E Diel, 1 Nëntor 2026

Ipeshkvijtë e SHBA: Mirë reforma shëndetësore, por jo fondet federale për abortin.

Kisha në SHBA ndërhyn në diskutimin e ndezur lidhur me reformën shëndetësore, përmes një Letre të ipeshkvijve, drejtuar të gjithë anëtarëve të Kongresit e, për njohuri, Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shëndetësisë e të Shërbimeve shoqërore. “Një reformë shëndetësore e vërtetë, që mbron jetën dhe dinjitetin e të gjithëve, është imperativ moral e detyrim jetik kombëtar”: kështu shkruan imzot Uiljam Mëfi në emër të Konferencës ipeshkvnore katolike (Usccb), në një letër, ku thekson rëndësinë e dorës së parë që ka reforma. Kisha e mbështet, kur vihet në mbrojtje të më të ligështëve, por nuk harron të tërheqë edhe vëmendjen për mundësinë e financimeve federale të enteve publike e të sigurimit shëndetësor privat, në mbrojtje të abortit. Prelatët përcaktojnë katër kritere, për një reformë të ndershme e të drejtë: “Respektin për jetën njerëzore, mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, sigurimin e kujdesit mjekësor për të gjithë, pluralizmin dhe çmimet e arsyeshme”. Ipeshkvijtë i kërkojnë Kongresit t’i kushtojë vëmendje të veçantë sidomos dy prej këtyre kritereve: së pari, asnjë plan-reforme shëndetësore - shkruajnë - nuk mund të na detyrojë ne, ose të tjerët, të paguajmë për shkatërrimin e jetëve njerëzore, përmes fondeve qeveritare, që lehtësojnë praktikimin e abortit. Reforma duhet të ketë mirë parasysh lirinë e ndërgjegjes dhe respektimin e traditave më të mira amerikane.

Së dyti, të gjithë njerëzit kanë të drejtë për shërbim shëndetësor të plotë e cilësor.

Është për t’u kujtuar se reforma, që dëshiron të vërë në jetë presidenti amerikan Barak Obama, do t’u sigurojë shërbimet shëndetësore 46 milionë qyetetarëve, të cilëve sot këto shërbime u mungojnë. 

Imzot Miliore: Bashkësia ndërkombëtare të mbrojë popullsitë e dëmtuara nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut/Bashkësia Ndërkombëtare, përmes Kombeve të Bashkuara, e ka për detyrë t’i mbrojë popullsitë e shteteve, ku vërehen shkelje të rënda e sistematike të të drejtave të njeriut: kjo është tematika rreth së cilës nisën sot e do të vijojnë edhe nesër diskutimet në OKB. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara imzot Çelestino Miliore, thotë për Radio Vatikanin: “Diskutimi bëhet posaçërisht pas episodeve të vitit të fundit, që flasin për lënien në mëshirën e fatit të popullsive të Gjeorgjisë, Osetisë, Republikës Demokratike të Kongos e të Sri Lankës. Përgjegjësia për të mbrojtur tanimë është bërë parim i së drejtës ndërkombëtare, por faktet që kujtuam më lart, tregojnë se kjo e drejtë nuk ka arritur ende të krijojë norma të përcaktuara, që kanë të bëjnë me sjelljen ndërkombëtare në këtë fushë. “Që nga rrëzimi e regjimeve komuniste në Evropë, koncepti i sigurisë botërore kaloi nga shqetësimet tradicionale gjeopolitike e strategjike, në shqetësime të reja, që kanë në qendër të vëmendjes individin e shoqërinë. Prej këndej nisën të përdoren konceptet e sigurisë njerëzore, të ndërhyrjes humanitare e të përgjegjësisë për të mbrojtur, me një emërues të përbashkët: atë të mbrojtjes, që ka vlera të ndryshme, humanitare e juridike. Përgjegjësia për të mbrojtur ka të bëjë me mbrojtjen e popullsive, që i nënshtrohen dëbimit në masë, genocidit, krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit - e mbrojtja e qytetarëve të këtyre tipeve u takon, së pari, shteteve të veçanta. Por kur një shtet nuk e kryen këtë detyrë, atëherë natyrisht duhet të ndërhyjë bashkësia ndërkombëtare, duke përshkuar të gjitha rrugët paqësore të përcaktuara nga e drejta ndërkombëtare. Në raste ekstreme, mund të kalohet edhe në përdorimin e forcës, gjë që parashikohet nga kapitulli 7 i Kartës së OKB-së. Perspektiva në të cilën e pa problemin Ati i Shenjtë gjatë fjalimeve mbajtur para OKB-së, është thelbësisht ajo e lidhjes sovranitet-përgjegjësi: përgjegjësia për të mbrojtur – tha Papa – është baza morale e së drejtës së një qeverie për të ushtruar autoritetin. E çdo shtet ka përgjegjësi të dyfishtë: përgjegjësi të jashtme, që ka të bëjë me respektimin e sovranitetit të shteteve të tjera - e të brendshme, që lidhet me garantimin e dinjitetit e të drejtave të të gjithë nënshtetasve. Respektimi i sovranitetit të shteteve të tjera – pohoi Benedikti XVI – nuk ka të bëjë vetëm me parimin e mosndërhyrjes në punët e tyre të brendshme, por edhe me ndihmën, solidaritein e vëllazërinë. E kjo është një kategori që, për natyrën e vet, i përket familjes, në të cilën më të fortit kujdesen për më të ligështit. OKB- ja, duke mbikqyrur në ç’masë i mbrojnë qeveritë nënshtetasit e tyre, kryen një shërbim të rëndësishëm, në emër të bashkësisë ndërkombëtare. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›