Mitropoliti serb: Ushtarët tanë ju mbrojtën nga turqit
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Mitropoliti i kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, Amfilohije Radoviç, shkakton polemika gjatë vizitës së tij në Shkodër. "Plot 10 mijë ushtarë serbë e malazezë janë vrarë gjatë luftës për të shpëtuar popullin shqiptar nga pushtimi turk e ai nazifashist". Radoviç e bëri deklaratën e tij ndërsa vizitoi dje vendet ku prehen trupat e ushtarëve të vendit fqinj. Por, ndërsa historia e vendit tonë fakton që ata kanë rënë në tentativë për të pushtuar trojet në veri, përfaqësuesi i kishës theksoi të dhëna të ndryshme. I njohur si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe Malit të Zi, Radoviç kishte në axhendën e tij vizita në objektet e kultit dhe varrezat e ushtarëve serbë të rënë gjatë luftërave ballkanike dhe në tentativat e pushtimit malazez të Shkodrës. Ai ka kërkuar që shteti malazez duhet të kujdeset për varrezat e ushtarëve të këtij shteti kudo në botë, e për rrjedhojë edhe në Shkodër e të njëjtën gjë duhet të bëjë dhe qeveria shqiptare. Fillimisht, Radoviç ka vizituar kishën e Vrakës e Rrushkullit, themelet e së cilës i përkasin shekullit të IX. Sipas tij, kjo kishë duhet të konsiderohet si vend i shenjtë, ashtu si dhe kisha e Laçit dhe të shfrytëzohet për pelegrinazh. Prej andej, mitropoliti ortodoks i është drejtuar fshatit Bardhaj, 7 km në verilindje të qytetit të Shkodrës, ku sipas tij ndodhen të groposur trupat e rreth 10 mijë ushtarëve serbë e malazezë. Ata kanë rënë gjatë luftës së rrethimit të Shkodrës nga Mali i Zi në tentativë për ta aneksuar atë, në periudhën mes viteve 1912-1914. Pasi ka mbërritur Radoviç ka ushtruar ritet fetare të bekimit të varreve dhe lutjeve, duke thënë se ushtarët sllavë luftuan kundër pushtuesit osman. "Këta ushtarë së bashku me të tjerë kanë sakrifikuar veten për çlirimin e Shqipërisë nga Turqia. Ata kanë rënë në kohen kur Shqipëria shpalli pavarësinë, në atë moment vendimtar historik për lirinë e vendit. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1941, kur serbë dhe shqiptarë së bashku, në këto vende luftuan kundër pushtuesit nazifashist”. I pyetur nëse do të kërkojë nga pala shqiptare të rikonstruktojë varrezat e të rënëve, mitropoliti u shpreh se kjo duhet bërë patjetër. "Mes dy luftërave kanë qenë të identifikuara të gjitha varrezat e serbëve në Shqipëri. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ato u shkatërruan plotësisht. Megjithatë, varrezat janë të shenjta, pa marrë parasysh se cilës kohë dhe fe u takojnë". Gjatë vizitave të djeshme, Radoviç shoqërohej nga përfaqësues të pakicave malazeze që jetojnë në Shkodër dhe përgjegjësi i kishës ortodokse të Shkodrës, At Nikolla Petani dhe famullitari i kishës së Vrakës, Radojca Nikçeviç.