E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak, koloneli amerikan merr ryshfet nga shqiptari

 

TACOMA/ SHBA 

Ryshfeti që pranoi të merrte nga një kontraktues shqiptar në Irak, do t'i kushtojnë një vit e një ditë burg, një ushtaraku të lartë amerikan. Sipas prokurorëve, 25 mijë dollarë është shifra që ai i ka marrë një shqiptari në këmbim të një kontrate për ndërtimin e kazermave të një baze ushtarake në Ballad të Irakut. Vendimi ndaj ushtarakut amerikan është shpallur pak ditë më parë nga gjyqtari i rajonit të Takomas në Uashington të Shteteve të Bashkuara, Ronald Leighton. Sipas agjencisë amerikane të lajmeve "Associated Press" bëhet e ditur së Cedlar Leanmon, me gradën kapiten në forcat ushtarake amerikane, është dënuar me 366 ditë burg, për shkak se ka pranuar dhjetëra mijëra dollarë në mënyrë ilegale nga kontraktuesit në Irak. Nga burimet e mësipërme bëhet e ditur, se gjykata ka lavdëruar karrierën e deritanishme të ushtarakut të dënuar, por i ka cilësuar si të papranueshme aferat e tij me kontraktuesit civilë. "Gjyqtari i rajonit të Takomas në SHBA, Ronald Leighton lavdëroi Cedlar Leanmon për karrierën e tij ushtarake, por tha se Leanmon 'e ka kaluar kufirin' në disa prej marrëveshjeve të tij me kontraktues civilë", citohej në agjencinë amerikane të lajmeve. Të njëjtat burime saktësuan, se kapiteni Cedlar Leanmon e kishte përgjegjësi ushtarake pajtimin e kontraktuesve, që do të kryenin shërbime në favor të ushtrisë amerikane në Irak. "Ai ishte pjesë e përgjegjësive ushtarake të Leanmonit gjatë dy misioneve në luftë përfshinte rekomandimin e kompanive, që do të pajtoheshin për të punuar për ushtrinë", pohonte "Associated Press". Përveç gjërave të tjera, prokurorët federalë pretenduan, se ai ka pranuar 25 000 dollarë nga një kontraktues shqiptar, i cili kishte kërkuar një kontratë për të ndërtuar kazerma në një bazë ushtarake. Duke iu referuar mediave amerikane, nga "marrëveshja" me kapitenin, shqiptari ka përfituar një kontratë me vlerë prej çerek milioni dollarësh. Por ryshfeti ndaj kontraktuesit shqiptar nuk ka qenë e vetmja vepër e jashtëligjshme e ushtarakut. Mësohet se ai ka marrë edhe 5 mijë dollarë "nën tavolinë" nga një irakian për t'ia prezantuar biznesmenin një oficeri kontraktues. Gjithashtu, përveç ryshfeteve ai ka nxjerrë në mënyrë të jashtëligjshme nga Iraku një sixhade të punuar në mënyrë artizanale, një gjerdan të vlerësuar afërsisht 700 dollarë dhe një dorëshkrim religjioz të vjedhur në një kërkim arkeologjik në qytetin antik të Ur-it në Irak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›