Irak,hapet Ambasada e re Amerikane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hapur ambasadën e re në Bagdad, në një ceremoni ku merrte pjesë edhe Presidenti irakian Xhelal Talabani. Ndërtesa e re është një nga ambasadat më të mëdha dhe më të shtrenjta që SHBA-të kanë ndërtuar ndonjëherë dhe është hapur mes masave të rrepta të sigurisë në kryeqytetin e Irakut. Më 1 janar, SHBA-ja i dorëzoi zyrtarisht kontrollin e sigurisë, forcave irakiane. Shtetet e Bashkuara iu kthyen gjithashtu irakianëve pallatin e Sadam Hyseinit, që ka shërbyer si shtabi i tyre i përgjithshëm në qytet. Kompleksi i ri që është ndërtuar, do të ketë një staf prej katër mijë personash. Ceremonia e hapjes është drejtuar nga ambasadori amerikan Rajan Kroker dhe pjesëmarrës ishte edhe zëvendëssekretari amerikan i shtetit Xhon Negroponte. Presidetni i Irakut Talabani ka falenderuar SHBA-të për ndihmesën që iu kanë dhënë për krijimin e një Iraku demokratik, që sipas tij do të shërbejë si model për popujt e tjerë të botës lindore. "Më shumë se të ngresh një flamur apo të hapësh një ambasadë të re, kjo ka të bëjë me drejtimin dhe të ardhmen e re. Në marrëveshjen e sigurisë ne jemi angazhuar se do të përmbushim premtimet, duke asistuar forcat irakiane në mbajtjen e sigurisë", tha zëvendëssekretari amerikan i shtetit Negroponte.