E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iraku anulon paktin e armëve me Rusinë

Iraku ka anuluar një marrëveshje prej 4.2 miliardë dollarësh për të blerë armë nga Rusia, për shkak të shqetësimeve për korrupsion, ka bërë të ditur një zyrtar i qeverisë lokale.

Kryeministri irakian, Nouri al Maliki, ka urdhëruar nisjen e një hetimi të marrëveshjes, ka thënë zëdhënësi i tij për rrjetin informativ britanik, BBC.

Kontrata, në të cilën përfshiheshin helikopterë ushtarakë dhe raketa, u firmos muajin e kaluar. Iraku është duke reformuar forcat e armatosura që nga përfundimi i operacioneve ushtarake të trupave të SHBA kundër kryengritësve.

Duke njoftuar anulimin e kontratës ditën e shtunë, një zëdhënës i Al Malikit tha:”Kur kryeministri u kthye nga vizita e tij në Rusi, ai pati dyshime për korrupsion, kështu që vendosi të rishikojë të gjithë marrëveshjen. Në këtë kuadër është hapur një hetim”.

Kontrata do ta kishte bërë Moskën, furnizuesi kryesor me armë i Irakut në kohën e Saddam Hussein, furnizuesin e dytë të armatimeve të vendit pas Shteteve të Bashkuara.

Nga Moska nuk ka pasur ende një koment mbi vendimin për anulimin e kontratës. Në tetor, Al Maliki tha në një deklaratë se, “nuk dëshironte që Iraku të bëhej pjesë e monopolit të dikujt tjetër të armëve”.

Por ai u përball me kritika që vunë në dyshim blerjen e armëve nga Rusia, në një kohë kur ishin firmosur një seri marrëveshjesh me Shtetet e Bashkuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›