E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të predestinuar për mirësi

Bujaria dhe altruizmi janë ndjenja të lindura te specia njerëzore Disa studime të vona konfirmojnë se ekziston një kod moral universal me baza neurobiologjike

Njeriu, për nga natyra e tij, gjithmonë ka qenë i mbrujtur nga një ndjesi bujarie dhe altruizmi. Po qe se i hedhim një shikim origjinës sonë, vërejmë se në procesin evolutiv të qenieve të gjalla, seleksionimi i species njerëzore ka paraqitur një element thurjeje. Kur kushtet nuk i përshtatshin jetës, posaçërisht jetës së më të dobëtëve, të grave dhe të fëmijëve, njeriu i ka transformuar: zjarri, vendbanimet, rezervat e ushqimit kanë qenë një sfidë aq e madhe që njeriu primitiv i ka bërë seleksionimit të pastër dhe të thjeshtë natyror. Ajo çka e mbrunte në këto luftëra ishte një ndjesi edhe e altruizmit ndaj të afërmit më të dobët dhe të pambrojtur, zotësia për të dalluar atë që ishte e drejtë dhe atë që nuk ishte. Sipas antropologut Donald E. Brown, nga Universiteti i Kalifornisë, disa gatishmëri shpirtërore, do të thotë ajo që ne e quajmë mirësi, si empatia, bujaria, njohja e të drejtave të tjetrit, ndëshkimi i dhunës si vrasja dhe dhunimi, gjithmonë kanë gjetur strehë në zemrën e njeriut, edhe të atij të shpellës. Se ishte fundamentalisht një shpirt i mirë dhe paqësor. Në të vërtetë njeriu e ka zbuluar menjëherë dimensionin social, që është diçka ndryshe nga organizimi komunitar i bletëve apo thneglave dhe është diçka ndryshe nga hierarkitë që i drejtojnë dyndjet e kafshëve. Krijimi i familjes, rritja e të vegjëlve, mbrojtja e të dobëtëve kanë qenë qysh prej fillimi forma të bashkëpunimit mes individëve që pastaj janë grumbulluar në klane, pra në tribu, derisa janë bërë popuj. E edhe kjo që për mua është forma e shkëlqyer e mirësisë, do të thotë kërkimi dhe ruajtja e paqes, përherë ka qenë bashkënatyrore me specien njerëzore. Po, specia njerëzore anon, për nga natyra, kah paqja. Filozofi Jean-Jacques Rousseau na e kujton se lufta është një koncept që nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me raportin e njerëzve mes vete. Mes njerëzve të thjeshtë nuk ka luftë, por vetëm kundërthënie. Prej disa deceniesh, para se gjithash pas zbulimit të DNA-së, shkenca e gjenetikës molekulare moderne dhe antropologjia e teorive më të avancuara evolucioniste përpiqen t’i japin një përgjigje disa pyetjeve fondamentale: ku lind ndjenja jonë e mirësisë? Pse jemi të mirë? Dhe si dimë ta dallojmë atë që është e mirë nga ajo që është e keqe?

Janë pyetje për të cilat edhe etika, filozofia dhe religjioni janë munduar të japin përgjigje.

Gregory Berns, profesor i psikiatrisë në Emory University të Atlantës, duke përdorur teknika të imaging cerebrale, ka zbuluar se kur personat kanë qëndrime altruistike, në trurin e tyre shtohet fluksi i gjakut pikërisht në zonat që aktivizohen nga shikimi i gjërave të këndshme, qofshin ato një grua e bukur, një ëmbëlsirë, paratë apo gjëra të tjera. Sikur të thoshim se një gjest bujarie, thjesht të treguarit mëshirë, është i mjaftueshëm të na bëjë të ndihemi të lumtur. Carlo Matessi, drejtues i kërkimit në Institutin e gjenetikës molekulare të CNR të Pavias, jep një shpjegim biologjik që bazohet në evolucionin e specieve: altruizmi i njeriut aktual është ende ai që e ka zhvilluar Homo sapiens-i apo dikush nga pasardhësit e tij të epokës së Paleolitikut. Një altruizëm i lindur ose një nevojë po aq e hershme e drejtësisë. Steven Pinker, profesor i psikologjisë në Universitetin e Harvard-it dhe autor librash që kanë bërë jehonë të madhe (si ‘Instinkti i gjuhës’ dhe ‘Si funksion mendja’), ka një tezë të ngjashme: “Ndjenja morale nuk rrjedh nga religjioni që na ngulitet; parimet morale që secili nga ne ndien t’i respektojë janë të para-programuara në trurin tonë qysh nga lindja dhe kanë baza neurobiologjike”.

Studiues të tjerë, si biologu Marc Hauser, po ashtu profesor në Harvard, dhe Richard Dawkins, biolog po edhe etolog në Universitetin e Oxford-it, sa për t’i përmendur sall ata më të njohurit falë librave të tyre të përhapur anekënd, pohojnë të njëjtën ide, në të cilën edhe unë, sado që jo në mënyrë eksperimentuese por me intuitë, kam besuar gjithnjë, do të thotë se disa parime morale janë universale, i kapërcejnë barrierat gjeografike, kulturore dhe religjioze. Në metodën e tyre të kërkimit eksperimental, studiuesit përdorin sondazhe statistikore në shkallë të gjerë (edhe me pyetësorë përmes internetit), ku propozohen dilema morale (për shembull: “A është e drejtë të sakrifikohet jeta e një personi për t’i shpëtuar shumë të tjera?”).

Përgjigjet janë më shumë se univoke: pavarësisht nga besimi religjioz ose jo i të intervistuarve, nga shkalla e tyre e kulturës dhe nga gjendja ekonomike, nga mosha dhe gjinia. Për të demonstruar, siç pohon Hauser, se në drejtim të gjykimeve tona morale është një gramatikë morale universale, një aftësi e mendjes që ka evoluuar gjatë miliona viteve derisa ka ngulitur një bashkësi parimesh që të gjithë e pranojnë të drejtë ta respektojnë. Pra eksiton një shqisë e gjashtë, ajo e moralit, një organ kompleks me baza të sakta neurobiologjike që mund të aktivizohet dhe çaktivizohet si një lloj prize. Kur ndizet, mënyra jonë e të menduarit drejtohet nga një predispozicion specifik mendor, që na bën t’i shqyrtojmë disa veprime si imorale (“vrasja është e gabueshme”), përveçse të diskutueshme. Impulset e moralitetit manifestohen qysh nga fëmijëria. Sipas psikologëve Elliot Turiel dhe Judith Smetana, fëmijët e azilit njohin diferencën mes konvencioneve sociale dhe parimeve morale. E dinë se nuk është e lejueshme të vishen pizhame në shkollë (një konvencion) e edhe se nuk është e lejueshme të ngucet shoku pa arsye (një parim moral). Por kur i pyesim ata nëse këto veprime do të ishin të lejueshme nëse mësuesi do t’i lejonte, pjesa më e madhe e fëmijëve përgjigjen se veshja e pizhameve do të ishte e lejueshme, ama jo rrahja me shokun.

Dhe ekziston një gramatikë morale edhe te kafshët. Sipas psikologut-filozofit Jonathan Haidt të Universitetit të Virginia, instinkti për ta refuzuar dhunën është i pranishëm edhe te majmunët reso (kompleksi i gjeneve të një qelize e të cilit është identik 98 për qind me tonin), të cilët, në vend se ta tërheqin zinxhirin që u jep ushqim atyre por njëkohësisht e trazon majmunin fqinj, heqin dorë nga ushqimi. Është e vërtetë se gjeni i mirësisë ende nuk është zbuluar, ama ndjenja e të mirës dhe altruizmit është e regjistruar në gjenet tona.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›