E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profania si standard drejtësie

Juristët pa jurisprudencë

“Kudo vendos vetëm paraja?” Absolutisht jo. Kjo është përgjigja që solli ontologjikisht operacioni i policisë i koduar “Juristi”. Janë katër persona të arrestuar nga policia, të akuzuar se në këmbim të shumës së parave siguronin diploma false të Fakultetit të Drejtësisë. Në cilësinë e provave materiale u gjetën dhe u sekuestruan; Diplomë e Fakultetit të Drejtësisë e plotësuar; Listë notash e plotësuar; Shuma prej 7000 eurosh (në këmbim te një diplome) dhe një sërë dokumentesh të ndryshme, si certifikata, fotografi, dokumentacion pronash, vula etj. Të ndaluarit akuzohen për veprat penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshme ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim dokumentesh”, “Falsifikim dokumentesh shkollore dhe falsifikimi i formularëve në bashkëpunim”. Një punë e mirë e shërbimeve investiguese dhe e policisë së shtetit sepse edhe në gjërat e vogla duhet të ketë drejtësi.
Ky operacion kirurgjikal policor krahas punës ndaluese të policisë tregoi një tjetër paradoks shqiptar, atë të shitjes së diplomave të Juridikut (fakulteti i Drejtësisë), në një nga lagjet e Tiranës radichal-chic. Dhe çudia nuk është pagesa 7 mijë euro, por angazhimi i klientit që blinte këtë “produkt” në tregun informal, pasi fare mirë mund ta kishte marrë në ndonjë universitet privat ku gjallojnë këto fenomene jo meritokratike. E mbi të gjitha nuk duhet harruar se sistemi universitar shqiptar nuk ka kurrfarë lidhjeje me tregun e punës. Për shembull: është fakt që shumica e të rinjve turren të gjithë drejt Fakultetit Juridik apo Ekonomik. E pasi të gjithë diplomohen, besoni se tregu i punës përzgjedh ata më të zotët? Të fitosh një çeshtje gjyqësore në Shqipëri s’është tregues aftësie si avokat; çeshtjet zgjidhen në kafene, ndaj është tregues aftësie si matrapaz. Sidoqoftë askush nuk mund ta mohojë inflacionin e diplomave universitare në Shqipëri. Në fakt, vitet e fundit, diplomat janë lëshuar me shumicë nga universitetet shtetërore e private deri tezga e rrugës së Kavajës. Kanë mbetur pa e marrë vetëm ata që nuk e kanë dashur.
***
Për të shkruar diçka për këtë ngjarje, m’u deshën tre ditë për të sheshuar mendimet. Sepse po jetojmë në një shoqëri që bën të mundur bashkëjetesën e njerëzve të korruptuar dhe të atyre që nuk janë të korruptuar. Ka pasur dhe ka raste që njerëzit kanë paguar për t’u futur në universitet dhe për të pasur nota më të larta. Por duhet thënë se këta janë një pakicë edhe pse një metastazë kancerogjene për sistemin e drejtësisë. Psikologjia e praktikës së korruptimit ka shkuar deri aty sa pretendohet të të gjykojnë në poste kyç persona që nuk e kanë haberin mbi kodet ligjore të vendit. Ka shumë mundësi që grupi i sipërpërmendur të ketë qenë aktiv për shumë kohë, çka do të thotë një mori njerëzish që janë diplomuar formalisht në fakultetin e drejtësisë shqiptare, çka do të thotë një infektim i qartë të sistemit. Jo për të krijuar panik në administratë a gjykatë, por një
ndërgjegje me e madhe ndaj këtij fenomeni shqetësues duhet ngritur, pasi dëmet nga këta parazitë janë aq të mëdha sa s’thuhet. Falsifikimi i diplomës dhe blerja e saj është një atentat i pastër ndaj kulturës dhe edukimit moral e qytetar. Zhvlerësimi i dijes mund të vijë nga mashtrimi i dokumentit pasi dija në fund të fundit, në kohë e zhvlerëson mashtrimin. Prandaj në të shumtën e rasteve flagranca e injorancës është kaq habitore.
Sidoqoftë drejtësia është një fushë ku nuk mjaftojnë njohuritë teorike, sado enciklopedike, as zgjuarsia; sepse një juristi të lartë si përshembull “Prokurori i Përgjithshëm” i lypset para së gjithash eksperienca, ose njohja e shumanshme e shoqërisë shqiptare dhe e konflikteve brenda saj. Sikurse edhe mjekësia, drejtësia është art më shumë se shkencë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›