Sondazhi në BW: Pezullimi i Paktit Detar, një nga prioritetet e vitit 2010
TIRANE-Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar marrëveshjen e qeverisë shqiptare me atë greke për përcaktimin e kufirit në ujrat detare përkon edhe me votën e lexuesve të agjencisë së lajmeve, BalkanWeb. Në sondazhin me temë “Cilin konsideroni prioritet kryesor të vitit 2010?”, votuesit ndër 10 prioritete, kanë preferuar të votojnë me shumicë votash prioritetin e quajtur, “Anulimin e Marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë”, duke konsideruar kështu 1 ndër 3 prioritet kryesore, pas asaj për liberalizimin e vizave, hapjen e kutive dhe funksionimin e “Një shteti në shërbim të qytetareve”. Konkretisht ky prioritet rrëmbeu 10.12% e votuesve në 3 141 vota gjithsej deri paraditen e sotme 27 Janar. Ndërkohë shumë lexues kanë zgjedhur të komentojnë direkt lajmin në BalkanWeb duke falenderuar gazetarët për denoncimin që i bënë Marrëveshjes së fshehtë që cënonte ujrat territoriale shqiptare, Gjykatën Kushtetuese që vendosi më të drejtë, kolonelin Myslym Pashaj duke zgjuar njëherësh ndjenja patriotizmi të flakta ndaj atdheut. Sondazhi “Cilin konsideroni prioritet kryesor të vitit 2010?” qëndron që në fillim të muajit Janar në faqen e BalkanWeb, duke kërkuar mendimin e vizitorëve të faqes online reth temës. Gazeta Shqiptare” dhe TVNews24 kane qenë te parët në vendin tonë që arritn të zbardhin qysh në 28 prill 2009 (dita e nënshkrimit të paktit nga Basha-Bakojanis) faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Në disa numra rresht, GSH vërtetoi asokohe se qeveria Berisha i kishte dhuruar Greqisë nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje një sipërfaqe të madhe ujore në detin Jon. Fakti i pretenduar do të vërtetohej vetëm pak muaj më vonë nga ish-drejtori i Institutit të Tipografisë Ushtarake të Shqipërisë, koloneli Myslym Pasha. Në datën 9 nëntor 2009, Gjykata Kushtetuese filloi zyrtarisht procesin e shqyrtimit të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste dhe disa javë më vonë e konkretisht në datën 26 nëntor 2009, Gjykata Kushtetuese vendos të pezullojë procedurat e ratifikimit në Kuvend, të marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. (d.b/BalkanWeb)