Irak, 31 të vdekur nga tre shpërthime me bomba
Pas një periudhe relativisht të qetë, kryeqyteti irakian Bagdad rikthehet në shenjestrën e sulmeve me bomba. Tre shpërthime të fuqishme me bomba tronditën hotele dhe objekte të tjera të Bagdadit. Shpërthimet ndodhën në qendër të qytetit, pranë zonës së gjelbër, e cila është nën masa të forta sigurie. Bilanci më i fundit i tragjedisë flet për të paktën 31 të vdekur dhe 42 të plagosur. Sipas burimeve irakiane të sigurisë, pjesa më e madhe e viktimave janë civilë vendas. Nga autobombat është goditur qendra e hoteleve Palestine dhe Sheraton ku rehatohen gazetarët e huaj. Shpërthimi i parë ka ndodhur më 15:40, sipas orës lokale përballë zonës së gjelbër. Nga shpërthimi u godit edhe një klub privat ku po zhvillohej një mbledhje politike, në kuadër të zgjedhjeve të muajit mars. Sulmet e tjera kishin në shenjestër hotelet Babel dhe Hamra, të gjithë të frekuentuar nga perëndimorë. Në këtë mënyrë, në kryeqytetin irakian kthehet dhuna, vetëm dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve legjislative të programuara për më 7 mars 2010. Atentati i fundit që kishte ndodhur në Bagdad ishte ai i 8 dhjetorit të kaluar, kur nga pesë sulme me bomba humbën jetën 127 persona dhe 448 të tjerë u plagosën. Një sërë sulmesh të koordinuara me bomba kanë shpërthyer në Bagdad që nga gushti i 2009-ës, duke shkaktuar qindra viktima. Autoritetet irakiane kanë shprehur shqetësimin se kryengritësit mund të ndërmarrin sulme për të sabotuar zgjedhjet parlamentare të parashikuara për në 7 mars.