Irakianët bartin luftën në Siri

Militantët sunitë nga Iraku ka tashmë disa muaj që po shkojnë në Siri, për të luftuar kundër forcave të presidentit sirian, Baschar Al Assad. Tani betejës po i bashkohen edhe shiitët nga Iraku dhe atë në një numër gjithnjë e më të madh, por duke u rreshtuar në anën e forcave të sigurisë dhe duke e bartur konfliktin sektar nga Iraku në luftën civile në Siri, e cila gjithnjë e më shumë po nxitet tashmë edhe nga rivaliteti religjioz.
Disa shiitë nga Iraku fillimisht po udhëtojnë në drejtim të Teheranit, prej nga qeveria e Iranit, aleati kryesor i Sirisë në rajon, po i transporton për në Damask, në kryeqytetin e Sirisë. Të tjerët po udhëtojnë me autobusë nga qyteti i shenjtë shiit në Irak, Naxhafi, me pretekstin se po bëjnë pelegrinazh në një prej objekteve të rëndësishme religjioze të shiitëve në Damask, i cili ka tashmë disa muaj që po mbrohet nga irakianë të armatosur. Përderisa në autobusë vërtetë ka edhe pelegrinë, është gjithashtu e vërtetë se autobusët po bartin armatim, furnizime dhe luftëtarë, për të ndihmuar regjimin e Sirisë.
“Me dhjetëra irakianë po na bashkohen dhe brigada jo po rritet për çdo ditë”, deklaroi Ahmad Hassani, një luftëtarë 25 vjeçar irakian, i cili tani gjendet në Damask. Ai thotë se në kryeqytetin e Sirisë ka zbarkuar para dy muajve, me një fluturim nga Teherani.
Shiitët nga Iraku po bashkojnë forcat me luftëtarët tjerë shiitë nga Libani dhe Irani, duke bërë që Siria të shndërrohet edhe më shumë në një fushëbetejë rajonale sektare.
Libani, që ka strehuar 100 mijë refugjatë nga Siria, këtë muaj edhe vetë ishte para shpërthimit, pas vrasjes së shefit sunit të inteligjencës, pas një sulmi me bombë. Shumë libanezë për këtë sulm fajësuan qeverinë e Sirisë dhe aleatët e saj. Jordania, që ka strehuar më shumë se 180 mijë refugjatë, është përballur me vështirësi në përpjekje për të frenuar dhunën në kufijtë e vet. Turqia, që strehon mbi 100 mijë refugjatë, ka shkëmbyer zjarr me Sirinë, pasi që një predhë nga Siria vrau 5 shtetas turq në afërsi të kufirit në fillim të muajit.
Tani Iraku, që ende po përballet me pasojat e luftës së brendshme sektare, po zhytet gjithnjë e më shumë në luftën në Siri. Dhe Irani, i cili si Iraku ka një shumicë të madhe shiite, duke se po luan një rol vendimtar në rekrutimin e irakianëve.
Sipas zyrtarëve shiit në Irak, vullnetarët irakianë po marrin armatim dhe furnizime nga qeveritë e Iranit dhe të Sirisë, ndërsa Irani ka organizuar edhe udhëtimet për irakianët që janë të gatshëm që të luftojnë në anën e qeverisë së Sirisë.
Irani gjithashtu ka ushtruar trysni që irakianët të formojnë komitete, për të rekrutuar luftëtarë të ri. Komitete të këtilla së fundi janë formuar në qendrat shiite në Irak, në jug të vendit dhe në provincën Dijala, një provincë e përzier në veri të Bagdadit.
Shumë shiitë nga Iraku luftën në Siri-në të cilën shumica sunite po lufton kundër qeverisë, të dominuar nga alavitët, një degë kjo e Islamit shiit-si një betejë për ardhmërinë e besimit shiit. Ndarja sektare është thelluar edhe më shumë me arritjen e valës së ekstremistëve sunitë, të lidhur me Al Qaidën, të cilët i janë bashkuar luftës kundër qeverisë së Sirisë, pikërisht ashtu siç kanë bërë gjatë dekadës së fundit kundër qeverisë së dominuar nga shiitët në Irak.
“Siria tani është e hapur për të gjithë luftëtarët dhe Al Qaida po luan në letrën e sektarizmit, gjë që do të nxisë reagimin e shiitëve, pikërisht ashtu siç ka ndodhur në Irak”, thotë Ihsan Shamari, analist dhe profesor në Universitetin e Bagdadit. “Më së shumti i frikësohem pasojave që kriza e Sirisë mund të ketë në Irak, ku hiri i dhunës sektare ekziston ende”, shtoi ai.
Irakiani i ri, Ali Hatem, i cili planifikon që të udhëtojë për në Teheran, e më pas në Damask, thotë se thirrjen për të luftuar për Assadin e konsideron si një obligim.
Sidoqoftë, luftëtarët religjiozë përmendin edhe arsye të tjera për të shkuar në luftë. Në provincën Dijala, ende qendër e kryengritjes sunite në Irak, udhëheqësit shiitë po theksojnë se po kërkojnë vullnetarë, për të mbrojtur xhaminë Zeinab në Damask kundër ithtarëve të ideologjisë salafiste, të mbështetur nga shtetet e Gjirit, theksoi Abu Al Musavi, kryesuesi i komitetit për rekrutim. Ai theksoi se së fundi 70 meshkuj nga Dijala janë nisur, për t’iu bashkuar luftës në Siri.
Abu Sajad, i cili shkoi në Damask në vitin 2008 dhe ju bashkua luftës pas fillimit të kryengritjes, thotë se ai dhe luftëtarët tjerë irakianë vërtetë po luftojnë për të mbrojtur xhaminë. Ai thotë se është armatosur dhe furnizuar nga qeveria e Sirisë. Por me përkeqësimin e dhunës, me irakianët të cilët filluan të rrëmbehen dhe të vriten, ai së fundi vendosi të kthehet në shtëpinë e tij në Basra.
“Mund t’iu them se gjërat në Siri do të përkeqësohen edhe më shumë. Është kjo një luftë sektare dhe ajo është edhe më e ashpër dhe më brutale se lufta në Irak. Në Siri, të gjithë janë të përfshirë. Mund ta ndiesh urrejtjen mes sunitëve dhe alavitëve. Ata do të bëjnë çmos që të zhdukin njëri-tjetrin”, rrëfen Sajad.