime e kanë bërë të vendosë ta provojë aventurën. Por s’është se dua të merrem me filmin (filmikisht i bërë mirë, pavarësisht disa anakronizmave që shihen qartë), përkundrazi me sindromin e komplotit që ka shpërthyer.

Duke lundruar në internet, kam gjetur sulme katolike, në të cilat protestohej kundër atyre që donin të tregonin vetëm anën e dhunshme të religjioneve (por regjisori përsërit se objektivi i tij polemik ishte fundamentalizmi i çdo lloji), por askush s’është përpjekur ta mohojë se Cirillo, që nuk ishte vetëm person i kishës po edhe personazh politik, kishte qenë i ashpër, si me hebrenjtë ashtu edhe me paganët. Nuk është e rastit nëse të shenjtë dhe doktor të kishës e ka shpallur, gati njëmijepesëqind vjet pas Luigjit XIII, një papë i obsesionuar nga paganizmi i ri i reprazantuar nga masoneria dhe liberalët priftngrënës që dominonin në Romën e kohëve të tij. Dhe është sikletosës celebrimi i Cirillos i bërë më 3 tetor 2007, nga papa Retzinger, i cili lavdëron “energjinë e madhe” të qeverisë së tij pa ha i harxhuar as dy rreshta për t’i larguar ato dyshime me të cilat e ngarkon rëndë historia.

Cirillo i vë në siklet të gjithë: në internet e gjej Rino Camillerin (tashmë përhapës i Sillabo) që për ta garantuar pafajësinë e Cirillos thërret në kauzë Eusebion e Cesareas. Dëshmitar i shkëlqyeshëm, veçse Eusebio kishte vdekur shtatëdhjetë vite para ndëshkimit të Ipazias, prandaj nuk kishte mundur të dëshmonte asgjë. Po them, nëse duhet të shpërthejë një luftë religjioni, të paktën le të konsultohet Wikipedia.

Por të kthehemi te komploti: në internet qarkullojnë lajme të ndryshme mbi censurën e bërë (nga kush?) për ta fshehur skandalin Ipazia. Për shembull, denoncohet se vëllimi tetë i 'Storia della filosofia greca e romana' i Giovanni Reale, (‘Historia e filozofisë greke dhe romake’), botuar nga Bompiani, kushtuar Neoplatonizmit, me informacione mbi Ipazian, është zhdukur në mënyre misterioze nga libraritë. Një telefonatë në Bompiani dhe më është sqaruar se është e vërtetë se nga të gjitha seritë e dhjetë vëllimeve, dy vëllimet e vetme të harxhuara (e që do të rishtypen) janë i shtati dhe i teti, sigurisht ngase prekin argumente si 'Corpus Hermeticum' dhe disa aspekte të neoplatonizmit dhe s’iu interesojnë vetëm atyre që merren me filozofi, por i kallin edhe të gjithë të patrutë që hallakaten pas shkencave okulte të vërteta apo të dyshimta. Po pastaj kam shkuar ta shikoj në raftet e mia këtë vëllimin tetë djallëzisht me nam dhe kam parë se Reale, i cili është një historian i filozofisë dhe merret vetëm me tekste të konsultueshme, ndërsa për Ipazian s’na ka mbetur gjë, ia dedikon Ipazias shtatë rreshta (po them shtatë) ku kufizohet të thotë atë pak gjë që tashmë dihet. E atëherë, pse të censurohet?

Por teoria e komplotit shkon përtej e gjithnjë në internet thuhet se janë zhdukur nga libraritë të gjitha librat mbi neoplatonizmin, gomarllëk që do ta bënte të qeshte çfarëdo studenti të vitit të parë të filozofisë. Shkurt, nëse doni të dini ndonjë gjë seriozisht rreth Ipazias, kërkoni në linjën 'enciclopediadelledonne.it' me një zë të thuktë të Silvia Coyaud rreth temës e, për diçka më erudite, kërkoni në 'Silvia Ronchey Ipazia' dhe do të gjeni bukë (të pacensuruar) për dhëmbët tuaj.

Shënim:
Ipazziamo – Mund ta konsiderojmë një neologjizëm të autorit. Është me gjasë shkrirje e emrit ‘Ipazia’ dhe fjalës ‘pazzia’ (çmenduri). Nënkupton, këtu, pra çmendjen nga debati që ka zgjuar filmi rreth filozofes Ipazia, por në radhë të parë vetë personaliteti i saj historik.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›