Një libër në kohën e duhur
Makensen Bungo: “Rrugëtim me psherëtima”
Ky roman përmban një të vërtetë të madhe: komunizmi shqiptar në Europën Lindore është i ndryshëm nga regjimet analoge në këtë zonë të kontinentit tonë. I ndryshëm në kuptimin përkeqësues. Nuk e kemi fjalën për idolatrinë ndaj Stalinit, që kishte përfshirë të gjitha vendet që kaluan në zonën e influencës së Bashkimit Sovjetik, pas mbarimit të Luftës II Botërore. Kjo u nxit edhe nga Ruzvelti, i verbuar nga simpatia vetjake ndaj diktatorit sovjetik që arriti të krijojë Perandorinë e Kuqe, në emër të demokracisë dhe të lirisë së popujve! Por kjo Luftë e popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë, e monopolizuar nga komunizmi shqiptar, u bë edhe nën flamurin e internacionalizmit proletar të bashkim-vëllazërimit, nga ata udhëheqës që menduan qysh në atë kohë për karrierën e tyre, duke u bërë vasalë të bindur të Titos. Në mbarimin e luftës, vendi ynë kishte dy udhëheqës në ambientet zyrtare, të pasqyruar edhe në fotot e mureve shtëpiake: Titon dhe Enverin! (Në punën vullnetare të rinisë për hekurudhat, nuk mungonte java e sulmit për nderin e sh. Tito!). Vendimi i Inform-Byrosë së Internacionales na bëri armiq me Federatën jugosllave. Si për të hequr atë njollën e shitjes së interesave kombëtare, në një periudhë të ndërmjetme shkuam në kahen e kundërt, duke i parë marrëdhëniet me shtetet komuniste të Europës Lindore, që i shihnim, tanimë, me atë syrin skeptik, do të thoshim, në kuptimin që s’ka asgjë të përbashkët me ndërsjellësinë ndërmjet vendeve me aspirata të njëjta politike.
Pikërisht në këtë kohë shtjellohen ngjarjet e këtij romani. Me një vend mik si Çekosllovakia e asaj kohe, dalin në pah dredhitë, pabesitë, meskinitetet dhe sjelljet vulgare të regjimit tonë të Enver Hoxhës, édhe ndaj vendeve “miq”.
* * *
Në Luftën I Botërore, vendi ynë u bë trualli ndërluftues i ushtrive të ndryshme. Në Elbasan hynë serbë e bullgarë, hynë edhe italianë. Ushtarët austro-hungarezë hynë në vitin 1916. Në kafen e dajë Selimit, në një muaj të këtij viti, kishte hyrë për të pirë një kafe e një konjak, kapteri i ri i shërbimit sanitar, Nojmani. Ishte me kulturë dhe kureshtar. Donte të merrej vesh me ndonjërin që njihte një nga gjuhët që dinte kapteri çekosllovak. U mor vesh me ortakun e dajë Selimit, në italisht. Ky ortak ishte Ali Bungo, protagonist i këtij romani. Tani Nojmani vinte më shpesh në këtë kafe. I shfaqi dëshirën Aliut të shihnin rrethinat e Elbasanit dhe të kishte një shpjegues. Aliu e shoqëroi vetë. Nga maja e Krastës miku çek u mahnit nga bukuritë e natyrës. Aliu iu bë ciceron për kalanë e Elbasanit. Miqësia u bë e përzemërt. Nojmani kishte prirje për pikturë dhe kishte bërë një koleksion peizazhesh, të cilat ia kishte dërguar në Çeki, së shoqes. Në njërën prej këtyre pikturave sa një kartvizitë, iu lut Aliut të vinte firmën: - Ta kem kujtim kur të lirohem, - i tha. Në një mori episodesh të njëpasnjëshme, lexuesi kupton sa tepër e sa natyrshëm u lidh kjo miqësi e sinqertë. Nojmani ishte i mirëpritur në drekat që bënte Aliu për të. Nënë Zyhraja e detyronte të merrte me vete edhe ëmbëlsirat.
Kur Nojmani filloi të mos dukej në kafe, Aliu u bë merak. Çeku Ishte sëmurë nga tifoja abdominale, që kishte shkaktuar mjaft vdekje në repartet ushtarake. Si e mori vesh, Aliu vajti në komandë dhe u lut që ta merrte në shtëpinë e tij për ta kuruar. Njerëzit e shtëpisë e pritën me të gjitha të mirat. Ilaçe nga më të shtrenjtat kishte porositur Aliu. Mysafiri e kaloi më të rëndën. Filloi të përmirësohej. Kur u ndje vërtet mirë, i tha të mbante shënim shpenzimet. “Borxhi duhet larë”! Por Aliu i kujtoi atë shprehjen tonë: “kur të kesh me thasë, atëherë do të më japësh një trastë”.
Pastaj erdhi ndarja. Transferim ushtarak. Ndarje me lot, në shtëpinë e Ali Bungos.
* * *
Duhet të mos harrojmë se personazhet e veprës janë të vërtetë. Edhe zonja Bozhena, bashkëshortja e Nojmanit, tamam kështu e ka emrin.
Në një kohë të mëvonshme, Nojmani ngjiti shkallët e funksionarëve të lartë të partisë, në Pragë. Arriti gjer në instancat e Byrosë Politike. Por u sëmur rëndë dhe vdiq. Veçse i la Bozhenës një amanet: të vinte në Elbasan dhe të shikonte bamirësit e tij të dikurshëm: “Më është gjendur si vëlla e shkuar vëllait”. Këtu jemi në fillimet e aktit të dytë, tragjikomik, të veprës. K.Q. u vu në dijeni për ardhjen e shoqes Bozhena dhe u ngarkua një person që kishte studiuar në Çeki dhe e dinte gjuhën, që ta shoqëronte dhe ta çonte në Hotel “Dajti”. Në holl dhe në restorant Bozhena i gjeti shpenzimet të mbuluara. Shoqëruesi kishte edhe aparatin e regjistrimit. I thanë se “ishte mysafire jona” dhe mund të bënte planin e vizitave. Ajo vuri si pikë të parë Elbasanin. U lajmëruan menjëherë organet e gjurmimit se shoqja Nojmanova, kishte porosi nga i ndjeri burri i saj, që t’i bënte një vizitë në shtëpi Ali Bungos, mikut të bashkëshortit të saj gjatë Luftës I Botërore. Ç’bela për prtitësit tanë! Ish-tregtarit Ali Bungos, ia kishin sekuestruar shtëpinë dhe tani banonte në një si haur për ibret. Kishte dalë nga burgu dhe po mendohej t’i gjenin vendin e internimit. Shkrimtari që punonte në “Drita”, i dhënë me iniciale, ngarkohej që t’i rrinte gjithmonë pranë, meqë dinte çekisht. Kuptohen porositë që kishte marrë. Shkrimtari i kërkoi një intervistë për “Dritën” me pyetjet që ia dha në letër. Donte edhe ndonjë foto të saj. Bozhena kishte atë që mbante firmën e Ali Bungos. Ajo hezitoi, por shkrimtari ngulmoi : “Intervistat tona dalin gjithmonë me fotot e të intervistuarit”. Në vizitën e Muzeut të Luftës Nacionalçlirimtare, Bozhena kishte vërejtur, pa të keq, se i kishte bërë përshtypje se kishte mjaft foto ku udhëheqësi kishte dalë me partizanë, por pak foto me shokët bashkëluftëtarë. Spiro Mitrushi i tha shefit të tij: -”Ajo duhet të jetë revizioniste”.
Në njërën nga intervistat kishte dalë, fare shkurt, edhe emri i Ali Bungos. Kaq duhej që të ziente Elbasani. Keqdashësit:”Po ku do t’i presë ky reaksionar?”. Instancat e partisë u pështjelluan. Aq më tepër se ishte regjistruar se shoqja Bozhena e kishte marrë atë artikullin e dritës, në të cilën kishte dalë emri i Ali Bungos, që ta vinte në stendën përkujtimore të Nojmanit, në Pragë. Ata të partisë, lart, ua kishin lënë zgjidhjen atyre të partisë vendore. Ndërmjet varianteve, i duhej thënë Bozhenës se Aliu kishte vdekur. Por Bozhena ose Nojmanova filloi të kuptonte zvarritjet për të vajtur në Elbasan. Sidoqoftë, ajo mund të kërkonte takim edhe me të afërmit e tij. Kështu që ai muhabeti i vdekjes do të dilte! Ej,ç’bela!
Mund të them, duke përfunduar, se kjo pjesë për të mos e vënë në takim zonjën Bozhena me Ali Bungon, - tani i shndërruar në Ali Bundo, - mbase për t’iu përshtatur në mënyrë aluduese anës intriguese të narracionit që arrin në disa kulminacione thuajse të pabesueshme, ky synim djallëzor, pra, u arrit. Veçse, siç thotë populli, gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Lihej të kuptohej që të gjitha inskenimet partiake ishin thurur keq dhe populli po e kuptonte vendosmërinë pushtetare që takimi, për të cilin kishte ardhur Bozhena, të mos jetësohej. Ajo, duke u nisur për në rrugën e mundimshme të kthimit, me shumë finesë e shfaqi zhgënjimin e saj.
Dëshpërimi i saj është dhënë i natyrshëm dhe mbresëlënës. Intrigat marrin herë-herë trajta romanceske, por të efektshme.
Sidoqoftë, nga leximi i këtij romani del një e vërtetë e madhe: se komunizmi ynë kishte marrë disa trajta më të përdhosura nga komunizmi perëndimor, gjer në kohën e destalinizimit. Por ka qenë, padyshim, shumë më i pafytyrë edhe se komunizmi lindor.
Mendoj se ky është mesazhi i veprës, që është domethënës në shpjegimin se përse nostalgjia e pjesës së skajshme të majtizmit tonë, është ajo që po na zvarrit edhe në ditët tona, që të ecim përpara drejt Perëndimit, me shkopinjtë nëpër rrota.
...