Irak, ushtarët shqiptarë, “lamtumirë armë”
Ditën e shtunë kthehen në atdhe trupat ushtarake shqiptare, të cilat morën pjesë në misionin ushtarak në Irak. Ata do të shoqërohen në kthim nga ministri ynë i Mbrojtjes, z. Gazmend Oketa, i cili udhëtoi drejt Mosulit, për të marrë pjesë në ceremoninë e uljes së flamurit shqiptar. Pas rreth 5 vjetësh të pjesëmarrjes së trupave shqiptare në operacionin “Liria e Irakut”, ushtarakët shqiptarë përfundojnë me sukses misionin e tyre në këtë vend. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, është nisur në Irak, për të marrë pjesë në ceremoninë e përfundimit të këtij misioni, ku është i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të koalicionit. Aktualisht në Irak ndodhen 218 ushtarakë shqiptarë të vendosur në Bagdad dhe Mosul. Nisja e trupave shqiptare paqeruajtëse në Irak ka datuar që në vitin 2003 dhe misioni i tyre ishte ruajtja e aeroportit të Mosulit dhe bazës Viktoria në Bagdad. Kontingjentet që morën pjesë në këtë mision ishin struktura të regjimentit “Komando” dhe në këto 5 vjet janë angazhuar në Irak 1.338 ushtarë shqiptarë. Me vizitën e ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, e cila u zhvillua në kuadër të festave të fundvitit, ashtu sikurse edhe ishte paralajmëruar, trupat paqeruajtëse shqiptare tashmë kanë përfunduar misionin e tyre paqeruajtës në Irak. Në operacionin "Liria e Irakut", në kuadrin e koalicioneve luftës kundër terrorizmit, trupat tona u vendosën në Aeroportin e Mosulit dhe në Viktoria, Bagdad, të drejtuar nga pala amerikane, ndërsa 3 ushtarakë shërbyen në shtabin multinacional. Aktualisht në Mosul vepronte kontingjenti i 11-të paqeruajtës. Lajmi fillimisht u publikua nga agjencia e lajmeve “Reuters”. Nga Iraku do të tërhiqen edhe trupat e Moldavisë, ndërsa Bosnja tërhoqi këtë javë trupat e saj ushtarake. Angazhimi i Forcës së Bashkuar Shqiptare në misionin e quajtur “Liria e Irakut” filloi në prill të vitit 2003, me dërgimin e kontingjentit të parë paqeruajtës, bazuar në ligjin nr. 9025, datë 13.03.2003, “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 1, datë 09.03.2003, të KM “Për vënien në dispozicion të hapësirës tokësore, detare e ajrore dhe dërgimin e një force ushtarake shqiptare në rajonin e Gjirit Persik, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit”. Në misionin “Liria e Irakut” kontribuan kontingjente të regjimentit “Komando”. Kontingjenti i parë deri tek kontingjenti i katërt kanë pasur një efektiv prej 71 ushtarakësh, kontingjenti i pestë e në vijim një efektiv prej 120 ushtarakësh (një kompani komando). Kontingjentet ndërrohen me sistem rotacioni 6-mujor. Aktualisht në Irak vepron SHBA me 143 mijë trupa, Britania me 4.100 trupa, Rumania me 600 trupa, Australia me 300 trupa, El Salvador me 200 trupa, Bullgaria me 155 trupa, Danimarka me 55 trupa, Lituania me 53 trupa dhe Estonia me 38 trupa.