Sherri për banjën, plagosen 4 persona
FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
Katër persona plagosen pas sherrit për banjën e fast-foodit.Nënkryetari i Këshillit Bashkiak në Fushë-Krujë, Astrit Baku, njëkohësisht kreu i LSI-së qytetit ishte në qendër të plumbave, të cilat lënduan dhe të shoqen e tij e një 12-vjeçar. Ngjarja ndodhi në mes të Fushë-Krujës, rreth orës 16:00 të ditës së djeshme. Fillimisht u dyshua për një atentat të mirëfilltë ndaj Bakut, për shkak të detyrave që ai mban, por më pas u mësua se gjithçka ndodhi pas një grindjeje të çastit mes dy të rinjve dhe Bakut, në dyqanin në pronësi të këtij të fundit. I plagosur mbeti dhe vetë autori, i cili bashkë me të tjerët ndodhet në Spitalin Ushtarak, por pa rrezik për jetën.
Ngjarja
Sipas burimeve zyrtare të policisë, plagosja ndodhi në ambientet e një fast-foodi në Fushë-Krujë, të cilën e shfrytëzonte pas marrjes me qira familja e Astrit Bakut. Dyqani ku nisi sherri është shumë pranë qendrës së qytetit e rajonit të policisë, por atentatori kryesor arriti të shpëtonte, ndërsa la të plagosur nga pakujdesia shokun e tij. Policia bëri të ditur se konflikti ka nisur në orën 15:00 për të përfunduar pas 1 ore me të plagosur. Kanë qenë Haxhi Caca, 24 vjeç, nga Fushë-Kruja dhe moshatari i tij, Gentian Koçi, nga fshati Nikël i Krujës, të cilët kanë hyrë në lokalin e ushqimeve të shpejta. Brenda tij ndodhej Astrit Baku, 40 vjeç, i njohur si nënkryetar i këshillit bashkiak dhe kreu i LSI-së së qytetit, bashkë me të shoqen, Lindita, 35 vjeçe. Nga të dhënat e para, të siguruara nga dëshmitarët rezulton se sherri për radhën e banjës së lokalit u bë dhe shkak për acarimin e situatës. Dy të rinjtë kanë nisur të ngacmohen me Bakun në sy të së shoqes. Por, në vend që situata të kapërcehej, ajo ka degraduar me fjalë të rënda mes palësh, duke u provokuar dhe një përleshje fizike mes tyre. Në sherr e sipër, 40-vjeçari ka mundur t'i nxjerrë jashtë dy të rinjtë, të cilët e kërcënojnë se do shiheshin së shpejti. Kërcënimi nuk ka vonuar të vihet në zbatim. Caca dhe Koçi kishin makinën e tyre "Benz" me targë të Fierit të parkuar aty pranë, prej nga kanë rrëmbyer armët. Ata i janë drejtuar hyrjes së dyqanit, duke qëlluar pa ndalim brenda tij. I pari që është afruar për të shkrehur pistoletën ndaj Bakut ishte 24-vjeçari Caca, por nuk ia ka dalë. Menjëherë shoku i tij, Koçi ka nisur të gjuajë në mënyrë të pakontrolluar me një automatik, duke bërë që plumbat të shpërndahen në të katër anët. Plumbat kanë zënë në të dy këmbët Astrit Bakun, motrën e tij, një fëmijë 12-vjeçar, i rastësishëm në lokal si dhe një prej autorëve. Pas plagosjes së katër personave, Gentian Koçi është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me makinë, ndërsa shoku i tij ra në pranga në pamundësi për të lëvizur.
Hetimi
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia e Fushë- Krujës, e cila ka dërguar të plagosurit në urgjencën e spitalit të qytetit, e më pas për në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë rrethimi i vendit të ngjarjes si dhe mbledhja e informacioneve mbi atë që kishte ndodhur. Sapo është mësuar se një prej të lënduarve është shoku i atentatorit e ka izoluar atë në Spitalin Ushtarak, për t'i marrë në pyetje sapo iu dha ndihma mjekësore. Në ndihmë të policisë së qytezës kanë shkuar forca policie nga Kruja, Durrësi si dhe forca speciale. Synimi i tyre ishte ndalimi i personit që shkaktoi plagosjen, duke kontrolluar të gjithë zonën, akset kryesore e dytësore e deri në fshatrat përreth, veçanërisht në Nikël ku banon Koçi. Burime zyrtare të policisë së Krujës thanë dje se Gentian Koçi dhe Haxhi Caca janë nga fshati Nikël i Krujës. Ata njiheshin si problematikë në Fushë-Krujë, si prishës të rendit e qetësisë në këtë qytet.
Të dhënat
Të plagosur
Astrit Baku, 40 vjeç
Lindita Baku, 35 vjeçe
F.Kurti, 12 vjeç
Haxhi Caca 24 vjeç, autori
Në kërkim
Gentian Koçi, 25 vjeç
Baku e autori, në spital në dhoma të ndryshme
TIRANE - Vetëm pak minuta pas ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme në qytetin e Fushë- Krujës në rrugën e Tiranës, kreu i LSI-së së këtij qyteti është transportuar me një ambulancë në drejtim të spitalit ushtarak në kryeqytet për të marrë ndihmën e nevojshme. Ai ka qenë i shoqëruar në automjet nga xhaxhai i tij, ndërsa pas tij me një autoveturë private ka mbërritur edhe e plagosura tjetër. Thuajse në të njëjtën kohë me ta, ka mbërritur në spital edhe Haxhi Caca, një prej dy personave që ka qëlluar në drejtim të tyre, sipas policisë me armë zjarri. Të tre personat sipas burimeve të policisë si dhe të personelit mjekësor, janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas tyre, kreu i LSI-së dhe nënkryetar i këshillit bashkiak të Fushë-Krujës, Astrit Baku ka marrë dy plagë, nga një në secilën këmbë dhe sipas burimeve është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa e shoqja e tij, ka marrë një plagë në këmbë. Këta të fundit kanë qenë të shoqëruar nga dhjetëra të afërm të tyre. Astriti dhe personi me ka qenë konflikti fillimisht kanë qenë në të njëjtën dhomë në urgjencë, por më pas janë ndarë veç e veç. Kjo për shkak të frikës së ndonjë përplasjeje të mundshme mes tyre aty apo familjarëve. Gjithsesi prania e policisë ka qenë e përforcuar për të evituar ndonjë incident. Për të vizituar kreun e LSI-së së Fushë-Krujës, në spitalin ushtarak ka mbërritur edhe anëtari i kryesisë së LSI-së, Edmond Haxhinasto i cili është takuar fillimisht me vëllanë dhe më pas me vetë Astrit Bakun.