Shanset e humbura të Kosovës në energjetikë
Kosova nuk ka shumë alternativa sa i përket zhvillimit ekonomik dhe ofertës për investitorët e jashtëm. Promotorë të këtyre proceseve mund të jenë energjetika dhe xehetaria. Sado që ende ka vlerësime romantike se “Kosova mund ta mbajë vetveten”, megjithatë mundësitë janë shumë të kufizuara. Ato ndërlidhen me resurset, por edhe me mungesën e zgjidhjeve për valorizimin e tyre. Moskompletimi i spektrit ligjor dhe futja e pakontrolluar e konkurrencës nga importi, nxjerrin edhe dilemën se sa ia vlen të investohet në Kosovë? Sado që është një pyetje pesimiste, ajo nuk është larg realitetit tonë. Problemi i parë, madje edhe më i rëndi në këtë segment, është mungesa e konsensusit të përgjithshëm rreth çështjeve fundamentale për ekonominë e këtij vendi. Këtë e bëri të qartë vendimi për strategjinë e energjetikës deri në vitin 2015, përkatësisht ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” dhe hapja e minierës së Sibovcit. Pa marrë parasysh zërat që e kundërshtuan qasjen e zgjedhur, Qeveria e Kosovës tregoi kokëfortësi dhe mospërfillje të fjalës së popullit. Asnjë OJQ, duke përfshirë edhe “Çohu”, apo “Forumi 2015”, nuk mund të jetë përfaqësuese e popullit, mirëpo nuk mund të injorohen zërat që vijnë nga Kuvendi i Kosovës. Nuk mund të minimizohen kërkesat që problemi të hyjë brenda legjislativit të vendit, madje edhe nëse ato janë nga opozita. Po të veprohej kështu, pushteti i Qeverisë së Kosovës nuk do të venitej fare. Ndoshta do të forcohej edhe më shumë me vendimet e deputetëve, përkatësisht qytetarëve të Kosovës. Në këto rrethana edhe investitorët e ardhshëm do të ishin shumë më të sigurt për investimet që bëjnë. Ata më nuk do të ndërlidheshin me disponimin e një kabineti qeveritar, apo të kryeministrit dhe të një ministri (si thonë OJQ-të), por me qëndrimin e legjislativit.
Kjo do të ishte forma më e mirë dhe më e lehtë për krijimin e konsensusit. Nëse dikush mendon që kjo çështje të zhvendoset nga institucionet dhe të shkojë në referendum, atëherë ajo komplikohet edhe më shumë. Sado që kjo do të ishte forma më demokratike, megjithatë kërkon shumë kohë. Nga ana tjetër, rreth këtij projekti është humbur shumë kohë derisa iu gjet emri i ri, si dhe për ndryshimin e disa detajeve jo edhe aq të parëndësishme për ardhmërinë e energjetikës. Mirëpo, në procedurat për miratimin e strategjisë së energjisë parashihej edhe debati publik, përkatësisht, që ajo të begatohej me zërin e popullit. Sado që pjesërisht është përmbushur kjo formë, në aspektin cilësor ajo ishte e dështuar. Ka qenë ironike që debati për qymyrin dhe termocentralet të zhvillohej në Prizren, ndërsa fare mos të dëgjoheshin qytetarët e Obiliqit, apo të fshatrave që shumë shpejt duhet të shuhen.
Edhe Qeveria e Kosovës nuk e ka pasur lehtë të nxjerrë vendimin. Ka qenë në presion të madh nga qarqet ndërkombëtare të ndërlidhura me interesat e investitorëve të ardhshëm në energjetikë. Presioni asaj i ka ardhur edhe nga ana tjetër, nga disa zëra të brendshëm. Madje, këta të fundit shkuan aq larg dhe nuk kursyen fare ekzekutivin nga kualifikimet tejet të rënda. Atyre sikur iu erdhi shansi që pa kontroll ta cilësojnë Qeverinë se po keqpërdorë pasurinë e popullit dhe se ajo është në rrafsh të barabartë me ata që po vjedhin dhe po shkatërrojnë atë që Zoti ia dhuroi këtij vendi, apo që u ngrit për shumë e shumë vite. Nganjëherë, fjalët e rënda që u përdorën e devalvuan këtë angazhim dhe sollën në pikëpyetje seriozitetin e kritikuesve. Krijohet përshtypja sikur më shumë ishin të interesuar që ta gjenin një shkas për ta kritikuar Qeverinë, e jo për të nxjerrë alternativa të pranueshme dhe reale, të cilat do të ndihmonin në begatimin e vendimit. Ka edhe dallime që në esencë prekin projektin e mihjes dhe termocentralit të ri. Së pari, është fjala për kohëzgjatjen e koncesionit. Pa dyshim se pas dyzet vjetësh Kosovës nga ky projekt do t’i mbetet vetëm skrapi, hiri e ambienti i degraduar. Nuk mbetet asgjë për një tender të ardhshëm. Në hi e pluhur shndërrohet një pasuri e vlerësuar me miliarda tonë qymyr. Mirëpo, vendimi i Qeverisë del nga një ligj që ka kaluar në Kuvendin e Kosovës. Pse heshtën të gjithë zërat derisa ligji gjendej në procedurë? Apo, pse nuk u përdorën tërë mekanizmat për presion, ashtu që të mos kalonte varianti, sipas të cilit, koncesioni mund të jetë deri në 40 vjet? Edhe atëherë ka pasur zëra të cilët kërkuan që asnjë pasuri mos të jepet në shfrytëzim më shumë se 25 vjet. Por, ishin zëra që nuk patën jehonë, sa kanë tash ata që kundërshtojnë vendimin për strategjinë e energjisë. Pra, “lufta” u humb shumë më herët. Mungoi trysnia për ta ndryshuar një nen të këtij ligji, ashtu që koncesioni të zgjaste vetëm 25 vjet. Mirëpo, në debate të ndryshme shpesh është dëgjuar vlerësimi se askush nuk do të ishte i interesuar që të investojë në kapacitete që mund t’i shfrytëzojë vetëm një çerekshekulli. Ky vlerësim i injoron disa rregulla ekonomike. Po që se duhen pesë vjet për ndërtimin e termocentralit dhe hapjen e minierës, atëherë koncesionarit i mbeten 20 vjet që ta shfrytëzojë këtë pasuri. Nëse merret parasysh shkalla e amortizimit të kapaciteteve prodhuese, atëherë ato për dy dekada do të jenë të barabarta me zero. Po ashtu, për këtë kohë investitori ka mundësi të kthejë edhe tërë kapitalin që e ka futur aty. Do të thotë se ai nuk humb asgjë. Zaten, të këtilla janë edhe përvojat nga shumë vende që i kanë dhënë pasuritë e tyre në shfrytëzim për afate të caktuara kohore. Por, duket se në Kosovë për të arritur deri te ky vendim janë marrë për bazë vetëm rezervat e qymyrit. Është kalkuluar me variantin që koncesionari të mbetet në Sibovc, derisa të harxhohet i tërë qymyri.
Çështje tjetër kontestuese është pronësia e Kosovës në projektet e ardhshme. Qeveria nuk guxon që në këtë fazë tërë energjetikën ta lejë në dorë të investitorëve privatë. Në të ardhmen ajo mund të ketë probleme, pikërisht për arsye që e ka privuar veten nga e drejta e pjesëmarrjes në vendime për energjinë. Ndërkaq, kjo përherë do të jetë çështje kryesore për zhvillim ekonomik dhe për mirëqenie shoqërore. Këtë problem ka mundur ta zgjidhte përmes qymyrit, duke e shfrytëzuar këtë pasuri si aksion në kapacitete prodhuese të rrymës elektrike. Ose, të gjente para, të hynte në kredi dhe për vete ta ruante një pjesë të aksioneve. Në secilin variant tjetër, e tërë energjetika mbetet vetëm interes i investitorit. Në periudhën në të cilën gjendet Kosova, është herët të bëhet privatizimi i tërësishëm i një segmenti jetik, siç është energjia elektrike. Qeveria duhet t’i shesë këto pasuri përmes disa etapave, kurrsesi që menjëherë t’i nxjerrë në shitje, përkatësisht, në shfrytëzim për afate të gjata kohore, pa pasur fare ndikim aty.
...