Vula e Ismail Qemalit në themelimin e shtetit shqiptar
Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemali” si dhe bashkia e Vlorës kanë organizuar në qytetin bregdetar një konferencë shkencore për aktivitetin politik të Ismail Qemalit, në të cilin referuan intelektualë dhe akademikë të njohur“Ismail Qemali-themeluesi i shtetit shqiptar”. Me këtë temë në qytetin ku u ngrit flamuri është mbajtur sesioni shkencor, organizuar nga Instituti i Studimeve politike “Ismail Qemali” me drejtues Dr Bujar Leskaj dhe bashkia e qytetit të Vlorës. Bujar Leskaj, Drejtori i këtij Instituti, në fjalën hapëse tha: “Vlora ka vulën e vet për ngjarjet madhore të kombit, por ngjarja më madhore mund të cilësohet Pavarësia. Personalitet i padiskutueshëm i saj është Ismail Qemali, diplomat, politikan i përmasave evropiane. është folur dhe do të flitet në çdo përvjetor për kontributin e plakut të Vlorës në shërbim të çështjes kombëtare”. Ish-ministri i kulturës tha se në përvjetor të 100-të të Pavarësisë ky Institut do të shpallë konkurs për vendosjen e bustit të Ismail Qemalit në Tiranë, Prishtinë apo në Shkodër dhe kontributi financiar do të jetë i anëtareve të këtij instituti.Dr.Arben Puto, ne kumtesën kryesore u mbështet tek Kujtimet e Ismail Qemalit. Prof Puto tha ndër të tjera se Ismail Qemali është një burrë shteti dhe diplomat i klasit të lartë, njohës i mirë i vështirësive të brendshme të Perandorisë, njohës i thellë i çështjes Lindore, çështjes qendrore të politikës së Fuiqve të Mëdha në çerekun e fundit të shekullit XIX. “Figura e I.Qemalit nuk del aspak e cënuar si një figurë qëndrore në historinë e Shqipërisë. çdo ngurrim, çdo rezervë në adresë të tij si burrë shteti dhe diplomat osman është pa vend. S’mund të injorohet kjo vepër, ky bagazh politik gjysmë shekullor me arsyetimin se ai nuk i përket organizatorit te Pavarësisë”. Prof .Dr Kaliopi Naska, dekane e shkencave politike të universitetit ‘Illyria” në kumtesën “I.Qemali mbi formën dhe ndërtimin administrativ të shtetit shqiptar” tha ndër të tjera: “I.Qemali është personalitet historik me nje veprimtari politike të begatshme dhe tepër komplekse. Kjo veprimtari poliedrike pushton një periudhë gati 60-vjeçare me lëvizje të armatosura, me luftë parlamentare me kryengritje çlirimtare, me batica a zbatica të vrullshme në të cilat ai ka qenë pjesëmarrës mjaft aktiv në luftë si ideolog si udhëheqës, si organizator e si diplomat”. Duke shqyrtuar Shpalljen e Pavarësisë, Prof Naska tha se Kryetarit dhe qeverisë i dolën detyra të mëdha për organizmin e shtetit dhe ngritjen e administratës shtetërore, sigurimin e njohjes ndërkombëtare të Shqipërisë dhe të kufijve të saj që përfshinë trevat banuara prej shqiptarëve. Prof Naska vërejti se Kuvendi Kombëtar u kufizua me Shpalljen e Pavarësisë dhe me zgjidhjen e qeverisë dhe të pleqësisë. Ai nuk morri në shqyrtim çështjen e formës së qeverisjes së shtetit shqiptar. Prof Naska i jep përgjigje edhe pyetjes që ishte shtruar kur shumica e aktivistëve të Rilindjes ishin për shtetin monarkik, ku në fakt të gjitha shtetet ballkanike ishin monarki, por personalitete politike të kohës dalloheshin nga mënyra se si e konceptonin monarkinë absolute apo parlamentare .Shqipëria thotë Prof Dr K.Naska që nga fundi i vitit 1912 i kishte elementët e një organizmi shtetëror të pavarur, siç janë qenia e një popullsie të caktuar në një territor të caktuar dhe e një pushtetit publik që ai e drejton atë. Idetë për mënyrën organizmit të vendit ai i kishte shfaqur para shpalljes së pavarësisë. Në atë kohë duke parashikuar vështirësitë që do të ndeshnin në organizmin e një pushtetit të përqendruar ai kishte shprehur - thotë Prof Naska - edhe mendimin për ndarjen në kantone sipas shembullit të Zvicrës por kjo pikëpamja rezultoi jo e drejtë për shkakun se duke jetuar jashtë vendit i dha rëndësi peshës që ushtronin në jetën e brendshme të popullit shqiptar dallimet e tij krahinore dhe fetare. Studuesi Fahri Shaska solli momentet e varrosjes së Ismail Qemalit. Kur në 24 janar 1919 vdiq I. Qemali djemtë e tij njoftuan prefektin e Vlorës S.Qemali dhe kryetarin e Bashkisë Ali Asllani. Trupi i Ismail Qemalit u soll nga Peruxhia në Vlorë. Ishte vendosur në një karrocë me 8 kuaj, e zbukuruar me lule kurse anash rrethohej me badigardë italianë të cilët mbanin të pushtuar qytetin. Kishte dalë e gjithë Vlora, nga çdo familje kishte një pjesëtar në këtë përcjellje të plakut të Vlorës. Arkivoli ishte i mbuluar me flamur italian. Kur Ali Asllani që kishte qenë sekretar i tij dhe kishte nënshkruar edhe aktin e dorëheqjes së I.Qemalit ndërhyn tek ushtarët italianë për ta hequr flamurin italian dhe ushtarët e Gjeneral Piacentinit refuzuan, prefekti Seit Qemali kërkon nga turma një flamur shqiptar, e merr dhe ndërhyn mes ushtarëve, heq flamurin italian dhe e mbështjell arkivolin me flamurin shqiptar. Kolona e përmortshme shoqërohej nga djemtë e tij, banda frymore dhe nxënësit e shkollave. Nga sheshi i Skelës zbriti arkivoli deri tek tregu i madh, ku turma qëndroi. Aty patriotët Qazim Kokoshi dhe Jani Minga mbajtën fjalimet e tyre kushtuar Ismail Qemalit. Pas kësaj, kortezhi u drejtua për në fshatin e lindjes në Kaninë. Burri i shquar u varros në tyrben e fisit Vlora të ngritur nga Sinan Pasha në distancë 8 metra nga trupat e tjerë. Në vitin 1932 me një vendim të parlamentit trupi i Ismail Qemalit prehet në lulishten e Flamurit. ...