E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak , 46 të vdekur e 215 të plagosur në 4 atentate

Të paktën 46 persona u vranë dhe 215 të tjerë u plagosën në katër shpërthime autobombash pranë qytetit verior të Irakut, Mosul dhe në Bagdad. Dy kamionë-bombë shpërthyen në orët e para të mëngjesit në fshatin Khaznah, 20 kilometra në lindje të Mosulit, duke shkaktuar 23 të vrarë dhe 138 të plagosur, sipas policisë dhe spitaleve të qytetit. Tridhjetë e pesë shtëpi u shkatërruan në këtë lokalitet të banuar nga sekti Chabaks. Ky sekt kurd prej 30 mijë personash është shpërndarë në 35 fshatra të krahinës Ninive dhe shumica e tij kërkon bashkimin me rajonin autonom të Kurdistanit. Besimi i tyre është një përzierje mes islamit, kristianizmit dhe feve të tjera. Të persektuar nën regjimin e Sadam Hyseinit, sepse ishin kurdë, ata kanë qenë në shënjestër të shumë sulmeve të Al Kaedës pas ndërhyrjes në Irak të amerikanëve.
Ndërkohë që në Bagdad, në shënjestrën e dy atentateve ishin disa persona që ishin mbledhur për të kërkuar punë. Atentati i parë i shkaktuar nga një bombë e fshehur në një thes çimentoje në Hay al Amel, në perëndim të qytetit shkaktoi shtatë të vrarë dhe 46 të plagosur, sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes. Në Chourta Arbaa, në veri, një autobombë shkaktoi vdekjen e nëntë personave dhe 36 të plagosurish.
Aktet e dhunës kanë rënë ndjeshëm muajt e fundit në të gjithë territorin irakian, por atentatet mbeten të shpeshta në kryeqytet dhe në Mosul, ku kryengritja mbetet ende e fortë. Forcat amerikane u tërhoqën në fund të qershorit nga qytetet irakiane, në kuadër të një marrëveshjeje sigurie të arritur në nëntor me Bagdadin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›