Gazprom, jo ndërprerje gazi për Francën

Ministrja franceze e Ekonomisë Kristin Lagard ka deklaruar se furnizimi me gaz rus i Francës nga Gazpromi është i sigurt dhe i ka plotësuar të gjitha detyrimet. Megjithëse Komisioni Europian njoftoi nga Brukseli se nuk ekzistonte ndonjë rrezik i menjëhershëm për furnizimin me gaz të Bashkimit Europian nga Rusia, shqetësime ka pasur pas ndërprerjes së gazit Ukrainës. "Unë jam plotësisht e bindur se furnizimi me gaz i Francës nuk është i kërcënuar në asnjë mënyrë", u shpreh Lagard pas një takimi me zëvendëspresidentin e Gazpromit Aleksandër Medvedev. "Kjo është një cështje ndërkombëtare që ka prekur një kompani tregtare, sic është Gazpromi dhe shtetin ukrainas", tha Lagard, duke shtuar se shpresonte që mosmarrëveshjet do të zgjidheshin shumë shpejt. Vendet europiane u përballën me reduktimin e furnizimit me gaz në kulmin e stinës së dimrit, pasi Rusia ndaloi furnizmin me gaz të Ukrainës, për shkak të borxheve të kësaj të fundit dhe mosmarrëveshjeve për cmimin. Kompania ruse e gazit, Gazprom furnizon me gaz një të katërtën e nevojave të Europës. Republika Ceke, Turqia, Rumania, Greqia, Bullgaria dhe Kroacia kanë njoftuar reduktimin e furnizimit me gaz.