E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ipeshkvijtë e Evropës në mbrojtje të Kryqit: “Simbol identiteti e tradite”

Në prag të seancës së parë të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, që do të mbahet më 30 qershorin e ardhshëm, lidhur me ankesën për prishje vendimi, paraqitur nga Italia, e cila kërkon t’i njihet e drejta për ta ekspozuar Kryqin në vende publike, në mbarë Evropën vijojnë të ngrihen zërat i ipeshkvijve, që bëjnë thirrje për vëmendje ndaj ndjenjave fetare të popullsive e traditave të kombeve. Zëri më i freskët, që u dëgjua sot, është ai i ipeshkvijve bullgarë, të cilët theksojnë: “Askush nuk mund të dyshojë se rrënjët e Evropës janë të krishtera e se qytetërimi evropian ekziston falë krishterimit”.
Sipas prelatëve bullgarë, kryqi nuk është mjet që imponohet, por shprehje e dashurisë më të thellë, e solidaritetit më të vërtetë, e miqësisë më të madhe me të gjithë njerëzit, pavarësisht nga feja, raca, kombësia. Prandaj, lexohet më tej në deklaratën e Konferencës ipeshkvnore bullgare, i nxisim të gjitha shtetet me zanafillë e traditë të krishterë, të mos e mohojnë praninë e ekspozimin në vende publike të simboleve tradicionale të krishtera, si kryqi e ikonat, posaçërisht në shkolla, ku formohen dhe edukohen fëmijët e Evropës.
Fjalët e ipeshkvijve bullgarë i bëjnë jehonë atyre që përdori Konferenca ipeshkvnore greke, pak orë më parë: “Një pakicë nuk mund e nuk duhet ta pengojë shumicën dërmuese të ushtrojë fenë e vet, sipas traditave të popullit”.
Në të njëjtën mënyrë, as mazhoranca nuk duhet t’i pengojë minorancat. Respekti reciprok për traditat e ndryshme, lexohet akoma në komunikatën e ipeshkvijve grekë, është tejet i nevojshëm për funksionimin e shoqërive me shumë kultura. Sipas ipeshkvijve helenikë, dënimi i Italisë është fillimi i një sërë procedurash, që përvijohen në horizont, e që kanë të bëjnë me refuzimin e disa prijësve politikë e përfaqësuesve të bashkësisë evropiane, për të njohur, në Kushtetutën kontinentale, rrënjët e krishtera të Evropës.
Me tone të ngjashme flet për këtë problem të mprehtë edhe kardinali Keith O’Brien, kryetar i Konferencës së ipeshkvijve skocezë: “Kryqi nuk është imponim i fesë së krishterë; përkundrazi, është shenjë e solidaritetit të krishterë e ftesë për miqësi me të gjithë popujt. Evropa është kontinent pluralist, me shumë kultura, në të cilin Kisha e Shteti janë të ndarë e të drejtat e besimtarëve dhe të jo besimtarëve duhen respektuar. Por ta respektosh dallimin e Shtetit nga Kisha, nuk do të thotë të mohosh traditat kulturore të kombeve tona. Ndërsa jemi në pritje të vendimit të Gjykatës, thotë në përfundim prelati skocez, duhet të kemi mirë parasysh pasojat, që mund të ketë ky vendim. Trashëgimia e çmuar fetare e shumë njerëzve e kombeve të mbarë Evropës, ashtu si dhe vlerat e tolerancës e të lirisë së fesë, që duhen mbrojtur në shoqëritë demokratike, janë në rrezik!
Gjithnjë dje, edhe Konferenca ipeshkvnore e Shqipërisë ngriti zërin për të mos e ndaluar ekspozimin publik të simboleve fetare, posaçërisht në vende ku formohen mendjet e zemrat, duke pasur mirë parasysh se këto simbole nuk pengojnë, as nuk dëmtojnë njeri. Në deklaratën, nënshkruar nga zevendës-kryetari i Konferencës ipeshkvnore shqiptare, imzot Anxhelo Masafra, shpjegohet se në kulturën e në traditën e krishterë, kryqi është simbol i shpëtimit dhe i lirisë për mbarë njerëzimin, shkalla më e lartë e dhurimit të vetvetes, e solidaritetit të thellë dhe e bujarisë, të vënë në shërbim të të gjithëve. Edhe në kushtet e jetesës shumetnike e shumëfetare - nënvizon teksti - çdo komb ka të drejtën-detyrë t’i mbrojë shenjat fetare e simbolet tipike për kulturën e tij.Më 30 qershor, përpara Dhomës së madhe të Gjykatës evropiane, qeveria italiane do të pëpiqet ta hedhë poshtë vendimin, me të cilin Dhomat e organizmit dënuan, më 3 nëntorin e kaluar, Italinë, për ekspozimin e Kryqit në shkolla!
Papa në audiencën e përgjithshme: në se mohohet ligji natyror, i hapet rruga relativizmit etik dhe totalitarizmit/E vërteta është e kapshme nga arsyeja njerëzore. Feja e arsyeja, edhe pse ecin në rrugë të ndryshme të njohjes, përkojnë me njëra-tjetrën. Këtë nënvizoi sot Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke e përqendruar katekizmin tek figura e Shën Tomës së Akuinit. Ndryshimi ndërmjet fesë e arsyes, shtoi Papa, siguron pavarësinë e shkencave humane nga ato teologjike. Por një autonomi e tillë nuk duhet parë si ndarje, përkundrazi, si bashkëpunim reciprok, nga i cili mund të përfitojnë të dyja palët. Duke folur për figurën e Shën Tomës, Benedikti XVI u ndal në mënyrë të posaçme tek mësimet dhe tek metoda teologjike e Akuinasit, bazuar mbi përpjekjen për të dalluar lidhjen e të vërtetave të fesë së krishterë me ndihmesën e arsyes njerëzore, gjithnjë të ndriçuar nga feja”: “Feja e fuqizon, e integron, e ndriçon trashëgiminë e së vërtetës, të fituar nga arsyeja njerëzore. Besimi që ka Shën Toma në këto dy mjete të njohjes, në fenë e në arsyen, mund të jetë pasojë e bindjes se të dyja vijnë nga i njëjti burim i të gjitha të vërtetave, nga Logos, nga Fjala hyjnore, që vepron si në mjedisin e krijimit, ashtu edhe në atë të shëlbimit”.
Ati i Shenjtë, duke shpjeguar mësimin e Shën Tomës, kujtoi fushat e fesë e të arsyes: “Arsyeja, tha, e pranon të vërtetën, në sajë të qartësisë së saj vetjake, të tërthortë ose të drejtpërdrejtë. Feja, shtoi, e pranon të vërtetën, mbi bazën e autoritetit të fjalës së Zotit, që zbulohet. Nuk ka ndarje, por bashkëpunim reciprok e fitimprurës: “Feja, në të vërtetë e mbron arsyen nga çdo tundim mosbesimi në aftësitë e veta, e nxit të hapë horizonte gjithnjë më të gjëra, i ngjall dëshirën për kërkimin e themeleve e, kur arsyeja vetë hyn në sferën e mbinatyrshme të lidhjes ndërmjet Zotit e njeriut, e pasuron atë”.
Por, kur themi se feja e ndihmon arsyen, duhet të kemi parasysh edhe ndihmesën që i jep arsyeja fesë: “Edhe arsyeja, me mjetet e saj, mund t’i japë ndihmesë të rëndësishme fesë, duke i bërë shërbimin e trefishtë, të cilin Shën Toma e përmbledh në parathënien e komentit të tij mbi ‘De Trinitate’ të Boecios, ku thekson: “Të vërtetohen themelet e fesë; të shpjegohen me anën e similitudave, të vërtetat e fesë; t’u jepet përgjigje vërejtjeve, që bëhen kundër fesë”.
E gjithë historia e teologjisë së krishterë, vërejti Papa, në fund të fundit s’është tjetër, veçse ky impenjim i mendjes, që tregon se gjuha e fesë është e kuptueshme e se ajo është e aftë të japë ndihmesën e vet, për të mirën e njeriut. Mirëkuptimi ndërmjet arsyes njerëzore dhe fesë së krishterë vërehet edhe tek një parim tjetër themelor i Akuinasit: “Hiri hyjnor nuk e bën në asgjë, por e pranon dhe e përkryen natyrën njerëzore”: “Hiri, i dhuruar pa kursim nga Hyji e i komunikuar përmes Misterit të Fjalës së mishëruar, është një dhuratë, që na bëhet krejt falas, përmes së cilës natyra shërohet, fuqizohet e ndihmohet të vijojë përpjekjen për të realizuar dëshirën, që lind në zemrën e çdo burri e të çdo gruaje: lumturinë!” .Hiri, shtoi Papa, e shoqëron, e ndihmon e i jep shtytje impenjimit etik. Të gjithë njerëzit, besimtarë e jo besimtarë, janë të thirrur t’i njohin kërkesat e natyrës njerëzore, të shprehura në ligjin natyror, e të frymëzohen prej tij. Në rast të kundërt, në historinë e njerëzimit do të krijohen skena dramatike: “Kur ligji natyror e përgjegjësia, që lidhet me të, mohohen, hapet dramatikisht rruga drejt relativizmit etik në planin individual, e drejt totalitarizmit të Shtetit, në planin politik. Mbrojtja e të drejtave universale dhe afirmimi i vlerës absolute të dinjitetit të njeriut, kërkojnë me ngulm një bazë. A s’është ligji natyror kjo bazë, me vlerat e veta të padiskutueshme?”.
Duke kujtuar atë, që shkruan Gjon Pali II në Evangelium Vitæ, Benedikti XVI nënvizoi se “për ardhmërinë e shoqërisë e për demokracinë e vërtetë është urgjente të rizbulohen vlerat njerëzore e morale, thelbësore e të lindura, vlera të cilat asnjë individ, asnjë mazhorancë e asnjë shtet nuk mund t’i krijojë, t’i modifikojë, as t’i shkatërrojë, në sa duhet t’i pranojë, t’i respektojë e t’i promovojë”. Ati i Shenjtë, duke pasur gjithnjë parasysh thellësinë e mendimit të Akuinasit, kujtoi, në fund, lutjen, përmes së cilës Shën Toma i kërkon Zotit: “Më jep, o Zot, vullnetin që të të kërkoj, dijen që të të gjej, jetën që të pëlqen, këmbënguljen që të pres me besim e besimin se në fund të fundit do të të njoh”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›