E Diel, 1 Nëntor 2026

Jona: Meshkujt shqiptarë e trajtojnë femrën si pronë

Jona përplaset me Jetmirin dhe Erionin teksa flasin për marrëdhëniet mes meshkujve dhe femrave. Sipas saj, meshkujt shqiptarë janë xhelozë, posesivë dhe e trajtojnë femrën si pronë. Mendimet e saj kundërshtohen nga djemtë, të cilët nuk kanë marrëdhënie të mira me Jonën

Ngjarjet e ditës janë vërtitur sërish në marrëdhënien që Jona ka me dy djemtë: Jetmirin dhe Erionin. Shpesh, ata bisedojnë me ironi kundrejt njëri-tjetrit, duke kaluar në debate dhe në shprehje të hapur të mospëlqimit. Ndërkohë kafshët brenda shtëpisë kanë sjellë momente gazmore, pasi banorët kanë menduar t’i veshin me rroba që i qepin vet.

Ngacmohen Erioni dhe Jona

Erioni dhe Jetmiri kërkojnë të bëjnë garë me lepujt dhe fillojnë që t’i ndjekin për t’i kapur. Pas mundimeve të shumta, djemtë më në fund kapin një lepur. Meqenëse ju duhen dy për të bërë garën, vihen në ndjekje të një tjetri. Ndërkohë Jetmiri kap një pulë dhe ia hedh Erionit mbi shpinë, duke e trembur. Pula e gërvisht Erionin, i cili fillon ta shajë atë. Jona i thotë Erionit se ai nuk ka përse të keqtrajtojë pulën, pasi nuk ishte ajo që e sulmoi. Sipas saj, dita e sotme në shtëpi ka qenë shumë e qetë dhe kjo gjë po bëhet e mërzitshme dhe flet me ironi për çdo fjalë që thotë Jetmiri. Erioni i thotë që “le të mundohet ajo ta bëjë ditën aktive, duke u marrë me diçka, ose duke hapur një diskutim apo debat”. Jona thotë se ajo, edhe kur u flet atyre, duket sikur ua ka me tendencë dhe largohen, duke nënkuptuar Jetmirin, i cili u largua për të shmangur debatin me të. Erioni e kundërshton duke i thënë se edhe nëse ajo nuk mund të flasë dot me banorët, mund të flasë me kafshët që kanë në shtëpi, ose mund të bëjë diçka kreative. Jona i përgjigjet se nuk mund të flasë me kafshët dhe në të njëjtën kohë, Erioni i sugjeron të luajë me to. Të dy vazhdojnë të flasin me ironi kundrejt njëri-tjetrit.

Veshin lepurin me fustan

Pas tentativës së dështuar për të veshur kalin, Jona dhe Domenika merren me përgatitjen e rrobave për kafshët e tjera, ashtu siç e menduan edhe më parë. Koha kalon dhe vajzat përgatisin veshjet për lepurin dhe majmunin. Jona përfundon së qepuri fustanin që do t’i veshë lepurit dhe del jashtë për të kapur “lepurushin e saj”. Pas disa minutash, Jona kap lepurin dhe shkon në sallon për ta veshur. Lepuri rri gjatë gjithë kohës i trembur dhe duke u dridhur nga frika nuk lëviz fare. Klodi që ndodhet aty ndihmon vajzën për të veshur lepurin sa më bukur. Jona pasi i vesh fustanin, i vendos lepurit në kokë edhe një kordele dhe më pas e lë të lirë. Lepuri del jashtë dhe përpiqet që të largojë rrobat nga trupi, ndërsa banorët e ndjekin me shikime, duke qeshur dhe komentuar sjelljen e kafshës.

Loja me puthje

Banorët vendosin që të bëjnë një lojë për t’u argëtuar. Fillimisht luajnë një lojë me puthje. Njërit prej tyre i lidhen sytë dhe të tjerët qëndrojnë përreth tij. Njëri nga banorët do ta puthë në faqe, ndërsa banori me sy të mbyllur do të gjejë se kush e puthi dhe nëse e gjen, ai do të jetë personi i radhës që do të lidhë sytë. I pari në lojë vendoset Klodi, i cili pas dështimit në gjetjen e puthjes së parë, gjen Jetmirin më pas. Jetmiri ulet dhe gjen Klodin, duke thënë se e gjeti ngaqë Klodi përdor një parfum të veçantë. Thënia e tij bëri që banorët ta ndërpresin këtë lojë, sepse secili prej tyre e ka një parfum të veçantë. Kështu ata vendosin që të luajnë një tjetër lojë. Banorët shkojnë në dhomën e gjumit dhe fillojnë të luajnë një lojë tjetër, duke i lidhur sytë njërit prej tyre, i cili duhet të kapë një banor e ta gjejë më pas se kush është. Këtë herë është Domenika e para që fillon lojën për të vazhduar më pas edhe banorët e tjerë. Pas një kohe të gjatë lojë, banorët ulen të qetësohen dhe fillojnë të komentojnë lojën, duke thënë se ishte shumë e bukur.

Kërkojnë të veshin majmunin

Domenika mbaron së qepuri veshjen për majmunin dhe del jashtë që t’ua tregojë edhe banorëve të tjerë. Banorët qeshin dhe Jetmiri kërkon që t’ia provojnë në moment majmunit, por banorët e tjerë i kërkojnë që ta lërë kafshën të qetë pasi është duke fjetur. Jetmiri këmbëngul dhe shkon te kafazi për të kapur majmunin. Kjo është e pamundur, pasi kafsha trembet dhe i largohet duarve të tij. Pas Jetmirit, edhe Erioni tenton që të nxjerrë majmunin nga kafazi, por edhe ai pa rezultat. Djemtë më në fund dorëzohen dhe e lënë majmunin në kafazin e tij, pa pasur mundësinë që ta vishnin.

Jona dhe Erioni flasin për dashurinë

Gjatë gjithë kohës, Jona ngacmohet me ironi me Jetmirin dhe Erionin. Jetmiri duket më i tërhequr dhe mundohet që ta shmangë duke u larguar sa herë që biseda shkon drejt një debati të sigurt. Ndryshe ndodh me Erionin. Ai i përgjigjet çdo ngacmimi dhe ironie të Jonës me të njëjtën monedhë. Bisedat rreth tyre zhvillohen duke përdorur shakanë si mjet për të kaluar situatat e ndryshme. Në një moment, Jetmiri i thotë Jonës se është bërë pis në fytyrë, për ta bërë atë që të shihet në pasqyrë dhe qesh me Erionin. Jona kur ulet i jep Erionit një qerpik dhe të dy bëjnë lojën e realizimit të dëshirës. Qerpiku i bie Erionit dhe Jona i thotë se ajo ia fali që në fillim, sepse tashmë i ka realizuar të gjitha dëshirat që ka pasur. Erioni i thotë se edhe ai i ka realizuar dëshirat e tij, por mendoi si dëshirë që të zinte një të dashur. Jona dhe Jetmiri e pyesin “pse s’ke të dashur ti?”. Erioni u thotë se e kishte fjalën për brenda shtëpisë. Erioni i thotë Jonës “si kam, si s’kam të dashur, nuk do të ndryshonte asgjë”. Jona vazhdon ta pyesë “po Bertinën nuk e ke të dashur ti?”. Erioni i përgjigjet “sigurisht që e kam”. Më pas Jona i thotë se Bertina do të mërzitej nëse ai do të kishte të dashur tjetër brenda shtëpisë dhe nëse do të kishte ai, edhe ajo mund të ketë një tjetër jashtë. Erioni i thotë se ajo nuk e di që ai apo Bertina e kanë problem këtë gjë. Kështu biseda e tyre zhvendoset në marrëdhënien e meshkujve me femrat e tyre dhe me të tjerët që i rrethojnë.

Jona: Meshkujt shqiptarë janë xhelozë

Jona, teksa ngacmon Erionin, i thotë se ai nuk është aq mendjehapur sa të lejojë që e dashura e tij të ketë një tjetër djalë përkrah jashtë. Kjo shprehje ka mjaftuar që në shtëpi të lindë një debat mes Jonës dhe djemve të shtëpisë. Jona u thotë djemve se meshkujt shqiptarë janë xhelozë dhe në përgjithësi e trajtojnë femrën që kanë përkrah si një pronë të tyre. Erioni dhe Jetmiri i thonë se ata nuk janë xhelozë, por nuk tolerojnë që dikush t’u ngacmojë të dashurën në prani të tyre. Jona thotë se kjo është e gabuar, pasi femra është e aftë të kthejë vetë përgjigje dhe nuk ka nevojë që të përfundojnë meshkujt në dhunë fizike. Djemtë thonë se është më se normale që ata të reagojnë nëse dikush ngacmon femrën që ata kanë përkrah. Jona e përkrahur nga Klodi u thotë se meshkujt shqiptarë janë shumë krenarë, protektivë ndaj femrës dhe jo mendjehapur që të veprojnë në mënyra më paqësore. Erionit dhe Jetmirit u bashkohet edhe Mandi i cili u jep të drejtën meshkujve. Ai thotë se meshkujt shqiptarë në përgjithësi nuk ngacmojnë femra që janë të shoqëruara dhe nëse kjo ndodh është më se normale që të mbrosh gjënë tënde. Djemtë sjellin shembuj nga më të ndryshmit për t’i treguar vajzës se raste të tilla ndodhin dhe jo vetëm me shqiptarët.

Debati i ashpër mes Jonës, Jetmirit dhe Erionit

Banorët qëndrojnë në kopsht, duke pyetur njëri-tjetrin se ku do të donin t’i kalonin pushimet e më pas bisedojnë se për sa kohë mund të bëhet rruga Tiranë-Vlorë e më pas Sarandë dhe Erioni u tregon se verën që kaloi, ai ka arritur për katër orë në Sarandë dhe Mandi çuditet e i thotë se duhet të ketë ecur shumë shpejt dhe Erioni shton se ishte hera e tretë që e bënte atë rrugë brenda një jave. Erioni u tregon se ecën shumë shpejt me makinë dhe Jona shprehet se ky është budallallëk e jo trimëri, dhe Erioni i përgjigjet se është adrenalina që e udhëheq. Jona shprehet se nuk është e lejuar që të ecësh kaq shpejt dhe Erioni shprehet se dhe atij i bën çudi që Jona është hedhur nga ura dhe ajo përgjigjet se ky është një sport ekstrem që ka siguri. Jona shprehet se ai, duke ecur me shpejtësi të madhe, vë në rrezik jetën e njerëzve të tjerë, por ai thotë që është i kujdesshëm në makinë dhe Jetmiri ndërhyn dhe shprehet se ekziston një patentë që lejon të ecurit me shpejtësi. Jona thotë se ky është budallallëku më i madh që ka dëgjuar, gjë që e acaron Jetmirin. Jona i thotë Erionit se ai po jep shembull të keq duke deklaruar se ecën me shpejtësi të madhe, sepse ka adrenalinë të lartë dhe Erioni përgjigjet se Jona po e ekzagjeron. Më pas Jona i thotë Jetmirit se të gjitha informacionet që thotë ai janë të keqinterpretuara dhe sapo të dalë, ajo do të kërkojë në internet për vërtetësinë e tyre. Ajo i kthehet përsëri Erionit, duke e qortuar pse ecën shpejt dhe ai i thotë se ajo po sillet si shenjtore. Jetmiri i thotë Jonës se asaj i ka ardhur rasti të mësojë nga ai dhe ajo shprehet se është e rrethuar nga njerëz të zgjuar dhe nuk ka nevojë që të mësojë nga ai. Jetmiri shton se ajo imiton të huajt elitarë e të zgjuar dhe Jona përgjigjet se Jetmiri është shumë mendjengushtë. Më pas, Jona i thotë Erionit se ai ka një krenari idiote, ndërsa Erioni përgjigjet se Jona duhet t’i masë fjalët. Jona i thotë Jetmirit se sa më shumë njeh Jetmirin, aq më tepër i shtohet respekti për njerëzit që ajo njeh.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›