Irak/ 20 të vdekur nga 3 shpërthime në Bagdat
Të paktën 20 persona janë vrarë në tre atentate të kryera mëngjesin e së dielës në një afat kohor të shkurtër nga njëri tjetri. Sulmet kanë ndodhur në kryeqytetin iraken, Bagdat. Një prej shpërthimeve, e përshkruar nga dëshmitarët "i stërmadh", ndodhi përpara ambasadës iraniane, në pjesën qëndrore të qytetit, ndërsa rrugët ishin bllokuar nga një trafik i dendur. Pak minuta para këtij shpërhtimi, dy të tjerë ishin regjistruar në lagjen Mansur, në perëndim të Bagdatit. Sipas burimeve nga ministria e brendshme, një nga këto dy sulme ndodhi në afërsi të ambasadës gjermane. Mediat ndërkombëtarë shkruajnë se bëhet fjalë për autobomba. Përveç viktimave, besohet se janë plagosur edhe të paktën 55 të tjerë. Re të dendura tymi mund të shiheshin në një distancë të largët në Bagdat. Shpërthimet ndodhën rreth pesë minuta njëri pas tjetrit. Këto sulme me autobomba pasojnë sulmet e orëve më parë, kur zyrtarët e sigurisë në Irak, thanë se persona të armatosur të veshur me uniformë ushtarake kishin vrarë të paktën 25 vetë në një zonë kryesisht sunite në periferitë jugore të Bagdadit. Autoritetet thanë se atentatorët kishin hyrë në disa shtëpi në fshatin Sufija dhe kishin vrarë 20 burra dhe pesë gra.