Ipeshkvijtë e Anglisë e Uellsit te Papa: Katolikët të impenjuar në dëshmimin e fesë në shoqëri
Papa Benedikti XVI priti dje paradite në Vatikan, grupin e parë të ipeshkvijve katolikë të Anglisë e Uellsit, me rastin e vizitës që bëhet çdo pesë vjet pranë Selisë Apostolike të Shën Pjetrit në Vatikan, e që njihet me emrin vizita “Ad Limina Apostolorum”. E sivjet kjo vizitë merr një domethënie të veçantë, në kuadrin e udhëtimit apostolike që Benedikti XVI do të bëjë në Britani të Madhe në shtatorin e ardhshëm. Kujtojmë se Kisha lokale ka 5 kryedioqeza e 17 dioqeza. Besimtarët katolikët janë pak më shumë se 5 milion, baras me 8,9% të popullsisë. Sot grupit të ipeshkvijve në audiencë te Papa, i prini kryeipeshkvi i Westminsterit, imzot Vincent Gerard Nichols, president i konferencës ipeshkvnore të Anglisë e Uellsit. Imzot Nichols flet në mikrofonin e Radio Vatikanit mbi sfidat aktuale që ka Kisha katolike në Angli. “Një anketë e bërë kohëve të fundit na paraqet një bashkësi më të përzier, më komplekse dhe regjistron një rritje numerike për çka nuk ishim plotësisht të vetëdijshëm. Një tjetër gjë që në këtë periudhë bie në sy është fakti se jeta fetare është më shumë e dendur nëpër qytetet më të mëdha (..) se në zonat fshatare të Vendit, ku numrat janë në ulje e meshtarët janë duke u plakur, prandaj kemi edhe vështirësi të ndryshme. Një tjetër element, që mendoj se anketa ka treguar, është fakti se po të bënim një krahasim me popullsinë tjetër të Vendit, katolikët janë më shumë të impenjuar në çështjet e drejtësisë e të drejtësisë shoqërore. E ky element për ne është inkurajues, sepse është shprehje konkrete e mësimeve shoqërore të Kishës dhe dëshmon që përtej vështirësive tashmë të njohura, kemi edhe shumë histori tjera të suksesshme për t’i treguar e ofruar si shembull të mirë”. Lidhur me shprehjen e tij se Britania e Madhe “ia ka shitur shpirtin e vet diturisë shkencore e materializmit në dëm të fesë”, ai shprehet: “Shoqëria britanike është mjaft komplekse. Disa institucione kyçe siç janë shpesh universitetet, apo herëve tjera aparaturat apo sistemet e qeverive më veprimtarinë e tyre legjislative, përqendrohen pothuaj vetëm e vetëm mbi të dhënat e prodhimit e të përfitimit, e unë mendoj se kjo nuk e pasqyron ndjenjën e përbashkët të qytetarëve. Mendoj se në këtë Vend gjithnjë më tepër është duke dalur në pah një pasiguri mbi natyrën e vet shoqërisë që duam ta kemi, një shoqëri në të cilën duhen të jenë vlerat e vërteta për t’u respektuar, ndjekur e mbi të cilat duhet ndërtuar e mbështetur identitetin e qartë e të thellë. Në këtë pasiguri e paqartësi, feja në Zotin na ndihmon të jetojmë e të jemi të fortë, sepse na ofron një dritare drejt trashendencës e bindjes së plotë se nuk dimë e as nuk kontrollojmë gjithçka në jetë. Mbi këto e tema tjera siç është mbrojtja e jetës deri në vdekjen natyrore, bioetika, eutanazia e tjera, ne si Kishë mundohemi të ofrojmë ndihmesën dhe të luajmë deri në fund rolin tonë në debatin publik. Pra duhet të veprojmë në nivele të ndryshme në shoqëri duke ofruar dritën e fesë që përkon me dritën e arsyes”. Pra katolikët janë të impenjuar në dëshminë e fesë e të vlerave të patjetërsueshme në kompleksitetin e shoqërisë britanike.Bashkimi i të krishterëve dhe shumëllojshmëria e karizmave në qendër të fjalëve të Papës në Engjëllin e Tënzot/Lutja për bashkimin e të krishterëve dhe pasuria e karizmave brenda Kishës ishin temat mbi të cilat reflektoi dje Papa në Engjëllin e Tënzot. Një mendim, edhe për shën Françeskun e Sales dhe për meshtarin martir katalan, që u shpall i Lum në Barcelonë. Duke komentuar Letrën e parë të Shën Palit drejtuar Korintianëve, Benedikti XVI i ftoi të gjithë të reflektojnë mbi faktin se Kisha nuk është një organizëm uniform. Apostulli i Popujve e krahason me trupin e njeriut, që “është një i vetëm, por ka shumë gjymtyrë”. Ati i Shenjtë shpjegoi se Kisha paraqitet si një organizëm i pasur e jetësor, fryt i një Shpirti të vetëm, që i udhëheq të gjithë drejt bashkimit të thellë. Kisha përmban në vetevete karizma të ndryshme, duke krijuar gjithsesi një bashkësi të harmonishme, që zgjat në histori praninë e Zotit të ngjallur. Këtu qëndron shenjtëria e saj, tha Papa:“është pikërisht në Krishtin e në Shpirtin e Hyjit, që Kisha është një dhe e shenjtë, pra një bashkim intim, që shkon përtej aftësive njerëzore dhe i mbështet ato”. Këto reflektime morën rëndësi të veçantë në mbyllje të javës për bashkimin e të krishterëve, me kremtimin tradicional të Mbrëmësores së sotme, kryesuar nga Benedikti XVI, në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës. Duke folur dje për këtë takim të rëndësishëm, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Kishave të tjera të krishtera, Papa theksoi: “Do t’i lutemi Zotit për dhuratën e bashkimit të plotë të të gjithë dishepujve të Krishtit e, në veçanti, sipas temës së këtij viti, do të përtërijmë impenjimin për të qenë sëbashku dëshmitarë të Hyjit të kryqëzuar e të ngjallur (cfr Lk 24,48). Me të vërtetë, bashkimi i të krishterëve e bën më të besueshme dhe më të frytshme shpalljen e Ungjillit, siç pohoi vetë Jezusi duke iu lutur Atit në prag të vdekjes: “Të gjithë të jenë një gjë e vetme…që bota të besojë”. Më pas, Benedikti XVI kujtoi figurën e shën Françeskut të Sales, i cili u përkujtua dje: “Iu përkushtua me sukses të madh predikimit dhe formimit shpirtëror të besimtarëve, duke u mësuar se thirrja për shenjtëri është për të gjithë dhe se secili – siç thotë Shën Pali në krahasimin me trupin – ka vendin e tij në Kishë”.Shën Françesku i Sales është pajtor i gazetarëve dhe i shtypit katolik, prandaj Papa ia besoi atij Mesazhin për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, paraqitur dje në Vatikan. Pas lutjes mariane, një mendim për meshtarin martir katalan Hosè Samso I Elias, vrarë gjatë luftës civile në Spanjë e shpallur dje i Lum në Barcelonë: “Si dëshmitar i vërtetë i Krishtit, vdiq duke i falur persekutuesit. Për meshtarët, sidomos për famullitarët, ai është model përkushtimi në katekizëm e në bamirësinë për të varfërit”. Në përshëndetjet në gjuhë të ndryshme, ftesa për t’u lutur për bashkimin e të krishterëve dhe për të qenë bujarë me dhuratat që na bën Zoti, duke kujtuar se Hyji do që t’i shërbejmë, të bashkuar në fe.Marrë nga Radio Vatikani...